Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > Arbëria > ​Abdixhiku: 75 ditë pa Ministër të Shëndetësisë, skandalet në spitale kanë adresë

​Abdixhiku: 75 ditë pa Ministër të Shëndetësisë, skandalet në spitale kanë adresë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka pasur kritika të ashpra për Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti në lidhje me mos emërimin e Ministrit të Shëndetësisë, për plot 75 ditë.

Ai ka thënë se në vend se të flitet për spitale të reja, paga më të larta e më shumë pajisje e barna, “ne jemi në pritje të një ministri pas 75 ditëve”.

Abdixhiku i e ka quajtur Qeverinë e Kosovës, të paaftë e të papërgjegjshme, teksa ka shtuar se skandalet që po ndodhin së fundmi në spitalet e Kosovës, e kanë një adresë, duke lënë të nënkuptohet se ajo është Qeveria.

“Sot bëhen 75 ditë që Kosova nuk ka Ministër të Shëndetësisë; të tretin në më pak se dy vite qeverisje. Plot 75 ditë për të caktuar një përgjegjës – një njeri të vetëm – në krye të sektorit më të rëndësishëm të shoqërisë kosovare. As kaq pak s’mund të bëjnë! As kaq pak s’mund t’i japin shëndetësisë. Ndërsa, do të duhej të flisnim për spitale të reja, pajisje e barna më shumë, paga më të larta, shërbime më të denja e sigurime shëndetësore për qytetarë që shpenzojnë qindra miliona euro jashtë vendit – ne jemi në pritje të një ministri pas 75 ditëve. Dhe as kaq pak s’mund të bëjnë; as edhe një ministër ta caktojnë. Qeveri e paaftë. Qeveri e papërgjegjshme. Skandalet në spitalet tona kanë adresë!”, ka shkruar Abdixhiku.

 

Powered by WordPress