Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Kojufca, me datë 26 shkurt të këtij viti sipas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, është shfajësuar nga dy aktakuza për të cilat prokuroria e ngarkonte me përgjegjësi penale. Sipas së parës, ai akuzohej me veprën “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare”, kurse sipas së dytës, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ku ndër të tjera thuhej se në Kuvendin e Kosovës më 10 gusht 2016, atëbotë deputeti, Konjufca, ka hedhur gaz lotsjellës në sallë, me ç’rast është pamundësuar qëndrimi në sallë. Gjykata Themelore konkludoi se për këtë të fundit, nuk janë gjetur prova që do ta dëshmonin se kryeparlamentari aktual ka përdorur armë apo mjet të rrezikshme. Kurse sa i përket aktakuzës së parë ajo u hodh poshtë, sepse tashmë është parashkruar lënda.
Është ky vetëm një rast në mesin e dhjetëra rasteve të tjera politike se si për shkak të zvarritjes së lëndëve dhe procedurave të stërzgjatura gjyqësore, ato vjetërohen nëpër sirtarët e institucioneve gjyqësore dhe në këtë mënyrë të pandehurit nga Prokuroria ia dalin që t’i shmangen ballafaqimit me organet juridike. Mos-pjesëmarrja në seanca, largim i përkohshëm nga vendi, shtyerje e vazhdueshme e afateve, janë vetëm disa nga metodat e njohura që përdoren me qëllim të arratisjes nga drejtësia.
Si shembull tjetër i kësaj logjike mund të merret parashkrimi i lëndës që kishte ndodhur vitin e kaluar ndaj ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Xhelal Sveçla së bashku me Dardan Molliqajn dhe të tjerët ishin akuzuar për veprën penale “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”. Kjo lëndë ishte zvarritur mbi 10 vite. Gjykata Themelore pati deklaruar se parashkrimi absolut i veprave penale ndaj ministrit Sveçla dhe 12 të akuzuarve ka ardhur si rezultat i mungesës së të akuzuarve nëpër seanca.
Një rast tjetër i njohur në këtë drejtim ishte ai ish-kryetarit të Kaçanikut, Xhabir Zharku. Ky i fundit me datë 21 prill 2011, nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë ishte shpallur fajtor për kryerjen e veprave penale të detyrimit të posedimit të paligjshëm të armës. Me këtë rast Zharku ishte dënuar me tre vjet burgim dhe i ishte shqiptuar gjoba prej 1.500 eurove” Mirëpo, i njëjti supozohet se për një periudhë kohore kishte qëndruar jashtë vendit derisa ky vendim ishte parashkruar.
Ndërkohë, dështime të kësaj natyre janë duke shoqëruar edhe një proces tjetër gjyqësor që është duke u zhvilluar ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe deputetëve të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje Fitore Pacollit, Salih Zybës dhe Drita Millakut. Këta akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës. Sipas aktakuzës me datë 21 mars të vitit 2018, ata kanë hedhur bombola të gazit lotsejllës brenda sallës së Kuvendit të Kosovës, duke e pamundësuar mbajtjen e seancës plenare.
Por, seanca gjyqësore e caktuar për datë 6 shkurt kishte dështuar, sepse atë ditë në gjykatore kishte munguar e pandehura Drita Millaku. Kurse seanca e sotme është shtyrë për 26 mars, sepse prezente nuk ishte Fitore Pacolli-Dalipi.
Mbetet të shihet se çfarë epilogu do të marrë ky proces. A do të lejohet parashkrimi i tij sikurse i shumë rasteve tjera, në mënyrë që njerëzit e lidhur me politikën dhe pushtetin nga këto zvarritje të kenë mundësi edhe në këtë rast ta fitojnë shfajësimin juridik?
/TV Arbëria