Lëvizja Vetëvendosje po i konsideron false akuzat e opozitës për numrin e madh të kontratave njëburimore të nënshkruara gjatë mandatit të qeverisë Kurti.
Deputetja e mazhorancës, Arta Bajralia, tha se ka dhjetë muaj që raporti i auditimit për kontratat njëburimore është publik, derisa opozita ka thirrur seancë të jashtëzakonshme për këtë sot, në vend se të ketë seancë të rregullt dhe të votohen marrëveshjet ndërkombëtare.
Bajralia: Këto janë kauza false të opozitës
“Ka dhjetë muaj që raporti është publik dhe nuk është thënë asnjë fjalë në lidhje me të dhe tani po e trajtojmë me një seancë të jashtëzakonshme, një raport që do të vinte gjithsesi në seancë të rregullt. Se kuptoj se ku është relevanca e kësaj seance dhe opozitë bërjes tuaj. Në vend që të kemi seancë të rregullt ku i trajtojmë dhe votojmë marrëveshjet ndërkombëtare, ku po presin 1 vit pa u votuar, ligjet dhe çështjet të tjera, por ju e keni te kauzat false të cilat po mundoheni t’i ndërtoni dhe të fatmirësisht nuk po iu funksionojnë”, tha ajo, në seancën e jashtëzakonshme në lidhje me kontratat njëburimore të ekzekutivit.
Sipas saj, nënshkrimi i kontratave njëburimore kanë qenë ndër vite, derisa më së shumti siç tha ajo ka pasur në vitin 2015, kur kryeministër ishte Isa Mustafa.
Bajralia: Kontratat njëburimore kanë qenë ndër vite
“Nëse e shikojmë numrin e kontratave njëburimore dhe aneks kontratave që nga viti 2008, atëherë duhet të kuptojmë se në vitin 2021 nuk ka pasur asnjë situatë të jashtëzakonshme, pasi përqindja e kontratave të negociuara në raport me të gjitha kontratat brenda vitit duke përfshirë të gjitha institucionet është 12 për qind. Ndërkaq, nëse i shohim ndër vite numri më i madh i kontratave të negociuara janë në vitin 2015, me 16 për qind, pikërisht në vitin kur zonja Bajrami ka qenë ministre e Tregtisë, ndërsa Isa Mustafa kryeministër”, theksoi ajo.