Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > Agron Limani: Si dështuan institucionet e drejtësisë në adresimin e krimeve të luftës?

Agron Limani: Si dështuan institucionet e drejtësisë në adresimin e krimeve të luftës?

Se shqiptarët do ta fitonin luftën çlirimtare kundër fashizmit serb, Agron Limani e kishte mësuar që në fillim të viteve ’90. Këtë mësim ai e kishte marrë deri sa ishte duke u kthyer nga Prishtina së bashku me profesor Ukshin Hoti, pas vizitës që i kishin bërë grevisteve në Pallatin e Shtypit të prirë nga Adem Demaçi.

Derisa ata po ktheheshin u torturuan në mënyrë çnjerëzore nga policia serbe. Dhe në atë gjendje profesor Ukshin Hoti i kishte thënë “Agron ne do ta fitojmë këtë luftë”. Mirëpo, që të behej realitet kjo profeci, padyshim se duhej angazhuar në rezistencë të armatosur. Dhe ashtu ndodhi. Kosova e fitoi lirinë. Mirëpo mjerisht, orakulli i saj nuk arriti ta shoh, sepse që nga 16 maji i vitit 1999, kur ishte “liruar” nga Burgu i Dubravës nuk dihet asgjë më për fatin e tij.

Por po ashtu, kjo liri u shoqërua me shumë dhimbje për humbjet njerëzore që i pësuam. Një nga fshatrat që do të kalonte nëpër dyert ferrit të krimit serb, ishte edhe Krusha e Vogël. Në natën e 26 marsit të vitit 1999 serbët lokalë të këtij fshati do t’i organizonin fabrikat e vdekjes për popullsinë civile. Atë natë të kobshme do të digjeshin të gjallë 103 persona. Në mesin e tyre edhe vëllau 22 vjeçar, babai dhe të afërm të tjerë të Agron Limanit. Kurse një natë më herët po ashtu ishin vrarë 9 persona të tjerë. E pas përfundimit të luftës dhe kthimit të refugjatëve një fëmije do ta gjente vdekjen në minat që i kishin lënë forcat serbe. Duke e çuar numrin e viktimave në 113.

Në dokumentarin “28 Nëntori me 28 çlirimtarë”, ai rrëfen se përfundimi i luftës e gjeti në Prizrenin e çliruar si ushtar i UÇK-së. Një ndjenjë kjo e paharruar. Mirëpo, pas entuziazmit për lirinë, fillon dhimbja për ata që nuk ishin më në mesin e të gjallëve. Me këtë krim makabër orkestruesit e tij synonin po ashtu që të zhduknin edhe kujtimin për viktimat, duke i lënë edhe pa varre.

Natyra e këtij krimi është e paprecedent edhe në historinë këtij civilizimi. Sepse a nuk fillon kjo traditë me respektimin e trupit të vdekur të Hektorit nga Akili?  Duke e përçuar mesazhin se respektimi dhe nderimit i të vdekurit është një detyre e të gjallëve. Pra Krusha e Vogël dhe raste të ngjashme sikur ajo, janë një dëshmi e gjallë shkeljes brutale nga serbët të parimeve të humanizmit perëndimor.

Me qëllim të dokumentimit të kësaj ngjarje Agron Limani do angazhohet në “Shoqatën për Personat e Rrëmbyer 26 Marsi 1999”. Falë kësaj pune 52 e të zhdukurve janë gjetur, identifikuar dhe varrosur. Por ende figurojnë si të zhdukur 61 persona, ku vazhdon kërkimi që të paktën t’u sigurohet një varr.

Por, kjo shoqatë nuk ishte ndalur me kaq. Ajo gjatë ekzistencës së saj ka mbledhur materiale, dokumente dhe fakte që dëshmojnë krimin e serbëve të Krushës së Vogël. Ato janë dorëzuar si në UNMIK, EULEX dhe në institucione tona të drejtësisë. Kështu në bazë të këtyre fakteve u dënua një serb i këtij fshati Darko Tasiq, për rolin e tij në këtë masakër.

Gjykata Themelorë në Prizren e dënoi atë me 24 vjet burg, Mirëpo, të njëjtit Gjykata e Apelit ia zbriti dënimin 11 vite. Kurse më meritori për këtë vendim, sipas Agron Limanit ishte kryetari i trupit gjykues Kreshnik Radoniqi, të cilin institucionet tona qendrore e “ndëshkuan” duke e avancuar nga ky trup gjykues edhe në kryetar të KQZ-së.

Apeli i këtij luftëtari të lirisë në fund mbetet se kushdo që ka një gjysmë informacioni për krimet serbe duhet ta bëjë publike ato, sepse duke e fshehur atë e lehtësojmë krimin serb, dhe nuk e ekspozojmë ashti siç ishte me tërë përmasat e tij.

/TV Arbëria