Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po shndërrohet Shqipëria në një “kamp të njerëzve pa të drejta” nga marrëveshja Rama-Meloni?

A po shndërrohet Shqipëria në një “kamp të njerëzve pa të drejta” nga marrëveshja Rama-Meloni?

Shkruan: Afrim Kasolli – Para pak dite Kryeministri Shqipërisë, Edi Rama dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni nënshkruan një marrëveshje sipas së cilës emigrantët ilegalë që kapen në detin Mesdhe dhe të cilët e synojnë Italinë fillimisht do të strehohen në Shqipëri deri sa të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil.

Shqipëria në funksion të zbatimit të kësaj marrëveshje do të ndërtojë dy kampe të refugjatëve, një Gjadër dhe tjetrin në Shëngjin, kurse Italia në këmbim të kësaj ndihme do të depozitojë deri në 16.5 milionë euro në një llogari të posaçme të Thesarit të Shqipërisë për strehimin e deri 3000 emigrantëve.Kjo marrëveshje ka ngritur alarmin se është në shpërputhje si me rregullat ndërkombëtare të azilit, ashtu edhe me legjislacionin e BE-së për trajtimin e azilkërkueseve.

Ekspertë dhe aktivistë për çështjet e migracionit kanë thënë se marrëveshja në mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e mijëra emigrantëve në shtetin ballkanik, ndërsa shqyrtohen kërkesat e tyre për azil, reflekton një tendence shqetësuese të vendeve të Bashkimit Evropian që kërkojnë të gjejnë një zgjidhje përtej kufijve të bllokut, shkruan Zëri i Amerikës.

Komisioni Evropian, i cili mbikëqyr zbatimin e ligjeve të Bashkimit Evropian, sugjeroi se marrëveshja mund të rezultojë problematike nëse Italia i dërgon migrantët e gjetur në ujërat territoriale të BE-së në një vend jo anëtar të BE-së. Sidoqoftë, KE la një mundësi të hapur për zbatimin e marrëveshjes për migrantët e kapur në ujërat ndërkombëtare. “Për një anije brenda territorit, duhet të zbatohen rekomandimet e procedurës së azilit”, tha për gazetarët në Bruksel zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper. Kjo nënkupton se kushdo që kapet në ujërat që i përkasin një vendi anëtar të BE-së do të ketë të drejtën të kërkojë azil atje, dhe jo të transferohet në një vend të tretë.

Ndërkohë, edhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut Amnesty International sipas këtij mediumi, ka pohuar  se “Individët e shpëtuar nga autoritetet italiane në det, përfshirë ata që kërkojnë siguri në Evropë, janë nën juridiksionin italian dhe nuk mund të dërgohen në një vend tjetër përpara se të shqyrtohen kërkesat e tyre për azil dhe rrethanat individuale”.

Sidoqoftë, ajo që mbetet më shqetësuese në këtë drejtim, ka të bëjë me faktin se brenda shtetit shqiptar po shumëfishohen ato hapësira të “jashtëligjshme” siç quhen ndryshe kampet e refugjatëve. Zona që banohen  nga njerëz pa të drejta, e të cilët ndodhen në një territor, por ligjet e të cilit nuk vlejnë për ta.

Në këtë kontekst, ka qenë pikërisht filozofi italian Giorgoi Agamben i cili në librin e tij të njohur “Homo Sacer – Sovreign Power and Bare Life” (Pushteti sovran dhe jeta e zhveshur), që mbase më mirë se askush tjetër, i ka hulumtuar konturat e këtij fenomeni të kobshëm modern. Për këtë mendimtar ashtu si për Hannah Arendt-in dhe Michel Foucalt-in, është gabim që kampet të perceptohen vetëm si fenomen i botës totalitare.

Përkundrazi, ato u lindën para këtij sistemi dhe i mbijetuan atij, pikërisht nga nevoja e shteteve kombe për t’u ballafaquar me refugjatët. Dhe kështu mori jetë ajo hapësirë e veçuar juridike dhe politike  apo siç quhet ndryshe “gjendja përjashtimore” (state of exception), ku strehohen ata që nuk mund të integrohen në mënyrë “natyrore” brenda trupave juridikë dhe politikë, të këtij modeli shtetëror.

Kështu, sipas këtij mendimtari “shtet-kombëtar do të thotë shtet që e vendos vendlindjen (la nativita) në themel të sovranitetit të vet”. Me këtë formulë shteti-komb modern definohet mbi tri shtylla kryesore: “territori, shteti dhe lindja”. Një nexus i tillë e formon trinitetin e këtij entiteti.

Kurse krizën më të spikatur ky model e përjetoi në shekullin XX, si pasojë e shfaqjes masive të kategorisë së refugjatëve të të gjitha llojeve, qoftë të atyre që emigruan për shkaqe ekonomike, politike apo të të shpërngulurve për arsye të luftërave dhe spastrimeve etnike. Kjo krizë erdhi si pasojë e kufizimeve politike dhe juridike të kësaj strukture, për ta integruar, asimiluar dhe natyralizuar në mënyrë të menjëhershme këtë valë masive të të huajve që s’ishin të lindur në kuadër të vendit strehues. Sepse refugjati më shumë se askush tjetër e “shkatërron trinitetin e vjetër shtet-komb-territor”.

Prandaj, edhe u shpikën kampet si një hapësirë “ideale” për ta menaxhuar fatin e disa qenieve njerëzore që s’i takojnë asnjë vendi. Janë pa të drejta. Pa identitet. Dhe të papërfaqësuar politikisht dhe juridikisht. Jeta e zhveshur e të cilëve administrohet në hapësira të mbyllura dhe që dalin jashtë rendit të zakonshëm juridik dhe politik.

E si shembull të kësaj logjike, dikur Giorgio Agambeni e merrte edhe rastin e imigrantëve ilegalë shqiptarë në vitin 1991, kur autoritetet policore të shtetit italian i kishin mbyllur përkohësisht, para se t’i dëbonin ata në vendin e origjinës.

Prandaj, duke marrë parasysh parametrat e funksionimit të kampeve të refugjateve, shto edhe këtu faktin se në këtë rast ato të administrohen sipas rregullave të një shteti tjetër në një territor tjetër, atëherë mund të konstatohet se në bazë të marrëveshjes Rama-Meloni në Shqipëri po shumëfishohen ato zona të “jashtëligjshme” qëllimi i të cilave është menaxhimi i “njerëzve pa të drejta”, që e formojnë “zgjyrën e tokës”.

/TV Arbëria

Themes by WordPress