Shkruan: Afrim Kasolli
Sipas të gjitha gjasave negociatat ndërmjet Lëvizjes Vetevendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me qëllim votimin e Presidentit të ri të vendit morën fund sot.
Kështu të paktën u zotua lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Ai deklaroi se sa i përket kësaj teme ai ka hequr dorë nga përpjekjet e mëtutjeshme për një kompromis me Albin Kurtin, ngase sipas tij, kryeministri nuk është i gatshëm të lëshojë pe për pozitën e Presidentit.
Ndërkohë, edhe Albin Kurti pak a shumë u shpreh i bindur se vendi po shkon drejt zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme parlamentare pas dështimit të bisedimeve me LDK-ne.
Ai në fund nuk la pa e bërë publike ofertën “gjeneroze” në adresë të partisë së tretë parlamentare. Ajo përfshinte pozitën zv kryeministrit për Lumir Abdixhikun, ministrinë e Punëve të Jashtme dhe tri ministri tjera, ose “udhëheqjen e legjislativit përmes Kryetarit dhe Nënkryetarit të parë të Kuvendit të Kosovës”.
Shpalosja nga Albin Kurti para publikut e planeve për bashkëqeverisje në këtë kohë nuk është e rastësishme. Mbase ajo buron nga kalkulimi se elektorati i LDK-se, shumë me shumë e përkrah një koalicion të kësaj partie me Albin Kurtin sesa çdo martesë tjetër politike. Prandaj, po ashtu nuk është as e rastësishme që edhe gjatë gjithë bllokadës vitin e kaluar, lideri i Vetëvendosjes i ishte qepur LDK-se, me qëllim qe ta ekspozojë liderishipin e kësaj partie si pengesë për atë formulë qe e preferon baza elektorale. Strategji kjo qe u tregua goxha profitabile për Lëvizjen Vetëvendosje në zgjedhjet e jashtëzakonshme të parlamentare të 28 dhjetorit.
Albin Kurti e dinë se tashmë LDK është në situatë pa shtegdalje. Kjo parti ose duhet të shndërrohet në aksesor të opozitës aktuale, ose të Lëvizjes Vetevendosje?
Natyrisht, ekziston edhe mundësia qe ajo t’i shmang të dy këto opsione, me kusht që të mobilizohet për rezistencë për ta mbajtur homogjene bazën e saj dhe për të përfituar nesër mbështetje edhe me te madhe nga kanalizimi i pakënaqësive sociale dhe politike në vend.
Por me Lumir Abdixhikun në krye të LDK-së ky opsion duket mision i pamundur. Pra kjo parti në bazë të kushteve aktuale mund të mbijetojë ose duke qenë pjesë e qeverisjes ose mund shkaperderrdhet. Bilanc ky qe siç treguan zgjedhjet e fundit gjasat më te mëdha për perfitim i ka Kurti. Prandaj me “dekonspirimin” sot të planeve për bashkëqeverisje me LDK-ne Albin Kurti ju drejtua elektoratit të kesaj partie, se edhe njëherë Lumir Abdixhiku po e refuzon atë qe ju e konsideroni si opsioni me ideal per dalje nga kriza.