Një xhiro të ardhurash thuajse 2.5 miliardë euro, që do të sjellë më shumë se 1 miliard euro në arkat e UEFA dhe në total 331 milionë euro për ekipet – si dhe 7 milionë turistë, por me ndikim, i konsideruar relativ, në ekonominë gjermane.
Edhe pse është larg shifrave të gjeneruara nga Kupa e Botës, Kampionatet Evropiane janë një faktor i rëndësishëm për arkat e UEFA, edhe më shumë se Champions League dhe gat për klubet, shkruan Monitor.
Të ardhurat për UEFA
Duke nisur nga të ardhurat, vlerësimet e UEFA flasin për të ardhura 2.4 miliardë euro për kampionatin që po luhet në Gjermani.
Për të kuptuar rritjen e futbollit në nivel ekonomik, mjafton të mendosh se të ardhurat në Euro 1992 ishin 40.9 milionë euro.
Në harkun e pak më shumë se 30 vjetëve, shifra është rritur me 5790%, me rritje të ndjeshme edhe krahasuar me Euro 2016, +26% krahasuar me 1.9 miliardë euro të arkëtuara në turneun e luajtur në Francë (në Kampionatin e 2021 u shënua një rënie në 1.8 miliardë euro, për shkak të kufizimeve të Covid, që ndikuan te shitja e biletave).
Tek të ardhurat, zëri më i madh mbetet ai që lidhet me të drejtat televizive, ku të ardhurat parashikohen në 1.44 miliardë euro, e ndihmuar edhe nga marrëveshjet e nënshkruara në minutë të fundit (si marrëveshja e Francës me BeIN Sports e Nasser Al–Khelaifi, president i PSG).
Të ardhurat tregtare parashikohen në 568 milionë euro, ku 300 milionë pritet të vijnë nga shitja e biletave dhe 100 milionë euro nga hospitality.
Kostot për UEFA
Në total, vlerësimet flasin për kosto rreth 1.22 miliardë euro, nga të cilat rreth gjysma lidhen me organizimin e kampionatit (645 milionë), ndërsa 240 milionë do t’u paguhen klubeve në bazë të numrit të lojtarëve “të marrë hua” për turneun dhe në fund, 331 milionë vlerësohen si të ardhurat që do të marrin federatat në bazë të rezultateve.
Skuadra që do të ngrejë trofeun do të fitojë 28.5 milionë euro.
Pavarësisht rritjes së madhe të të ardhurave për UEFA, megjithatë, zëri që lidhet me të ardhurat sipas rezultateve, ka mbetur i qëndrueshëm. Krahasuar me 301 milionë euro në 2016, rritja është me 10% krahasuar me +25 të të ardhurave.
Arkëtimi neto për UEFA, duke zbritur kostot nga të ardhurat, është 1.19 miliardë euro.
Kjo shifër është në rritje të fortë krahasuar me kompeticionet e mëparshme. Në vitin 2021, arkëtimi neto ishte 645 milionë euro krahasuar me 847 milionë euro në 2016 dhe 593 milionë në vitin 2012.
Surplus që vjen nga Kampionatet Evropiane shpërndahet nga UEFA nëpërmjet investimeve në programin HatTrick, i krijuar në 2004, që ua shpërndan fitimet e turneut federatave kombëtare për t’i investuar në projekte zhvillimi me afat të gjatë, duke përfshirë infrastrukturën dhe trajnimin e lojtarëve të rinj.
Në veçanti, parashikimi është që do të shpërndahen rreth 935 milionë euro në 2024, që do të vijnë nga të ardhurat neto të Euro 2024.
Ajo që do të mbetet, do të shërbejë për të forcuar arkat e UEFA të cilat kanë vuajtur në vitet e fundit.
Ndikimi në vendin pritës
Një kompeticion i përmasave të tilla pritet të sjellë në Gjermani në total 7 milionë turistë, nga të cilët, më shumë se 2.7 milionë tifozë priten të jenë në stadium për gjithë ndeshjet, me ndikim të rëndësishëm ekonomik.
Megjithatë, shpjegojnë ekspertët, jo aq domethënës sa të rimëkëmbë një ekonomi në recesion si ajo gjermane.
Sipas Michael Grömling, ekspert i ekonomisë në Institutin e Ekonomisë Gjermane (IW), përvoja e Botërorit 2006 “tregon se kompeticionet e mëdha sportive nuk janë një motor ekonomik.
Shumë konsumatorë do të përfitojnë nga kjo ngjarje për të blerë një televizor të ri, të ftojnë miqtë të shohin ndeshjet dhe të pinë një birrë ose më shumë gjatë kohës që do të bëjnë tifozllëk.
Por do të kursejnë në fusha të tjera: salsiçe në skarë në vend të një darke në restorant, një mbrëmje para televizorit në vend që të shkojnë në kinema. Shpenzimet e konsumatorëve nuk do të rriten domosdoshmërisht, por do të spostohen”.
Në të njëjtën kohë, tifozët e 23 vendeve pjesëmarrëse “do të zëvendësojnë turistë të tjerë. Për dhjetë qytetet ku do të zhvillohen ndeshjet, kompeticioni do të sjellë një nxitje të vogël ekonomike, por PBB në fund të vitit nuk do të jetë më i lartë”.
Por ka edhe aspekte të tjera me ndikim të mundshëm në afat të gjatë: “Një kompeticion i madh sportiv mund të përmirësojë imazhin e vendit pritës.
Kujdesi për imazhin është një avantazh i madh, mbi të gjitha në një kontekst investimesh të dobëta direkte. Në të njëjtën kohë, ekonomia ndikohet nga pritshmëritë – ndikimi emocional i Euro 2024 nuk duhet nënvlerësuar”.
Ky është një mendim i ngjashëm me atë të IFO Institute, institut kërkimor me seli në Munih, që thekson se ndjenja e ekonomisë gjermane u përmirësua vetëm pak pas Kupës së Botës 2006.
“Pas Kupës së Botës, ecuria financiare e kompanive gjermane u përmirësua lehtë” – shpjegoi Klaus Wohlrabe, drejtues i IFO.
Instituti IFO analizoi edhe industrinë e mikpritjes (hotele dhe restorante) dhe sektorin e ushqimit dhe pijeve gjatë Kupës së Botës 2006 në Gjermani.
“Nuk kemi parë ndikime të rëndësishme” – shtoi Wohlrabe. I të njëjtit mendim është edhe Instituti Gjerman për Kërkim Ekonomik në Berlin, i cili në një studim nuk ka gjetur ndonjë ndikim të veçantë ekonomik që rrjedh nga organizimi i Kupës së Botës në vitin 2006.