Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A u pezulluan trajnimet e Policisë së Kosovës nga SHBA-të?

A u pezulluan trajnimet e Policisë së Kosovës nga SHBA-të?

Gjatë ditës së djeshme në media është raportuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë vendosur disa sanksione ndaj Policisë së Kosovës, ku thuhej se PK-ja është përjashtuar nga disa trajnime ndërkombëtare, shkruan TV Arbëria.

Raportohej se kjo erdhi si rezutat i veprimeve të pakordinuara, të Qeverisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut.

Pas këtij raportimi, erdhi edhe reagimi i Policisë së Kosovës, në komunikatë thuhej se SHBA-të mbeten partnerët kyç në ofrimin e trajnimeve, si dhe njoftohet se nga viti 2022 deri 2024 janë realizuar 250 trajnime.

“Një nga përkrahësit dhe parterët kyç në ofrimin e trajnimeve brenda Policisë së Kosovës por edhe të dërgimit të zyrtarëve për trajnim jashtë vendit, ka qenë dhe vazhdon të mbeten Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët gjatë periudhës kohore të viteve 2022-2023-2024, e deri me tani kanë realizuar mbi 250 trajnime brenda dhe jashtë vendit, ku kanë marrë pjesë mbi 2.300 pjesëmarrës nga Policia e Kosovës, përfshirë edhe njësitet elite të PK-së”, thuhej në komunikatë.

Policia e Kosovës përmes komunikatës, nuk e pohoi e as mohoi lajmin rreth sanksioneve në këtë institucion.

“Po ashtu PK-ja deklarimet e Ambasadës Amerikane që ndërlidhen me fushën e sigurisë dhe institucionin e PK-së, i merr me shumë seriozitet dhe mban komunikim të vazhdueshëm me ta, për të sqaruar gjithçka që mund të ketë sjellë deri tek ky perceptim edhe konstatim për PK-në”, thuhej tutje në komunikatë.

Ndërsa Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, ka deklaruar se ende nuk ka ndonjë vendim rreth çështjes së bashkëpunimit me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj, kjo deklaratë e ambasadës ka ardhur pas raportimeve për sanksione ndaj PK-së.

“Veprimet e Qeverisë do të ndikojnë edhe në cilësinë dhe natyrën e bashkëpunimit tonë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe elementët vartës të saj. Ne jemi duke vazhduar shqyrtimin e çështjes dhe për momentin nuk kemi marr asnjë vendim”, thuhej në përgjigjen e ambasadës për RTV Dukagjini.

Deri më tani mbetet e paqartë, se a kemi sanksione të reja ndaj Kosovës, për ndalimin e trajnimeve të Policisë së Kosovës.

Qeveria e Kosovës është kritikuar në vazhdimësi nga ndërkombëtarët për veprime të pakordinuara në veri, krejt së fundmi për mbylljen e komunave ilegale nga Policia e Kosovës.

Aktualisht Kosova ndodhet nën sanksione nga Bashkimi Evropian, që nga qershori i vitit të kaluar(2023). /TV Arbëria

Powered by WordPress