Kohën e fundit e kemi qenë dëshmitarë të tensioneve politike dhe diplomatike ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe shteteve partnere ndërkombëtare. Ky tension u ashpërsua kryesisht për shkak të vendimit të BQK- së, sipas së cilit ndalohej përdorimi i dinarit në komunat e banuara me shumicë serbe.
Vendet mike dhe kryesisht SHBA-të reaguan ashpër ndaj kësaj rregullore. Ata kërkonin suspendimin e këtij vendimi dhe një fazë të më gjatë tranzitore deri sa të krijoheshin kushte adekuate për fillimin e zbatimit të tij.
Për shkak të këtyre dallimeve, diplomatë kryesisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sikurse Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazinë, James O’Brein, dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriell Escobar, deklaronin se me sjelljen refuzuese ndaj këshillave të tyre Qeveria e Kosovës nuk është duke i trajtuar si partner SHBA-të.
Madje ky i fundit, pak para vizitës të tanishme në Prishtinë në një konferncë për media nga Brukseli e ka quajtur “jo kompetent dhe katastrofik zbatimin e vendimin e BQK-së. Po ashtu, diplomati amerikan ka kujtuar se “Partneriteti në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës është mes popullit amerikan dhe atij të Kosovës, nuk depërton përmes një njeriu në Kosovë, apo një partie. Mirëpo, më duhet të them që aktualisht kemi probleme në komunikim me kryeministrin [e Kosovës, Albin Kurtin]. Dhe jo vetëm SHBA-ja, është problem që e ka Kosova edhe me BE-në, NATO-n, Mbretërinë e Bashkuar dhe më shumë partnerë, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”. Se këto mospajtime ekzistojnë edhe me vende të BE-së është konfirmuar para pak dite edhe nga i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, se “Rruga që po ndjek Kurti mund të mos jetë e mirë për afrimin e Kosovës me BE”.
Ndërkohë gjatë gjithë kohës zyrtarë qeveritar deklaronin se ky vendim është marrë nga një autoritet i pavarur kushtetues. Madje numri dy i Qeverisë së Kosovës, i pat akuzuar diplomatët ndërkombëtarë për standarde të dyfishta.
Sepse sipas tij “Kushtetuta e Kosovës ose duhet të zbatohet në tërësi ose të mos zbatohet, nuk ka logjikë që në njërin rast të ketë insistim të bashkësisë ndërkombëtare që Kushtetuta duhet të zbatohet në tërësi siç është rasti i tokës për manastirin e Deçanit, pastaj kur është puna te neni 11 i Kushtetutës që thotë se ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë të njëjtit miq të thonë këtë mos e zbato”.
Mirëpo, pikërisht plotësimi i këtyre“standardeve të dyfishta” ndërkombëtare nga ana e Kryeministrit Kurti për regjistrimin e 24 hektarëve tokë si pronë e Manastirit të Deçanit, duket sikur ka ndikuar që nga dje të relaksohen raportet ndërmjet shteteve partnere dhe Qeverisë së Kosaovës.
Gabriel Escobar gjatë prononcimi për media pas takimit me presidenten Osmani pohoi se “ vendimi i sotëm për Manastirin, ishte hap i domosdoshëm, i falenderojmë institucionet e Kosovës për këtë hap”.
Po ashtu, me tone pozitive për këtë vendim u shkreh edhe Ambasadori gjerman në Prishtinë Joern Rohde, ka shkruar në rrjetin e tij social se “edhe pse zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Deçanin qe vonuar shumë, ai shënon një hap të rëndësishëm në përkushtimin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit. Ne i përgëzojmë qeverinë e Kosovës, të gjithë aktorët politikë të përfshirë dhe Manastirin e Deçanit për këtë moment historik” .
Ndërkohë, i sapoemëruar i Britanisë së Madhe në Kosovë, Jonathan Hargreaves, vendimin e qeverisë së Kosovës për Manastirin e Deçanit, e quajti guxim politik dhe përkushtim për sundim të ligjit. I kësaj natyre ishte edhe reagimi i Shefit të BE-së Tomas Szunyog. Ai ka deklaruar “Pas një pritje të gjatë, implementimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese i vitit 2016 për rastin e tokave të Manastirit të Deçanit u bë realitet më në fund. BE-ja bazohet në sundimin e ligjit. Ruajtja e sundimit të ligjit dhe respektimi i pavarësisë së gjyqësorit janë parakushte të nevojshme për rrugën e Kosovës drejt BE-së. Vendimi i sotëm është një hap i mirëpritur, i cili tregon përkushtimin e Kosovës”.
Të gjitha këto reagime të diplomatëve ndërkombëtarë për vendimin e djeshëm të Kryeministrit Kurti, duket sikur se flasin për një “pajtim” momental politik dhe diplomatik të tij me disa nga shtetet perëndimore dhe për një relaksim të raporteve ndërmjet tyre.
/TV Arbëria