Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A rrezikon të eskalojë situata në Lindje të Mesme nga shpërthimi i pajisjeve elektronike që përdorshin nga Hezbollahu?

A rrezikon të eskalojë situata në Lindje të Mesme nga shpërthimi i pajisjeve elektronike që përdorshin nga Hezbollahu?

Shkruan: Afrim Kasolli

Më se 20 të vdekur dhe qindra të plagosur është bilanci i valës së re të shpërthimeve të pajisjeve të komunikimit, kryesisht të radiolidhjeve dhe pajisjeve solare, të pjesëtareve të Hezbollahut në Liban. Ky episod pason eksplodimet e një dite më herët të disa pajisjeve të tjera, të quajtura pejxherë që po ashtu përdoreshin për komunikim të brendshëm nga pjesëtarët e kësaj organizate. Në mesin e 1000 mijë shpërthimeve cak i eksplodimeve ishte edhe Ambasadori i Iranit në Liban. Po ashtu si pasojë e këtij sulmi numri i viktimave shkoi në 9 persona, kurse i të plagosurve deri në 3000.

Analistë të ndryshëm ndërkombëtarë e kanë quajtur të jashtëzakonshëm dhe të paprecedent këtë shpërthim në të njëjtën kohë dhe në kësi përmasa kaq masive. Kurse vetë zyrtarët e Hezbollahut kanë pohuar se kjo ngjarje paraqet shkeljen me të madhe të kodeve të sigurisë që u kanë ndodhur deri më tani.

Mënyra, se si janë orkestruar këto aksione ka ngritur dyshime se ato mund të jetë rezultat i shërbimit sekret të Izraeli-Mosad. Ndonëse, ky shtet ka refuzuar t’i komentojë këto pretendime. Dhe këtë qasje kohën e fundit është duke e ndjekur në vazhdimësi. Tel Avivi refuzoi ta pranonte se atentati ndaj drejtorit të Buros Politike të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Tehran ka qenë vepër e tij, përkundër faktit se kësi operacione kaq sofistikuara mund të realizojnë vetëm shërbime ekstra të specializuara.

Sidoqoftë, ky shpërthim po ndodh në një kohë, kur janë duke u zhvilluar përpjekje intensive diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit ndërmjet Izraelit dhe grupit palestinez Hamas. Në funksion të këtij qëllimi ka udhëtuar drejt Egjiptit edhe Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken për t’u takuar me ministrin e Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty. Kjo është vizita e tij e dhjetë në Lindje të Mesme, që nga 7 tetori i vitit të kaluar. Befasisht, për herë të parë shefi i diplomacisë amerikane nuk ka planifikuar ta vizitojë Izraelin.

Në këtë kontest, janë shtuar dyshimet se këto veprime do të mund ta përshkallëzojnë edhe më shumë situatën në rajon. Ku tashmë lufta të përhapet edhe në kufijtë verior të Izraelit në mes të Hezbollahut dhe këtij shteti. Madje ka edhe të atillë që këtë përshkallëzim e kanë konsideruar edhe si minim që Izraeli është duke i bërë përpjekjeve diplomatike të SHBA-ve për të siguruar një armëpushim në rripin e Gazës. Madje në masë të madhe këtë e ka bërë të qartë edhe vetë kryeministri Benjamin Netanyahu, kur ka deklaruar se qëllimet e tij të luftës tashmë nuk fokusohen vetën në Gazë për zhdukjen e Hamasit, por ato janë zgjeruar edhe në drejtim të rikthimit të qytetarëve izraelitë që kanë ikur nga zonat afër kufirit me Libanin nga shtëpitë e tyre, për shkak të sulmeve të Hezbollahut. Kurse, ministri i Mbrojtjes Yoav Gallant, ka pohuar se tashme kemi hyrë në një “epokë të re të luftës”.

Në anën tjetër edhe kredibiliteti i Hazbollahut varet në masë të madhe nga hakmarrja kundër Izraelit. Mirëpo, këto operacione zbuluan dobësinë e kësaj organizate. Dhe kjo gjë është vërejtur edhe me rastin e atentatit ndaj njërit prej komandantëve më të lartë të Hezbollahut, Fuad Shukr. Pas këtij eliminimi, grupi në fjalë kishte lansuar një valë të raketave në drejtim të territorit të Izraelit, duke pretenduar se ka goditur edhe disa objekte vitale, sikur se ndërtesën e Mosad-it, pretendime këto që janë mohuar kategorikisht nga autoritetet e këtij shteti.

Në këtë kontekst, sipas mediave ndërkombëtare, këto veprime dëshmojnë për një infiltrim dramatik të Izraelit në kapilarët e kësaj organizate, duke e ekspozuar dobësinë e saj. Për më shumë shumica e atyre që i përdornin këto pajisje ishin oficerë të lartë të Hezbollahut, që e formonin boshtin e grupit dhe jo luftëtarë të thjeshtë. Rrjedhimisht, mundësia e reagimit ndaj këtij poshtërimi mbetet minimale në këtë fazë.

Mirëpo këto zhvillime tregojnë që as shteti i izraelit nuk është i interesuar në këtë fazë për ndonjë marrëveshje paqeje as me Hamësin. Madje, Netanyahu, luftën kundër këtij të fundit e ka projektuar strategjikisht si pjesë e një lufte më të gjerë kundër Iranit dhe forcave proxy të tij në rajon, si kundër Hezbollahut në Liban, të cilën tashmë e ka filluar , grupit rebel Huthi në Jemen, si dhe milicive të armatosura në Irak. Por, realizmin e këtyre objektivave ai është i vetëdijshëm se nuk mund ta bëjë pa mbështetjen e SHBA-ve, madje edhe me shpresën për ta përfshirë këtë të fundit në luftë kundër Iranit, si pjesë e një lufte më të gjerë regjionale.

Prandaj, tashmë është në pritje të rezultate zgjedhore presidenciale në Amerikë, duke kalkuluar se nga një fitore eventuale e kandidatit republikan Donald Trump, do ta ketë më të lehtë për ta realizuar këtë skenar. Deri atëherë as një marrëveshje për paqe nuk ka gjasa të jetësohet. /TV Arbëria

Themes by WordPress