Shkruan: Afrim Kasolli
Nëse vendet perëndimore e kanë përshëndetur fundin e regjimit të Bashar al-Assadit në Siri, megjithatë nuk është se po mungon ankthi dhe shqetësimi mbi atë që mund ndodh pas këtij kolapsi të vetëtimshëm. Nuk ka dyshim se përmbysja e sundimit mbi 50 vjeçar të dinastisë familjare të Assadit, shënon një pikë kthese për të ardhmen e këtij vendi, por jo çdo gjë duket e qartë dhe e sigurt. Përkundrazi, frika se mund të rikthehen konfliktet ndër sektare është bërë më evidente se kurrë më parë, si për shkak të konfiguracionit të shoqërisë siriane, të intervenimit të aktoreve rajonalë gjeopolitik, ashtu dhe antagonizmave që mund të shfaqen në ndarjen e pushtetit ndërmjet grupeve kryesore opozitare që ishin vendimtare rrëzimin nga froni të Bashar al-Assadit.
Është thënë nga shumë analistë ndërkombëtarë se ndryshimet e befasishme në Siri janë pasojë e zhvendosjes së balancave të pushtetit për shkak të fokusimit të Rusisë në luftën e Ukrainës si dhe dobësimit të grupeve të armatosura në rajon, kryesisht Hezbollahut nga lufta me Izraelin. Sepse fal mbështetjes nga këto dy shtete, regjimit i Bashar al Assadit ia doli që ta mbijetojë luftën 13 vjeçare civile duke shkaktuar mbi 500.000 viktima dhe mbi 14 milionë të zhvendosur. Natyrisht, një faktor tjetër që e kishte zbehur kundërshtimin perëndimor ndaj sundimit në fjalë, ishte edhe degjenerimi i kësaj luftë në ushqim për terrorizmin islamik. Në territorin e saj lindi shteti i ISIS-it, në drejtimin e Abu Bakr al-Baghdadi. Kjo ndikoi që vëmendja perëndimore të fokusohet me shumë në çmontimin e këtij rreziku për njerëzimin shumë herë më të madh, se sa shtypja brutale e Assadit për popullin sirian. Për me tepër sundimi i këtij të fundit filloi të shihet si më i pranuar përballë tmerreve të Kalifatit. Dhe përpos Moskës dhe Iranit edhe shtetet tjera në Lindje të Mesme u pajtuan për vazhdimin e sundimit të të njëjtit regjim. Madje, sipas burimeve të Reuters-it edhe administrata Biden, me ndërmjetësimin e Emirateve të Bashkuara Arabe, ishte pajtuar për suspendim të sanksioneve ndaj Sirisë, me kusht që Bashar al-Assad, ta distanconte veten nga Irani dhe t’i bllokonte arteriet e furnizimit me armatim për Hezbollaun.
Ndërkohë, vetë grupi më meritor në ndryshimet e fundit mbetet Hayat Tahrir al-Sham (HTS), i cili po ashtu ka origjinë në ato struktura te ekstremizmit islamik. Ndonëse, kohën e fundit, drejtuesi i tij Abu Mohammed al-Jolani, ishte përpjekur maksimalisht ta distanconte vetën nga kjo trashëgimi. Dhe të shfaqej si një lider i pranuar për të gjitha shtresat shoqërore të Sirisë, duke mos përjashtuar as të krishterët siriane si dhe sektin alavit, që zakonisht kishin qenë baza e fuqisë së regjimit në Siri. Mirëpo, nuk janë vetëm luftëtarët nën komandën e tij që i dhanë goditjen fatale Assadit. Po ashtu, një rol vendimtar kishin pasur edhe Forcat Demokratike Siriane të dominuar nga kurdët, si dhe Ushtria Kombëtare Siriane, e mbështetur nga Republika e Turqisë. Dhe veçanërisht trupat e SDF ishin mbështetur në masë të madhe nga amerikanët në luftë kundër ISIS-it në terren. Kurse Ushtria Kombëtare Siriane ishte krijuar në masë të madhe nga Turqia për të neutralizuar ndikimi e SDF-it, sepse këtë të fundit Ankaraja zyrtare e konsideron si zgjatim të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit dhe rrezik për sigurinë e saj nacionale. Në këtë kontekst, mënyra se si do të ndahet pushteti ndërmjet këtyre grupeve do t’i përcaktojë në masë madhe mundësitë e luftës dhe paqes në shtetin post-Assad. Kështu, Republika Turke është kategorikisht kundër fuqizimit të Forcave Demokratike Siriane. Madje, sipas ndodhive të fundit, ndonëse nuk është e qartë e ardhmja e raporteve ndërmjet HTS dhe SDF, megjithatë shenja të përplasjeve janë duke u vërejtur ndërmjet këtyre të fundit dhe Ushtrisë Kombëtare Siriane të mbështetur nga Republika Turke. Këto përplasje gjatë tri ditëve të fundit janë zhvilluar në qytetin Manbij.
Me këtë rast, zhvendosja e konfliktit në këto linja mund të shërbejë si humus pjellor për rishfaqjen e rrezikut nga Shteti Islamik. Sepse shkatërrimi në terren i këtij të fundit ishte pasojë, siç thamë kryesisht e luftës në terren të Forcave Demokratike Siriane, të dominuar nga kurdët. Ky grup sot kontrollon deri në 25 për qind të territorit të këtij shteti dhe shumica e luftërave të ISIS, sipas mediumit “the Guardian, mbahen në burgjet që administrohet nga ky entitet. Dhe nëse shpërthen një luftë ndërmjet tij dhe forcave tjera të armatosura opozitare, kryesisht të mbështetur kryesisht nga Turqia, atëherë është iluzion se do të mund të mbahen në kontrolli “portat e ferrit” xhihadist.
Janë këta skenarë apokaliptik që i kanë alarmuar tej mase strukturat e sigurisë në shtetet perëndimore. Në këtë mënyrë, as Kosova nuk mund të jetë imune nga ky rrezik dhe kaos hipotetik. Të gjithëve na kujtohet, se si qytetarë nga Kosova ishin rekrutuar nga kjo organizatë. Thuhet se numri total i tyre duke përfshirë gratë dhe fëmijët që patën shkuar në zonat e luftës ne Siri ishte 402. Shumë nga ta kanë rënë në frontet e luftës. Kurse disa të tjerë janë rikthyer. Prandaj është me rëndësi që vendi i ynë të jetë i përgatitur nga çdo kthese e papritur që mund të marrin zhvillimet në Siri. Sepse siç është dëshmuar, nuk ka luftë që ka pasur më shumë implikime ndërkombëtare se sa kjo e fundit./tvarbëria/