Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po zhytet Siria dhe Lindja e Mesme drejt një kaosi edhe më te madh?

A po zhytet Siria dhe Lindja e Mesme drejt një kaosi edhe më te madh?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Pak ditë pas rrëzimit të diktatorit sirian Bashar al-Asadd-it në shkrimin “Siria ndërmjet agimit të ri dhe kaosit të mundshëm” pata paralajmëruar se revolucioni që i dha fund dinastisë 50 vjeçare të familjes se Assad-it, krahas që shënonte një mundësi për rifillim të ri për atë shtet të shkatërruar nga luftëra civile mbi një dekadë, po ashtu, nuk përjashtohej as rikthimi i konflikteve edhe më të ashpra për shkak të luftërave sektare dhe ideologjike. Dhe se ky skenar mjerisht sot po duket më real se kurrë.

Sipas mediave ndërkombëtare, që nga data 6 mars kanë shpërthyer luftime të ashpra ndërmjet forcave besnike të Assasd-it dhe atyre të sigurisë së Qeverisë së Sirisë, i cila drejtohet nga lideri rebel i shndërruar në president të përkohshëm Ahmed al-Sharra –në provincën bregdetare Latakia. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR), me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, ka pohuar se më 8 mars i ka identifikuar 745 civilë që i përkasin pakicës alavite të vrarë në luftime, përfshirë “ekzekutime në terren” nga “forcat e sigurisë së Sirisë dhe grupet aleate”. Observatori po ashtu bënë të ditur se më shumë se 1.000 njerëz janë vrarë gjatë dy ditëve të fundit, duke përfshirë 125 pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 148 luftëtarë besnikë të regjimit të rrëzuar të Assadit. Në Homs, Latakia dhe Tartus është vendosur orë policore, për shkak të luftimeve të vazhdueshme, dhe guvernatori i Latakias ka njoftuar se energjia elektrike është ndërprerë plotësisht në këtë provincë.

Kam shkruar dhe në artikullin e cituar se ardhmja paqësore e Sirisë në masë të madhe do të varet nga një pajtim ndërkombëtar dhe i brendshëm për fatin e saj. Sepse si mbijetesa e Asasad-it edhe përkundër krimeve monstruoze që kishte kryer për më shumë se 13 vjet gjatë luftës civile, pa përjashtuar terrorin e gjatë mbi 40 dekada, ishte varur nga këto konstilacione. Ai gëzonte mbështetje nga Rusia, Irani dhe grupi Hezbollah, si dhe nga sekti i brendshëm alavit por edhe të krishterët sirianë, sepse natyra e regjimit të tij i takonte diktaturave shekullare. Mirëpo, lufta e të parës në Ukrainë, demolimi i forcave të Hezbollahut nga Izrelai, si dhe rrënimi ekonomik i vendit për shkak të sanksioneve ndërkombëtare, e krijoi terrenin për suksesin e befasishëm të grupi islamik Hayat Tahrir al-Sham (HTS), nën drejtimin e liderit të tij ikonik, Abu Mohammed al-Jolani. Nw kwtw kontekst, sot nuk do të thotë se janë tejkaluar ato shkaqe të krizës. Vendi vazhdon të jetë i ndarë në zona te veçanta ushtarake të dominuar nga fraksione sektare, sikur, Ushtria Kombëtare Siriane, e mbështetur nga Republika e Turqisë, Forcat Demokratike Siriane të dominuar nga kurdët, Armata e Lirë Siriane e mbështetur nga SHBA-të etj.

Në anën tjetër Izreali i ka shtuar zotërimet e tij territorialen edhe më shumë në thellësi të shtetit. Thuhet se ato janë të vendosura rreth 20 kilometra larg kryeqytetit, duke i shënjestruar sidomos asetet ushtarake dhe duke kërkuar çmilitarizimin e jugut të Sirisë. Kurse mijëra zyrtarë shtetërorë që kryesisht i kanë takuar sektit alavitë që kishin baza kryesore e mbijetesës së regjimit të Assadit, aktualisht ndodhen në “tokën e askujt”. Shumë nga ta e kishin formuar aparatin represiv për shkak të instrumentalizimit që u kishte bërë regjimi në fjalë duke i përdorur si “mish për top” më pretendimin se nëse nuk do të ishte në pushtet ajo dinasti familjare, atëherë një gjë e tillë do të shënonte edhe fundin e tmerrshëm të tyre. Prandaj, shumë nga pjesëtarët e këtij sekti sot mund të jenë cak i reaksionit hakmarrës, çfarë mund ta ushqejë ciklin vicioz të dhunës që edhe po e shohim këto ditë. Mirëpo, krahas, këtyre shkaqeve internale të krizës këtu një rol tjetër në eskalimin e saj janë duke luajtur edhe faktorët rajonalë.

Mediat ndërkombëtare kanë përmendur veçanërisht ndikimin e Iranit. Madje para pak dite, ministri i Jashtëm i Turiqisë, Hakan Fidan, e ka paralajmëruar Iranin kundër “përpjekjeve për ta sfiduar qeverinë e re siriane duke i fuqizuar grupet që i kundërvihen asaj”. Kurse në një vizitë para pak ditë në Arabinë Saudite, Marco Rubio e ka pohuar se nuk mund të ketë stabiltetet në Lindje të Mesme, për aq kohë sa regjimi teokratik në Teheran mbetet i pandëshkuar. Sipas top-diplomatit amerikan, pas çdo akti të dhunës, apo forcave terroriste, qëndron regjimi i Iranit. Ndërkohë, Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se i ka dërguar një letër liderit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, duke i propozuar bisedime për arritjen e një marrëveshjeje lidhur me programin bërthamor të Teheranit. Si dhe e ka paralajmëruar atë se do të përballet me përgjigje ushtarake, nëse nuk pranon arritjen e një marrëveshjeje për programin e saj bërthamor.

Në anën tjetër kohë më parë, Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, kishte deklaruar se jemi përballë një ndryshimi radikal të balancave të fuqisë në Lindje të Mesme. A mund të jetë Siria shkëndija e një zjarri flakët e së cilës mund të bëhen shumë shpejt tipari i regjionit?