Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po zhytet Gjermania në një krize politike pa shtegdalje?

A po zhytet Gjermania në një krize politike pa shtegdalje?

Shkruan: Afrim Kasolli

Gjatë ditës së djeshme, Qeveria e drejtuar nga kancelari Olaf Scholz e ka humbur votëbesimin në Parlamentin Gjerman. Me këtë akt i hapet rrugë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në fund të muajit shkurt në vitin 2025. Praktikisht, Shcholzi e kishte udhëhequr një qeveri të pakicës që nga data 6 nëntor, për shkak të mosmarrëveshjeve me partnerët e koalicionit për masat ekonomike që i nevojiten vendit.

Mirëpo, gjatë fjalimit në Bundestag, duke mbrojtur arritjet e tij, ai ka prekur edhe njërin nga shkaqet e kryesore të krizës politike gjermane. Dhe që si e tillë vetëm sa do të vjen duke u thelluar gjatë viteve në vijim. Për më shumë ajo paraqet thembrën e Akilit, të kontradiktave të këtij shteti, e që është shndërruar në një terren pjellor për fuqizimin elektoral të rrymave ekstreme, si në kampin e së djathtës ashtu edhe së majtës.

Më këtë rast, Olaf Scholz, deklaroi se “kur flasim për fuqinë punëtore nga jashtë, të gjithë e dimë se nuk mund t’ia dalim pa të. Këtë na e thonë kompanitë, spitalet dhe shtëpitë e kujdesit shëndetësor. Këtë na thonë edhe punonjësit për kolegët e tyre me sfond migrimi. Prandaj, jam i kënaqur që me në fund i kam dhënë Gjermanisë ligje moderne migracioni”. Me një fjalë, i kancelari tashmë në detyrë u tregoi hapur qytetarëve të vendit të tij, se nëse dëshironi ta mbani ritmin ekonomik të vendit, atëherë jeni peng nga ata edhe që mund të mos i doni.

Në një linjë pak a shumë u shpreh para pak dite edhe ministrja e Brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser. Ajo ka paralajmëruar se kthimi i refugjatëve sirianë mund të ketë pasoja serioze për sektorin shëndetësor të Gjermanisë. “Reparte të tëra të sektorit shëndetësor do të zhdukeshin nëse të gjithë sirianët që punojnë këtu do të largoheshin nga vendi ynë tani” – ka pohuar ndër të tjera Faeser, raporton DW. “Për ne është e rëndësishme që t’u ofrojmë sirianëve që janë këtu – ata që kanë një punë, që janë integruar, që nuk kanë precedentë penalë dhe fëmijët e të cilëve ndjekin shkollën – mundësinë për të qëndruar dhe për të kontribuar në ekonominë tonë” – shtoi ajo, disa ditë pasi rrëzimi i regjimit të al-Assad nxiti një debat në Gjermani mbi mundësinë e rikthimit të emigrantëve sirianë në vendin e tyre.

Sidoqoftë, varësia ekonomike e këtij shteti nga kjo kategori ka nxitur një revoltë të brendshme kulturore, çfarë edhe e shpjegon njërën nga arsyet e rritjes elektorale partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila parasheh politika të ashpra dhe rigoroze kundër emigracionit.

E këto antinomi nuk janë të rastësishme. Ato edhe shprehin pamundësinë e shtetit modern kombëtar, (e Gjermania është e tillë), për t’u adaptuar në kushtet e reja globale. Sepse sipas mendimtarit të njohur italian Giorgoi Agamben “shtet-kombëtar do të thotë shtet që e vendos vendlindjen (la nativita) në themel të sovranitetit të vet”. Me këtë formulë shteti-komb modern definohet mbi tri shtylla kryesore: “territori, shteti dhe lindja”. Një nexus i tillë e formon trinitetin e këtij entiteti. Mirëpo, kriza e tij ka ardhur në shprehje, si pasojë e shfaqjes masive të kategorisë së refugjatëve të të gjitha llojeve, qoftë të atyre që emigruan për shkaqe ekonomike, politike apo të të shpërngulurve për arsye të luftërave dhe spastrimeve etnike. Pra ajo reflekton kufizimet politike dhe juridike të kësaj strukture, për ta integruar, asimiluar dhe natyralizuar në mënyrë të menjëhershme këtë valë masive të të huajve që s’ishin të lindur në kuadër të vendit strehues. Sepse refugjati më shumë se askush tjetër e “shkatërron trinitetin e vjetër shtet-komb-territor”. Nga kjo çarje hovëzojnë edhe modelet ekstreme politike.

Për të shmangur presione të tilla, shtete të ndryshme kanë filluar ta shohin si model, marrëveshjen e mëhershme të kryeministres italiane, Georgia Meloni me kryeministrin Edi Rama, për strehimin e refugjatëve nga vendet e treta që synojnë Italinë, fillimisht në Shqipëri. Natyrisht, këtë opsion, e kishte përmendur edhe, partia opozitare gjermane CDU. Ajo ka paralajmëruar se të njëjtën gjë, që e ka bërë Italia me Shqipërinë, Gjermania do të bëjë me Ruanden. Në këtë mënyrë, azilkërkuesit e ndryshëm që e kanë cak këtë shtet, do të mbaheshin përkohësisht në Ruanda, deri sa të shqyrtoheshin kërkesat e tyre.. Po ashtu, edhe Austria është vënë në kërkim të një shteti jashtë BE-së për një marrëveshje të tillë. Preferenca për një zgjidhje të tillë ka shfaqur edhe kryeministri britanik, Keir Starmer. Ai ka deklaruar se qeveria e tij është e interesuar për një pakt për migracioni sikur ai i Shqipërisë me Italinë.

Sidoqoftë, kjo e fundit ka filluar të kontestohet nga gjykatat italiane. Mirëpo tensione të tilla shpërfaqin faktin e thellimit të antagonizmave të frymës së demokracisë pa të drejta dhe të drejtave pa demokraci. Ku gjithnjë e më shumë po fuqizohen ato parti qëndrimet e të cilave janë anë në kundërshtim me modelin e të drejtave liberale që mbrohen nga sistemi juridik dhe në anën tjetër këtij të fundit i mungon i përkrahja demokratike.

Një sfidë e tillë është bërë akute edhe në Gjermani, me AfD që po fiton gjithnjë e më shumë terren elektoral, por që disa nga qëndrimet e saj bien ndesh me parimet kushtetuese të këtij shteti. Sipas DW, “17 ekspertë juridik kanë konstatuar se kërkesa e mundshme për ndalimin e AfD-së ka perspektiva suksesi, duke marrë si shkas 100 deklarata të përfaqësuesve të këtij subjekti, veçanërisht për emigrantët”. Kundërthënie këto që dëshmojnë se një pjesë e substratit të vullnetit politik gjerman po formohet në antinomi me atë kategori që është jetike për nevojat ekonomike të vendit si dhe në kundërshtim me arkitekturen kushtetuese të shtetit. Çarje këto që janë shprehje një krize që ka gjasa të përkeqësohet edhe më shumë. /TV Arbëria

Themes by WordPress