Shkruan: Afrim Kasolli
Vizita e presidentit francez Emanuel Macron në Serbi dhe nënshkrimi i marrëveshjes për shitjen e 12 avionëve luftarakë Rafale, shënon vetëm hapin e fundit të Beogradi në drejtim të afrimit ekonomik me shtetet perëndimore. Vlera e kësaj kontrate thuhet të jetë dikund deri në 3 miliardë euro. Muajin e kaluar në Serbi kishte qëndruar dhe kancelari i Gjermanisë Olaf Sholz, me qëllim pajtimin e një momerandumi mirëkuptimi për partneritet strategjik lidhur me lëndët e para për rrjetin e prodhimit të baterive dhe makinave elektrike, siç është litiumi, rezervat e të cilit janë gjetur në luginën Jadar.
Madje, kancelari gjerman pat deklaruar se “litiumi do të jetë po aq i rëndësishëm për lëvizshmërinë në të ardhmen, ashtu sikurse ka qenë nafta deri më tani” . Presionet për sigurimin e këtij elementi jetik sidomos për nevojat e industrisë gjermane të automobilave, janë bërë imperativ strategjik, pas zotërimit të pjesës më të madhe të minierave të këtij minerali nga Kina. Sot thuhet se në nivel global, Kina i ka deri në 40 përqind të tyre. Ndërkaq, sipas mediumit të njohur DW sot një veturë elektrike e markës Volkswagen, e prodhuar në Gjermani kushton deri në 35 mijë dollarë dhe 16 mijë dollarë në Kinë, çfarë po ndikon që industria automobilistike e ekonomisë me të fuqishme evropiane të humb gjithnjë e më shumë terren në tregun botëror.
Në anën tjetër, duhet cekur se diskutimet ndërmjet presidenti serb Aleknsadër Vuçiq dhe atij francez Emenuel Macron, do të fokusohen edhe në planet për zhvillimin e energjisë bërthamore në të gjithë Evropën, ku Serbia po ashtu do ta ketë një rol specifik në këtë infrastrukturë, dhe përkrahjen e firmave evropiane si pjesë kyçe të politikës së tij të “autonomisë strategjike”, e cila kërkon të riformësojë rendin politik në të gjithë kontinentin”. Këto investime kanë ngritur shqetësimin mbi afirmimin e peshës specifike gjeopolitike dhe ekonomike të Serbisë në rajon , duke e shndërruar atë dhe presidentin serb si aktorin kyç të interesave evropiane, pavarësisht orientimit të tij politik autokratik.
Këto transaksione ekonomike janë interpretuar në mënyra të ndryshme, qoftë si shenjë e afrimit të Serbisë edhe më shumë me Evropën, apo vazhdim i driblimit të saj dual strategjik edhe më Rusinë edhe me Perëndimin. E deri në mjet për plotësuar interesat ekonomike të këtij të fundit më qëllim që ta zbeh presionin vendeve perëndimore për shpërfilljen e vlerave dhe standardeve demokratike.
Agjencia botërore e lajmeve Reuters shkruante se kontrata për blerjen e avionëve francez do të shënonte një zhvendosje të Beogradit nga Rusia si mbështetësi i saj kryesor historik i armatimit. Kurse mediumi tjetër Politico, pohonte presidenti serb dëshiron ta fitojë Perëndimin me premtimin për “arin bardhë” . Mirëpo sipas këtij mediumi, qëllimi i Aleksandër Vuciq, për t’u bërë lideri i preferuar i Brukselit po dështon për shkak të zemërimit të publikut dhe protestave masive kundër investimit në Lunginën Jadar.
Ndërkohë, Aleksandër Vuciq ka vazhduar lojën e tij të dyfishtë, duke i mbrojtur këto investime si shenjë e afrimit të tij me Evropën, por në anën tjetër duke i cilësuar këto protesta si komplot perëndimor për rrëzimin e tij nga pushteti, për çka edhe i është falënderuar Moskës për informatat e ndara me Serbinë për konspiracione të tilla.
Kurse sipas mediumit Danas nuk qëndron konstatimi i mediumit kroat Jutarnji List, se presidenti serb është lideri më i respektuar në rajon për perëndimin, sepse një gjë të tillë e dëshmon vendi i tij krejt margjinal në ceremoninë e Lojërave Olimpike. Mirëpo, Perëndimi është i detyruar të ketë me të marrëdhënie transaksionale.
Sidoqoftë, këto zhvillime bëhen edhe më alarmante për Kosovën, kur marrim parasysh faktin se Parisi dhe Berlini janë dy nga sponosorizuesit kryesorë të planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
Ndonëse, të dy vendet më të fuqishme të Bllokut Evropian, kanë deklaruar se i qëndrojnë prapa kësaj marrëveshje, megjithatë vështirë të jenë ato plotësisht neutrale, në një kohë kur Serbia sipas tyre është e dobishme për të përballuar si mungesat energjetike për shkak të sanksionimit të Rusisë si pasojë e pushtimit të Ukrainës dhe kufizimit të eskpancionist ekonomik të Kinës. E të mos flasim këtu edhe për furnizimin e ushtrisë së Ukrainës me vlerë deri në 855 milionë dollarë.
Në këtë mënyrë presidenti serb po e realizon edhe një qëllim strategjik, atë të zbehjes së presionin ndërkombëtar mbi Kosovën. Këtë e dëshmon edhe fakti se ai kaloi pa asnjë pasojë pas sulmit paramilitar të 24 shtatorit, kurse Kosova vazhdon të mbetet nën masa sanksionuese, e të qortohet në mes të Bogradit, sikur dje nga kryetari i Francës. Megjithatë edhe ky pozicion defansiv nuk është i rastësishëm. Sepse ishte një kohë kur, kryeministri Kurti ishte angazhuar maksimalisht për ta zhvendos këtë proces nga Shtëpia e Bardhë, me arsyetimin se Kosova nuk është Meksikë dhe për ta deleguar atë në këto qendra të vendimmarrjes evropiane. Fatkeqësisht, si pasojë e kësaj qasje naive, tashmë edhe proces i dialogut me Serbinë është shndërruar në mjet për ta mbajtur Kosovën të izoluar dhe bllokuar si dhe për ta afruar Serbinë me vendet të BE-së.
/TV Arbëria