Ani pse e gjithë skena ndërkombëtare janë deklaruar kundër hapjes së Urës së Ibrit, Qeveria e Kosovës në krye me Albin Kurtin, ka insistuar që kjo urë duhet të hapet edhe për qarkullimin e automjeteve, shkruan TV Arbëria.
Perëndimi rreth kësaj teme janë deklaruar kundër, pasi sipas tyre ky vendim duhet të merret në kordinim me ndërkombëtarët dhe kjo temë të jetë pjesë e procesit të dialogut Kosovë-Serbi.
Gjatë ditës së djeshme Kurti pati një takim me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutas ku ndër temat kryesore ishte edhe hapja e Urës së Ibrit.
Pas këtij takimi përmes një njoftimi nga zyra e kryeministrit të Kosovës, u njoftua se Qeveria e Kosovës insiston në hapjen e Urës së Ibrit. Përkundër kësaj KFOR-i shprehet se gjdo veprim që lidhet me urën duhet të merret përmes dialogut Kosovë-Serbi.
“KFOR-i gjithashtu mban një prani fikse në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth. Rikonfirmojmë se çdo vendim në lidhje me urën mbi lumin Ibër duhet të merret përmes dialogut politik dhe në mënyrë të koordinuar. Në këtë drejtim, ne vazhdojmë të mbështesim plotësisht dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në reagimin e KFOR-it.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe Departamenti Amerikan i shtetit, thonë se SHBA nuk mbështet asnjë lëvizje që lidhet me urën e Ibrit në këtë fazë.
“Shtetet e Bashkuara nuk mbështesin asnjë lëvizje për të ndryshuar statusin aktual të urës së Mitrovicës në këtë kohë,”, ka thënë një zyrtarë i DASH-it.
Gjithashtu së fundmi ambasadori amerikanë, Jeffrey Hovenier, në një intervistë për REL, ka deklaruar se ky veprim nga Kosova mund t’i rrezikojë ushtarët amerikanë.
“Ne besojmë se ky rrezik rrit kërcënimin, mundësinë e dhunës dhe problemet e tjera, si për komunitetin lokal, ashtu edhe për ushtarët e NATO-s, përfshirë ushtarët amerikanë që po punojnë për të siguruar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Ne e marrim shumë seriozisht çdo veprim që mund të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen e ushtarëve amerikanë që punojnë për të mbështetur Kosovën”, ka thënë ambasadori amerikanë në Kosovë.
Në ndërkohë përgatitjet për urën e Ibrit veçse kanë filluar madje janë përgatitur edhe raporte rreth stabilitetit të saj, ku Ministria e Infrastrukturës e ka publikuar një raport të tillë, i cili vlerëson se ura është e qëndrueshme dhe funksionale.
“Raporti konkludon se struktura e urës mbi lumin Ibër është stabile dhe funksionale, dhe mund të përdoret pa asnjë kufizim në ngarkesë,” ka thënë zv.ministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi në profilin e tij në Facebook.
Pas këtyre zhvillimeve për rreth urë janë shtuar pjesëtarët e KFOR-it, po ashtu edhe EULEX është deklaruar për shtimin e trupave ushtarakë rreth urës së Ibrit, ku thonë se patrullimet po bëhen për parandalimin e ndonjë situate të paparashikueshme.
“Për t’i paraprirë ndonjë situatë të paparashikueshme, Njësia e Formuar Policore e EULEX-it po kryen patrullime të rregullta mobile të zbulimit në baza 24/7, duke përfshirë – por pa u kufizuar në – afërsinë e urës. Dëshirojmë të theksojmë se EULEX-i nuk ka prezencë të vazhdueshme statike të sigurisë në urë”, thonë nga EULEX në një përgjigje për Insajderin.
Por krejt së fundmi Kurti deklaroi se rreth hapjes së urës do të vazhdojnë diskutimet dhe kordinimin me partnerët, gjithashtu potencoi se hapja e kësaj ure nuk është kundër askujt.
Se çfarë do të ndodh me urën e Ibrit, do të hapet apo jo mbetet të shihet në javët apo muajt në vazhdim.
Kujtojmë se pas zërave për hapjen e Urë së Ibrit dhe disa veprimeve nga autoritetet e Kosovës, nga Bashkimi Evropian janë paralajmëruar edhe masa të reja ndaj Kosovës, nëse vazhdohet me veprime pa u kordinuar me ndëkombëtarët. /TV Arbëria