Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > A po tenton të strehohet kryeministri Kurti përsëri në Bruksel për të ikur nga Uashingtoni?

A po tenton të strehohet kryeministri Kurti përsëri në Bruksel për të ikur nga Uashingtoni?

Shkruan: Afrim Kasolli

Gjatë ditës së djeshme kryeministri Kurti e tregoi edhe një herë hapur preferencën e tij për Brukselin në raport me Shtëpinë e Bardhë. Ai deklaroi se për të, Marrëveshja bazike e Brukselit ka përparësi në raport më Marrëveshjen e Uashingtonit, e cila ishte nënshkruar në shtator të vitit 2020, ndërmjet ish-kryeministrit të Abduallah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandër Vuciq, në prani të presidentit Donald Trump. Ai deklaroi se pret që të nënshkruhet e para dhe të zbatohet, për të cilën është përgjegjës më shumë se për tjera akorde. Po ashtu, kur u pyet për telefonatën e presidentit serb me presidentin e sapo zgjedhur Donald Trump, me një indiferencë të pashoqe pohoi se në pushtet ne SHBA edhe dy muaj është presidenti Biden, prandaj nuk ka pse të ngutemi. Në anën tjetër, një kohe kur hiç me larg se para dy dite liderët e shteteve evropiane u takuan në Budapest të Hungarisë, për të diskutuar mbi implikimet mundshme gjeopolitike dhe ekonomike që mund të ketë për kontinentin e vjetër rikthimi i kandidatit republikan në Shtëpinë e Bardhë.

Sidoqoftë, është i ditur qëndrimi i kryeministrit Kurti kundër Marrëveshjes së Uashingtonit që ai kishte mbajtur ndër vite. Fillimisht, ai ishte shprehur kundër një përfshirje më të madhe dhe aktive të SHBA-ve, në procesin e dialogut me arsyetimin se Kosova nuk është Meksikë. Dhe në saj të portretizimit të atij akordi si një gogol për shtetin ia kishte dalur që të kishte jo pak përfitime elektorale. Kurse, Kuvendi i Kosovës në një seancë plenare në gusht të vitit 2021, e kishte hedhur poshtë rezolutën e propozuar nga LDK-ja, që kërkonte zbatimin e kësaj marrëveshje. Natyrisht, në këtë “kryqëzatë” politike kundër superfuqisë më të madhe planetare, pa dyshim se atëbotë kryeministri Kurti e kishte edhe mbështetjen e disa shteteve evropiane.

Mirëpo, nëse ai fërkim kaloi pa shumë pasoja për shkak të ndryshimeve që ndodhen në SHBA, ku republikanët e humbën pushtetin pas pak kohe, situata sot është krejt ndryshe. Kurse administrata Biden kishte preferuar që edhe procesi i dialogut Kosovë-Serbi, të mbetej në binarët e Brukselit, ashtu siç është zhvilluar për më shumë se një dekadë. Prandaj, edhe njerëzit kryesorë të saj i kishin dhënë mbështetje planit franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Mirëpo, administrata e re Trump është në ardhje e sipër, për çka tash janë në pyetje katër vite, kuptohet nëse Albin Kurti do të jetë kryeministër pas zgjedhjeve të 9 shkurtit. Po ashtu, situata ndërkombëtare aktualisht është jashtëzakonisht më e përkeqësuar se sa gjatë mandatit të parë të tij. Me luftën në Ukrainë dhe në Lindje të Mesme tensionet gjeopolitike kane arritur kulmin. Ndërkohë, shumë analistë ndërkombëtarë kanë në pah preferencat e tij për të shpërfillur dhe neglizhuar lidhjet transatlantike dhe për t’u fokusuar më shumë tek raportet bilaterale me shtete të veçanta. Prandaj, shumë nga synimet që Donald Trump i ka proklamuar se mëton t’i arrijë sikurse ndalja e luftës në Ukrainë pritet që kryesisht të jenë ndërmarrje e tij “personale” sipas qasjes transaksionale.

Në këtë kontekst, as fati i dialogut të Kosvës nuk përjashtohet mundësia te jetë ndryshe. Ekzistojnë gjasat për organizmin e një procesi të ri paralel negociator ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkundër atij të Brukselit, sidomos kur marrim parasysh bllokadën ku është katandisur ky i fundit. Dhe nëse BE kishte dështuar të ishte më pro-aktive dhe efikase gjatë kohës së administratës Biden, që lirisht mund të thuhet se mbetet presidenti i fundit transatlantik, atëherë çfarë mund të pritet në kohën e presidentit Trump.

Po ashtu, edhe dy shtetet kryesore të Bllokut Evropian, të cilat edhe ishin sponosorizueset kryesore të marrëveshjeve të fundit, nuk janë në pozitën që ishin para katër viteve. Gjermania do të përballet me zgjedhje të parakohshme, më së largu në pranverë të vitit të ardhshëm, pas kolapsimit të Qeverisë së kancelarit Olaf Scholz. Ndërkohë, për shkak të frustrimit popullor me stganimin ekonomik të vendit partitë e ekstremit të djathë, sikur se AfD, janë duke fituar terren politik dita ditës. Edhe presidenti Emanuel Macron, nuk ndodhet në pozitë më të mirë. Zgjedhjet e fundit treguan se është cenuar tej mase legjitimiteti i tij politik qytetar. Shto këtu faktin, se këto vende janë në ankth nga tarifat e paralajmëruara tregtare nga Donald Trump ndaj mallrave të tyre, si dhe kërkesa gjithnjë e më e hapur se nëse dëshirojnë ta ruajnë NATO-në si strukturë të përbashkët të sigurisë kolektive, atëherë do të duhet t’i rrisin shpenzimet buxhetore, jo në 2 për qind të GDP, por në 3 për qind, çfarë do të ishte fatale për to, për shkak të situatës ekonomike që po kalojnë. Ose përndryshe nuk do ta gëzojnë sigurinë e Aleancës në këtë kohë kur kërcimet globale po marrin përmasa “apokaliptike”.

Ndërkohë, analistë të ndryshëm kanë ngritur alarmin se Kosova do të përballet më një presion shtesë nga administrata Trump për një marrëveshje sa më të shpejtë me Serbinë. Kështu shtegdalja nga këto tensione nuk mund të gjendet me anë të strategjisë së pritjes. Por më një angazhim intensiv për t’u mos u ndodhur para një fakti të kryer. Në fund të fundit, qasja e pritjes se mund të krijohen rrethana më të favorshme ndërkombëtare, mund të kthehet në bumerang fatal. Sepse ato edhe mund të përkeqësohen edhe më shumë, edhe siç realisht ka ndodhur. Po ashtu, edhe tendenca e kërkimit të strehimit nën ombrellën e Bruskelit për të kërkuar shtegdalje nga thirrjet amerikane në rrethanat aktuale mund te jetë fatale për Kosovën dhe një shpërblim për Serbinë. /tvarbëria/

Powered by WordPress