Shkruan: Afrim Kasolli
Dita e sotme ka filluar më një lajm sensacional të publikuar nga gazetari i njohur gjerman Michael Martens, sipas të cilit shumë shpejt kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bashkë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, po e nisin një “iniciativë të re të përbashkët me fokus mbi zgjerimin e BE-së”.
Me kwtw rast, i njëjti ka bërë të ditur që gjatë ditëve në vijim pritet ta bëjë publike më në detaje këtë nismë. Këtu duhet kujtuar se jo pak ditë më parë, gazetari Martens shkruante se si presidentja Vjosa Osmani është duke e përdorur “shantazhin” diplomatik amerikan në kërkim të mandatit të dytë për pozitën presidenciale, duke i “kërcënuar” deputetet e Kuvendit të Kosovës se nëse nuk do ta përkrahin kandidaturën e saj do të kenë telashe me administratën e Donald Trumpit.
Sidoqoftë, mbetet të shihet sesa janë të vërteta pretendimet e gazetarit të sipër përmendur për këtë nisme të çuditshme diplomatike ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë. Mirëpo, nëse ato janë të sakta mund të konsiderohen një anashkalim brutal i interesave shtetërore të Kosovës.
Këtu duhet kujtuar se integrimi i Serbisë në Bashkimin Evropian, përpos plotësimit të kritereve të brendshme, është i kushtëzuar edhe nga progresi sa i përket normalizimit të raporteve me Kosovën në procesin e negociatave që zhvillohen në Bruksel. Kwshtu, nuk mund të ketë Serbi evropiane pa ndryshimin e qasjes së saj ndaj Kosovës. Kurse çdo anashkalimi këtij fakti do të përçonte mesazhin se problemi nuk qëndron në Beograd,sepse për një gjë të tillë tashmë po pajtohet edhe Tirana, por në strategjinë bllokuese të Prishtinës që është bërë pengesë edhe për avancimin e Serbisë drejt proceseve euro-atlantike.
Megjithatë, në fakt është saktësisht e kundërta, sepse stagnimi i këtij vendi sa i pwrket kwsaj agjende është nga paaftësia e tij për t’u divorcuar nga Rusia . Prandaj një nismë e tillë vetëm sa do ta legjitimonte këtë politike duale të presidentit serb Aleksandër Vuciq.