Shkruan: Afrim Kasolli
Gjatë ditës së djeshme në Beograd qëndroi për vizitë djali i presidentit amerikan, Donald Trump. Me këtë rast, Donald Trump Jr, u takua me presidentin i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Lideri serb ka shkruar se gjatë këtij bashkëbisedimi e ka theksuar “rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike dhe politike ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara si rëndësinë e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve dhe projekteve të përbashkëta në vitet e ardhshme. Ky takim simbolizon angazhimin për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe punën së bashku për të adresuar sfidat globale”. Ndër shkaqet e këtij takimi janë përmendur planet për investime ekonomike të Trump Jr në Beograd. Ndërkohë, dhëndri i presidentit amerikan, veçse ka nënshkruar kontrata të kësaj natyre. Sipas këtij bashkëpunimi parashihet ndërtimi i “një kompleksi biznesor dhe rezidencial të Shtabit të Përgjithshëm, pjesë të të cilit janë shkatërruar si pasojë e intervenimit të NATO-s më 1999”.
Nuk ka dyshim, se ky takim vjen në një kohë kur më së shumti i nevojitet presidentit serb. Për ta restauruar imazhin e tij nuk mungoi as spektakli në një podcast me mysafirin. Vuçiq i lutet Zotit që presidenti Trump sa më parë ta shpëtojë botën duke e ndalur luftën në Ukrainë. Dhe po ashtu, flet për virtytet tij se si është një person që i qëndron besnik parimeve dhe bindjeve të veta e nuk bie pre e thashethemnajës së tjerëve.
Ndërkohë, ditë më parë i njëjti kishte zhvilluar një bisedë telefonike më presidentin e Rusisë Vladimir Putin. Dhe sipas tij, lideri rus u ka dhënë mbështetje të plotë autoriteteve shtetërore në Serbi. Për më shumë, Putini e ka siguruar se nuk e përkrah “revolucionin me ngjyra”. Prandaj, duke i kombinuar këto dy ngjarje ai ka shansin që të shfaqet para opinionit publik serb si i vetmi lider që gëzon mbështetje si nga Lindja ashtu dhe Perëndimi. Se ai mbetet partneri kryesor si i Uashingtonit ashtu edhe i Moskë, në një kohë kur po përballet me protesta të brendshme masive duke e kontestuar më shumë se kurrë më parë pushtetin e tij. Kjo valë e pakënaqësisë, siç dihet ka filluar që nga shembja e kulmit të stacionit hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor të vitit të kaluar, ku humben jetën 15 persona. Ky rast dhe të tjera si ky janë duke u perceptuar si shprehje tipike e modelit korruptiv të pushtetit në Serbi. Për të qetësuar situatën ditë më parë kishte dhënë dorëheqje kryeministrit i Serbisë Millosh Vuçeviq. Mirëpo, përsëri beteja kundër regjimit po vazhdon. Studentet kanë bllokuar hyrjet e Radio Televizionit të Beogradit si dhe atij të Novi Sadit, si dhe kanë bërë thirrje për një protestë gjithë popullore me 15 mars. Në anën tjetër, eksponentët e regjimit në fjalë, kanë paralajmëruar se situata mund te eskalojë dhe degjenerojë në dhunë.
Për më shumë, kryetari Aleksandër Vuçiq po i nënshtrohet edhe një presioni tjetër. Para dy dite gjykata Prokuroria e Bosnjës ka lëshuar urdhër ndalimi për liderin e serbëve të këtij shteti Milorad Dodik. Kurse ditë më parë i njëjti është dënuar me një vit burg dhe gjashtë vjet ndalesë të ushtrimit të detyrës së presidentit të Republika Serpskes. Ai akuzohet se me veprimet e tij po minon funksionalitetin e shtetit të Bosnje dhe Hercegovinës si dhe Marrëveshjen e Dejtonit. Ndaj këtij urdhër arresti ka reaguar dje presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në rrjetin e tij social, duke deklaruar se akte të tilla janë kundër paqes dhe kanë për qëllim destablizmin e shtetit të Bosnjës. Prandaj, Serbia kurrë nuk do të pajtohet me aksione të tilla.
Mirëpo, në këtë mënyrë ai është kundërvënë një thirrje tjetër amerikane, asaj të Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për t’i dënuar veprimet e liderit të serbëve të Bosnjës. Top diplomati amerikan nëpërmjet një postimi ne rrjetin social X, i kishte dënuar sjelljet e “presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, sepse ato po i minojnë institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës dhe po kërcënojnë sigurinë dhe stabilitetin e saj. Në fund Rubio, nuk kishte lënë pa u bërë “thirrje partnerëve në rajon që të bashkohen” me Amerikën per “të kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe destabilizuese”. Shihet qartë se kjo pjesë është e drejtuar ndaj Serbise dhe Aleksandër Vuçiqit. Sepse ky është i vetmi lider që ka leva ndikimi mbi drejtuesin e serbëve te Bosnjës. Për me tepër, e ka përdorur atë si karte për ta forcuar pozicionin e tij gjeopolitik rajonal, si dikush qe mund t’i mbajë nën kontroll forcat destruktive.
Në këtë kontekst, Aleksandër Vuçiq u pozicionua kundër interesave amerikane gjeopolitike në rajon, pikërisht në ditën ku po negocionte me njerëz të rrethit të afërt të presindentit Trump, për t’iu krijuar atyre akses ekonomik në Serbi. /TV Arbëria