Shkruan: Afrim Kasolli
Kur presidenti rus, Vladimir Putin, e kishte filluar atë që ai e quante si “operacion special” kundër Ukrainës, me qëllim “denazifikimin e saj”, po ashtu i kishte kërcënuar vendet tjera, kuptohet shtetet anëtare të NATO-së, që të qëndrojnë sa më larg kësaj lufte, sepse përndryshe do të përballen me një katastrofë të paparë në histori të njerëzimit.
Ky rrezik kurrë nuk ka qenë më afër se këto ditë. Shtetet perëndimore nuk është se kishin qëndruar larg kësaj lufte. Ato e kishin ndihmuar ushtarakisht, financiarisht dhe teknikisht ushtrinë e Ukrainës , por ishin përkujdesur që kjo luftë mbrojtëse të zhvillohet vetëm brenda territorit të këtij shteti, me qëllim që të frenohet ky agresion i Moskës.
Mirëpo, si duket që nga sonte kjo qasje balancuese do të ndryshojë. Presidenti amerikan Joe Biden dhe kryeministri britanik Keir Starmer, do të takohen në Shtëpinë e Bardhë për të vendosur për detajet e lejimit të Ukrainës për përdorimin e raketave me rreze të gjatë veprimi për të goditur në thellësi territorin rus. Ky takim e pason vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe Sekretarit të Jashtëm Britanik, David Lammy në Kiev.
Fjala është për raketat e tipit “Storm Shadow” të prodhim britanik, të cilat mund te jenë efektive deri në 250 km. Ato mund te godasin bunkerë, depo municionesh, aeroporte, dhe infrastrukturën tjetër, që do ta vështirosnin qasjen e ushtrisë ruse në frontin e luftës. Deri më tani këtij shteti nuk i është lejuar përdorimi i tyre, me arsyetimin se mund të eskalojë kjo luftë. Por sipas mediave ndërkombëtare tashmë dy liderët janë përcaktuar për ta kaluar këtë Rubikon.
Në këtë mënyrë, sot në njërën anë përfaqësuesi i “Shtëpisë së Bardhë”, ai i “10 Downing Street” nga Londra, si dhe mënyra se si do të reagoi homologu i tyre nga Kremlini do të vendosin për luftën dhe paqen, fitoren dhe humbjen, si dhe fatin e milionave njerëz në këtë planet. Ndërkohë, dje lideri rus ka deklaruar se nëse merret ky vendim, kjo do të thotë se vendet e NATO-s, Shtetet e Bashkuara dhe vendet evropiane, përfshihen drejtpërdrejt në luftën e Ukrainës. Kjo, natyrisht, do ta ndryshojë dukshëm vetë thelbin, natyrën e konfliktit”.
Shtetet tjera evropiane duket sikur janë jashtë loje në këto momente vendimtare, duke pritur në ankth se çka do të ndodhë. Ndonëse par pak ditë Shefi i CIA-së, William Berns, në një shfaqje të pazakontë në publik më drejtorin e Shërbimit Sekret Britanik (M16),Richard Moore, deklaroi se Perëndimi nuk ka pse frikësohet nga armët nukleare të Rusisë.
Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz po bënë thirrje për një konferencë paqësore për ti dhwnw fund kësaj lufte, ku do të përfshihej edhe Rusia. Mirëpo, si duket Londra dhe Uashingtoni, aktualisht po e përjashtojnë këtë opsion. I vetmi shtet që po e përkrah pa hezitim këtë skenar është Polonia
Ndërkohë, sipas shumë ekspertëve ushtarakë, ky ndryshim i pozicioneve ka ndodhur për shkak të gjendjes së pashpresë në të cilën ndodhet vija mbrojtëse e frontit në Ukrainë. Tashmë ajo është para kolapsit. Inkursioni në rajonin e Kursk-ut nuk dha rezultate. Përkundrazi, ushtria ruse ka depërtuar edhe më shumë në pjesën lindore të frontit, pas këtij inkursioni, duke zotëruar tashmë mbi 20 përqind të territorit të Ukrainës.
Në bazë të kushteve aktuale vendeve mbështetëse të Ukrainës tashme në tavolinë u kanë mbetur dy mundësi; ose të fillojnë bisedimet më Moskën, ose ta eskalojnë këtë konflikt, me shpresën se në këtë mënyrë do ta shtojnë presionin mbi Putinin për ta ndjerë koston e kësaj luftë në oborrin e shtëpisë së tij, pasojat e të cilit janë të pa parashikueshme./TV Arbëria