Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po shndërrohet Gjykata Kushtetuese në Maqedoni të Veriut në inkubator të krizës?

A po shndërrohet Gjykata Kushtetuese në Maqedoni të Veriut në inkubator të krizës?

Shkruan: Afrim Kasolli

Ka kohë që ka filluar një fushatë sistematike, herë e hapur e herë e fshehur, kundër përdorimit të zgjeruar të gjuhës shqipe në Maqedoni të Veriut. Dhe kjo qasje ka nisur të aplikohet në mënyrë tejet tinëzare. Sepse në njërën anë, kryeministri Hristijan Mickoski, deklaronte se është koha për një moratorium për çështjet etnike, kurse në anën tjetër ndërmerreshin vendime për abrogimin e përdorimit të gjuhës shqipe në vende publike. Standarde të tilla të dyfishta u shfaqen që nga rasti i largimit të tabelave në gjuhën shqipe nga kompania JP “Drazvni putevi”, sikur se në rastin autostradës Bllacë-Shkup.

Ndërkohë, kjo tendencë arriti kulmin nga shqyrtimi që ishte paraparë t’i bënte dje Gjykata Kushtetuese, në këtë shtet Ligjit për gjuhët. Pra pas shfuqizimit të balancuesit si një mekanizëm që rregullonte përfaqësimin etnik të komuniteteve në institucionet shtetërorë, radha i erdhi gjuhës shqipe. Ky Ligj e adresonte një përdorim të zgjeruar të gjuhës shqipe, duke “e përmendur atë në mënyrë specifike në nenin 2”,e ku edhe parashihej “përdorimi i gjuhës shqipe edhe në procese gjyqësore, në bankënota dhe në uniforma policore”.

Ndaj këtij avancimi atëbotë ishte kundër partia VMRO-DPMNE duke e bojkotuar seancën e plenare. Dhe njëra nga pikat ky kontestohet ky Ligj është pikërisht “rishikimi i dispozitave për dygjuhësinë në procedurat gjyqësore, duke rekomanduar që këto përcaktime të hiqen ose të kufizohen, për shkak të vështirësive teknike dhe administrative që mund të shkaktojnë”.

Inicimi i këtyre ndryshimeve ka marrë jetë sidomos që nga ardhja në pushtet partisë maqedonase VMRO-DPMNE . Ndërkohë, këtu duhet kujtuar se sa ishte në opozitë, kjo parti, manipulonte me sentimentet e frikës së qytetarëve maqedonas, se identiteti tyre ndodhet në rrezik, si nga Bullgaria ashtu edhe nga shqiptarët. Në rastin e parë, se nuk do t’i nënshtrohet kërkesës së Sofjes për ndryshime kushtetuese ku edhe etnia bullgare do të shndërrohej në kategori kushtetuese, kurse në rastin e dytë nga pushteti i madh që kanë fituar shqiptarët. Po ashtu, edhe ndër shkaqet e fitores masive të saj mbetet premtimi për të korrigjuar këto “padrejtësi historike”

Mirëpo, kjo intencë pashmangshëm se bie në kundërshtim me interesat e shqiptarëve dhe si e tillë mund të shndërrohet në burim të një antagonizmi të ri ndëretnik duke e rrezikuar ekzistencën e këtij shteti. Prandaj, me të drejtë kryeministri shqiptar Edi Rama, dje u shpreh se “se çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e Veriut nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese, nuk është çështje e ligjeve apo vullneteve të përkohshme të partive politike”.

E, ndaj këtij skenari me pasoja të pa parashikueshme, kanë reaguar edhe mbi 250 intelektualë shqiptarë, të cilët me anë të një letre të hapur i janë drejtuar Gjykatës Kushtetuese që të veprojë me profesionalizëm dhe jo me vendime të motivuara politikisht, sepse siç thonë, “vendimet arbitrare mund të sjellin pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike”. Ata kanë përkujtuar se e kaluara e punës së Gjykatës Kushtetuese ka shkaktuar “tensione dhe pakënaqësi, sa herë që ka marrë vendime të njëanshme dhe arbitrare, të cilat kanë sjellë pasoja të rënda në marrëdhëniet ndëretnike dhe kanë cenuar të drejtat kombëtare të shqiptarëve për barazi dhe drejtësi, të realizuara përmes rrugëve institucionale”. Ndërkohë, partia kryesore opozitare në taborin e shqiptareve BDI u pozicionua ashpër kundër suspendimit të neneve të caktuara të Ligjit për gjuhën, duke e shpallur nismën “rojet e gjuhës”.

Këto antagonizma e tensionuan situatën deri në prag të shpërthimit. Nën presionin e këtyre rrethanave Gjykata Kushtetuese nuk mori dje asnjë vendim, por u përcaktua vetëm për ta shtyrë seancën për këtë teme. Pra vetëm ta mbajë atë në ngërç, sepse votimi pro kërkesës për abrogimin e neneve që e kufizojnë përdorimin e gjuhës shqipe, do të ishte një atak mbi këtë komunitet, me implikime serioze politike. Kurse refuzimi i nismave që e kërkojnë një gjë të tillë do ta zemëronte komunitetin maqedonas, nga manipulimi i të cilit ka fituar VMRO-DPMNE.

Me këtë rast, Gjykata Kushtetuese u përcaktua për një “zgjidhje të mesme”. Për ta shndërruar vetën në një inkubator të krizës për një kohë të pacaktuar. Tashmë në këtë gjendje është edhe agjenda euro-atlantike e këtij shteti. /TV Arbëria

Themes by WordPress