Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > A po shndërrohet gjenerata e re në kërcënim për demokracinë?

A po shndërrohet gjenerata e re në kërcënim për demokracinë?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Është thënë shpesh se roli i gjeneratave të reja mbetet vital për ndryshime politike. Se pjesëmarrja dhe angazhimi i tyre publik e bëjnë një shoqëri më vibrante në aspektin demokratik, ekonomik dhe kulturor. Dhe se ky sistem ndjehet më e sigurt nga pasioni i të parëve për ta mbrojtur me çdo kusht

 

Mirëpo, duket sikur kohën e fundit ky disponim optimist është zbehur. Dhe pikërisht janë gjeneratat e reja që po formojnë një qëndrim më armiqësor ndaj demokracisë.

 

Në vitin 2023 hulumtim i opinionit publik i organizuar nga “Open Society Foundations” në më shumë 30 shtete të botës, sipas revistës prestigjioze britanike “The Economist”  ka nxjerr në pah disa të dhëna interesante.

 

Fillimisht, 86 për qind e respodentëve kanë pohuar se dëshirojnë të jetojnë në një regjim demokratik. Mirëpo, kjo pikturë shpresëdhënëse merr një pamje tjetër zymtore kur fokusohet sa i përket dallimeve ndërmjet gjeneratave.

 

Kështu, 57 për qind e brezit prej moshës 18 deri 35 vjeç, kanë deklaruar se demokracia për ta është e preferueshme, krahasuar me 71 për qind e atyre që janë mbi moshën 55 vjeçare, që mendonin se demokracia është forma më e duhur e qeverisjes politike. Po ashtu, sa i përket brezit prej 18 deri në 35 vjeç, 35 për qind e preferonin një sundim ushtarak, kurse 42 për qind e tyre kanë pohuar se nuk e kane telashe te jetojnë në një sistem ku liderët politikë emërohen pa zgjedhje dhe e konsiderojnë këtë të fundit si model adekuat politik.

 

Bie fjala, në SHBA, si vendi më demokratik në botë dhe lidere globale në mbrojtje të të drejtave dhe lirive njerëzore, 43 për qind e atyre që i takojnë brezit prej 18 deri në 35 vjet, besojnë se sundimi ushtarak është një formë e mirë e drejtimit të vendit.

 

Këto të dhëna tregojnë se si gjithnjë e më shumë po shtohet zhgënjimi mbi demokracinë tek brezi i ri dhe thjesht po gjene shtrat perceptimi  se ajo nuk po punon në mbrojte të interesave të tyre.

 

Këto linja ndarëse ndërmjet gjeneratave për të ardhmen e demokracisë janë jashtëzakonisht të theksuara edhe në vendet ku demokracia është relativisht e re. E, këto dallime sipas këtij hulumtimi kanë të bëjnë edhe me faktin, se gjeneratat e reja nuk kanë kujtime për regjimet diktatoriale, mungesën e lirisë etj, në dallim nga brezi i vjetër që kanë jetuar nën këto regjime dhe e kanë pasur rastin ta shohin dhe përjetojnë mrekullinë e lirisë dhe demokracisë.

 

Ndërkohë,  një tjetër hulumtim i Universitetit të Kembrixhi ka sugjeruar se gjeneratat e reja janë gjithnjë e më të pakënaqura me demokracinë në raport edhe me gjeneratat e të njëjtës moshë para 40 viteve. Nëse 18 deri në 35 vjeqarët para katër dekadave ishin në gjendje të vdisnin nga gjakimi për demokracinë,  sot brezi i të njëjtës moshë mund ta braktis atë me një lehtësi të padurueshme.

 

Për më tepër sipas këtij vlerësimi ekziston tendenca që kjo apati demokratike të shndërrohet në antipati demokratike duke u shfrytëzuar nga liderët populistë. Nuk është pra edhe rastësishme që në shumë vende aktorë jashtë sistemit e kanë dëshmuar vetën më efikas në mobilizimin e këtij brezi./TV Arberia

Powered by WordPress