Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po shndërrohet dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë në “fontanë dëshirash” diplomatike?

A po shndërrohet dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë në “fontanë dëshirash” diplomatike?

Shkruan : Afrim Kasolli –Që kur ka filluar dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, ka dominuar ideja që në fund të këtij procesi të dy vendet duhet ta pajtohen për një marrëveshje ligjërisht obligative. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë pohuar se ky akord final duhet të përfundojë me njohje reciproke, kurse Bashkimi Evropian është mjaftuar vetëm më idenë e normalizimit, pa e specifikuar njohën në qendër të marrëveshjes.

Mirëpo, që të jetë i mundur ky përfundim, thuajse të gjithë diplomatët ndërkombëtarë që kanë qenë të lidhur me procesin e dialogut, nuk kanë lënë pa përsëritur në vazhdimësi mesazhin e tyre se deri te ajo ditë të dy palët duhet të tregohen gjeneroze për kompromise.

Ndërkaq, në këtë “intermexo” për mbi një dekade janë propozuar disa opsione se si duhet të jetë konkretisht kjo marrëveshje. Që nga ato për një autonomi me të madhe për serbët lokalë, veçanërisht në pjesën veriore e deri tek projektet për këmbim të territoreve apo korrigjim të kufirit. Madje në funksion të së parës,  Kosova dhe Serbia në vitin 2013 e kanë nënshkruar Marrëveshjen e parë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre, me ndërmjetësimin  e ish-diplomates evropiane , baroneshës Catherine Ashton.

Marrëveshje kjo, e cila në gjashtë nenet e para të saj e parasheh themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe si një mjet për t’u siguruar serbëve lokale të drejta shtesë në këmbim pranimit të shtetit të Kosovës në fund të procesit. Kurse në vitin 2015 janë pajtuar mbi parimet e këtij entiteti. Mirëpo, disa nga nenet e kësaj marrëveshje u shpallen si anti-kushtetuese nga Gjykata Kushtetuese.

E kësaj natyre është edhe Marrëveshja bazë e Brukselit dhe plani i zbatimit në Ohër, i dakorduar ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuqic, me mbështetjen e shefit politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së Josep Borrell dhe të dërguarit të posaçëm të Brukselit për dialogun Miroslav Lajçak.

Sidoqoftë, propozimi për këmbim të territoreve apo korrigjim të kufijve, ka mbetur vetëm si një ide që në një fazë e kishte mbrojtur hapur mbase vetëm ish-Presidenti Thaci. Ish- shefi i shtetit këtë opsion e kishte parë si një mundësi ideale për t’i shmangur pasojat që mund të krijojë për rregullimin e brendshëm juridik dhe kushtetues themelimi i Asociacionit. Në disa prononcime ai kishte deklaruar se “krijimi i një Asociacioni të komunave me shumicë serbe pa njohje në Kosovë do të ishte gabim i madh dhe nisje e shpërbërjes së shtetit nga brenda. Asociacioni nënkupton Republikën Serbe në Kosovë. Dhe asnjë njeri në token e Kosovës nuk ka të drejtë të diskutojë për këtë Bashkësi”.

Ndërkohë, kësaj serie të propozimeve se si do të duhej të dukej Marrëveshja në mes Kosovës dhe Serbisë, kohën e fundit iu shtua edhe  propozimi i të dërguarit të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Stuart Peach. Diplomati i lartë britanik me karrierë prej ushtaraku, deklaroi  se dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të çojë drejt krijimit të një të ardhmeje multietnike dhe respekt të ndërsjellë. Më këtë ai ka nënkuptuar se rasti e zgjidhjes së problemit të Irlandës së Veriut, duhet të shërbej si model dhe si opsion në bisedimet Prishtinë-Beograd.

“Kjo [Marrëveshja e Belfastit] është një mësim i mirë për pajtim. Ka të bëjë me koncesione, me negociatat, por mbi të gjitha ka të bëjë me vazhdimin e dialogut”, kishte pohuar ndër të tjera Peach për Tanjug. Marrëveshja e Belfastit ndryshe njihet edhe si Marrëveshja e së Premtes së Mirë, përmes së cilës palët kundërshtare kishin gjetur zgjidhje në rastin e Irlandës së Veriut, 25 vjet më parë. Mirëpo, ky propozim është konfuz në shumëçka. Sepse siç dihet Irlanda e Veriut u krijua në vitin 1921 dhe mbeti pjesë e Mbretërisë së Bashkuar, pasi pjesa tjetër e Irlandës u bë shtet.

Prandaj, mbetet e paqartë se për Stuart Peach, a Veriu i Kosovës i ngjason Irlandës së Veriut, apo Kosova si tersi, sepse kjo e fundit ngjashëm si Irlanda e Veriut ka mbetur jashtë Shqipërisë që kur kjo e fundit u krijua si shtet në vitin 1912 dhe u njoh nga Konferencca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913. Me këtë rast diplomati britanik nuk e ka qartësuar idenë e tij se për çka konkretisht e ka pasur fjalën.

Sidoqoftë, kjo zvarritje mbi një dekadë e dialogut, mbase ka ndikuar që ky proces të shndërrohet në “fontanë dëshirash” diplomatike, ku për “plotësimin” e tyre gjithnjë e më shumë ka filluar të shihet si  mundësi organizimi i një Konference të “mbyllur” ndërkombëtare, sipas formës që dikur i organizonte Grupi i Kontaktit.  E deri te ajo ditë si duket do jetojmë në mes rrethit vicioz të tensioneve dhe planeve të shumëfishta se duhet të jetë ajo zgjidhja ideale.

/TV Arbëria