Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po shkon shteti i Kosovës drejt një situate pa shtegdalje?

A po shkon shteti i Kosovës drejt një situate pa shtegdalje?

Shkruan: Afrim Kasolli

Gjatë ditës së djeshme Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, e ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, se në mënyrën si po vepron po i minon qëllimet e saj strategjike për integrim në strukturat euro-atlantike. Pra në njërën anë synimi për t’u bërë pjesë e kësaj botë mbahet vazhdon të proklamohet si synim shtetëror strategjik, kurse në anën tjetër, Kosova po e izolon vetën gjithnjë e më shumë nga politikat e saj jo koordinuese dhe jo bashkërenduese në raport me entitet e këtij rendi politik. Këtë fakt ai shprehu në mënyrë siç tha edhe vetë të vrazhdë, duke e përdorur një sentencë nga përvoja popullore amerikane e cila thotë se “nuk duhet të urinoni në atë klub që dëshironi të hyni”.

Kuptohet, si njëri nga parakushtet kryesore që ky proces të ketë sukses është thënë prej kohësh se mbetet edhe progresi në dialogun me Serbinë. Dhe ky kusht ka qenë kriter qe kur ka filluar ky proces këtu e një dekadë më parë. Ai është konfirmuar edhe me dy marrëveshjet e fundit; atë Bazike të Brukselit si dha aneksin e zbatimit të saj të dekoduar në Ohër mbi normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sipas parimeve të planit franko-gjerman. Në tekstet e këtyre dokumenteve shprehimisht thuhet se “Kosova dhe Serbia pranojnë se mosrespektimi i obligimeve të tyre nga Marrëveshja, Aneksi ose Marrëveshjet e Dialogut të kaluar, mund të ketë pasoja të drejtpërdrejta negative për proceset e tyre përkatëse të anëtarësimit në BE dhe për ndihmën financiare që marrin nga BE-ja.

Me këtë rast, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe komunitetit euro-atlantik, janë acaruar jashtëzakonisht shumë kohën e fundit, ekskluzivisht edhe për shkak të zvarritjes së plotësimit të obligimeve që dalin nga këto detyrime. Bashkësia ndërkombëtare e ka ndëshkuar Kosovën, si për shkak të kësaj zhagitjeje ashtu edhe për shkak të aksioneve policore të vazhdueshme që ka ndërmarr në pjesën veriore kundër strukturave kriminale dhe ilegale në atë pjesë, të cilat janë trashëguar që nga përfundimi i luftës pas shpalljes së pavarësisë e deri më sot.

Mirëpo, sa më shumë që thellohet ky hendek ka rrezik qe pozicioni i Kosovës të përfundoj në një situatë pa shtegdalje. Madje edhe ato suksese që janë korrur në veri në luftë kundër strukturave të sipër cekruara, ekziston mundësia që të përmbysen. E tëra kjo, sepse ka kohë që është shndërruar frymë dominuese ajo mendësi , e cila sa më shumë që e kultivon retorikën e tensionit dhe përçmimit të koordinimit me bashkësinë ndërkombëtare veçanërisht me vendet e QUINT-it, aq më shumë fitohet popullariteti publik

Kam shkruar edhe me herët për këtë sindrom socio-politik. Ku deri sa në të kaluarën ekzistonte një përpjekje e partive politike për të dëshmuar para elektoratit se cila prej tyre i ka raportet më të mira dhe më të afërta me ndërkombëtarët, veçanërisht me SHBA-në, për të pasur edhe sukses të brendshëm, tashmë gara është zhvendosur në një theks tjetër, ku konfrontimi me të dërguarit e Uashingtonit, por jo vetëm, po shihet si parakusht për fitim të votave.

Mirëpo, e vërteta është se as veriu dhe as tejkalimi i ngërçit ndërkombëtar ku tashmë gjendet shteti i Kosovës, nuk mund të bëhet pa këtë partneritet. Kosova siç u dëshmua në këto katër vjet qeverisje, as edhe një njohje të vetme nuk ka mundur ta sigurojë pa këtë mbështetje. Ndërsa me thellim të këtij antagonizmi ajo mund t’i humb edhe shumë të tjera që tashmë i gëzon. Kurse vet veriu rrëfimi kryesor i pushtetit aktual, nëse dëmtohet ky relacion, nuk do të ishte asgjë tjetër, pos një qetësi para stuhisë.

Përfundimisht, që të përmbyllet me sukses projekti i shtetit të Kosovës, çdo pushtet nesër duhet të veprojë në kundërshtim me ato sentimente që janë shndërruar në kriter për afirmim të brendshëm politike dhe për sigurim të legjitimitetit demokratik. /tvarbëria/

Themes by WordPress