Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po shkon Kosova drejt destabilizimit?

A po shkon Kosova drejt destabilizimit?

Shkruan: Agron Hoti

Kosova ndodhet në një nga momentet më të rënda që nga paslufta. Paraliza e brendshme institucionale dhe izolimi ndërkombëtar po e shtyjnë vendin drejt një gremine, ndërsa politika (pushtet e opozitë) sillet sikur gjithçka është nën kontroll. Nuk është.
Pavarësisht rezultateve zgjedhore, vendi ka ngelur peng i një amullie të rrezikshme. Për gati një vit, Kosova është pa qeveri funksionale dhe pa Kuvend efektiv.
Institucionet janë shndërruar në fasadë, vendimmarrja është ngrirë dhe shteti ka humbur refleksin për të vepruar. Asnjë projekt zhvillimor nuk ecën, asnjë reformë nuk avancon, asnjë vizion nuk ekziston. Perspektiva euro-atlantike as që përmendet më.
Ndërkohë, rinia po ikën me shpejtësi alarmante. Edhe më tragjike është ikja masive e çifteve me fëmijë, një akt votimi me këmbë kundër këtij shteti. Ky nuk është emigrim ekonomik, por akt mosbesimi total ndaj së ardhmes së Kosovës.
Izolimi ndërkombëtar po e shtrëngon lakun edhe më shumë. Sanksionet perëndimore e kanë shndërruar Kosovën në një vend joatraktiv për investime. Investitorët e huaj janë zhdukur, rejtingu kreditor ka rënë dhe shteti po e humb aftësinë për të marrë financime për zhvillim. Kosova po rrëshqet drejt një ekonomie të paralizuar, pa oksigjen financiar.
Fundi i shkurtit 2026 është afati i fundit për miratimin e buxhetit të vitit 2026. Nëse ky buxhet nuk miratohet dhe vendi shkon sërish në zgjedhje, atëherë nuk do të flasim më për krizë politike, por për kolaps institucional. Një shtet që nuk miraton buxhet, që nuk ka qeveri dhe që riciklon zgjedhje pa zgjidhje, është shtet që ka humbur aftësinë për të qeverisur veten.
Në një situatë të tillë, shpërthimi i pakënaqësisë qytetare do të ishte i pashmangshëm. Protestat do të ishin vetëm çështje kohe. Mjafton një shkëndijë – si rritja e çmimit të energjisë – dhe vendi do të mund të përfshihet nga kaosi, në një gjendje ku “as qeni të zotin mund të mos e njohë”.
Një destabilizim i tillë do t’i shërbente drejtpërdrejt Serbisë. Në kushtet kur sovraniteti i Kosovës në veri është dobësuar ndjeshëm, nëse jo edhe humbur tërësisht, serbët e asaj zone do të mund ta shpallnin njëanshëm Samoupravnicën (autonominë), duke u thirrur në marrëveshjet e vitit 2023 në Ohër, ku Kosova në emër të patriotizmit kishte bërë lëshime të rënda politike.
Në një Kosovë të destabilizuar ose të dështuar, edhe bashkësia ndërkombëtare do ta kishte më të lehtë ta pranonte këtë realitet të imponuar, me justifikimin se serbët në veri “ndihen të rrezikuar”. Kjo do të ishte goditja përfundimtare ndaj sovranitetit të shtetit.
Ironikisht, ky skenar do të mund t’i konvenonte edhe vetë politikës së Kosovës. Pushteti dhe opozita, të pafuqishëm dhe të papërgjegjshëm për ta themeluar vetë Samoupravnicën në terren, sepse e dinë se është barrë politike e papërballueshme, do ta përdornin destabilizimin si alibi. Narrativa do të ishte e thjeshtë dhe cinike: “Vendi u destabilizua dhe nuk patëm mundësi ta parandalonim Samouprvnicën.”
Në këtë mënyrë, përgjegjësia do t’i hidhej kaosit, jo vendimmarrësve politikë. Nëse ky kurs nuk ndryshon urgjentisht, Kosova rrezikon të humbasë jo vetëm stabilitetin, por edhe arritjet themelore të periudhës 1999–2019: çlirimin, pavarësinë dhe gjithë procesin e shtetndërtimit. Një shtet nuk dështon brenda natës, por Kosova sot po i plotëson një nga një të gjitha kushtet për dështim. Uroj që politika e Kosovës, sado e papërgjegjshme që po tregohet, së paku ta miratojë buxhetin e vitit 2026 për ta shpëtuar vendin.