Shkruan: Afrim Kasolli
Kuvendi i Kosovës nuk ia doli të konstituohet as ditën e djeshme. Për dallim prej para dy ditësh, që ky proces u bllokua për shkak të mosvotimit të raportit të Komisionit për verifikimin e mandateve, gjatë ditës së djeshme, i njëjti nuk u hodh fare në votim nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, me pretendimin se mungon konsensusi për ta kaluar atë. Pas dështimit të parë, i njëjti kishte kërkuar përgjigje nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani se si të veprohet në rrethanat e reja. E para e shtetit në një përgjigje të shpejtë, duke u bazuar në aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese, i ka instruktuar deputetët se kanë “obligim që ta jetësojnë dhe jo ta bllokojnë formimin e institucioneve të shtetit”.
Prandaj, dje kryesuesi i seancës, i privoi këta të fundit nga kjo mundësi. Sepse rekomandimi i presidencës në mënyrë eksplicite pohon se është obligim i çdo deputeti, dhe si tillë ky detyrim mund të verifikohet vetëm me votim, e jo rezultat i aranzhmaneve të liderëve politike. Në këtë drejtim, shihet qartë se tashmë Albin Kurti, ka filluar ta shfrytëzojë armën politike, që ia dhanë në dorë partitë “opozitare” që në seancën e parë, duke mos e votuar raportin në fjalë. I pari mund të ketë ëndërruar dhe planifikuar lloj-lloj skenarësh për bllokim të konsititiumit të Kuvendit, me qëllim që t’i shmanget presionit të afateve kushtetuese për formimin e Qeverisë, por jo atë që ndodhi me 15 prill. Prandaj, tash lideri i Vetëvendosjes, do të tentojë ta mbajë peng këtë proces në maksimum me qëllim që ta shmang trysninë nga vetja. Ngase i njëjti do ta ruante pushtetin ekzekutiv edhe nëse shkohet në zgjedhje, për dallim nga deputet e Kuvendit, që rrezikojnë t’i humbin mandatet pa e filluar ende punën. A do të mund ta realizojë këtë skenar mbetet të shihet, mirëpo që pas përfundimit të zgjedhjeve ishte parë qartë se kryeministri Kurti, pasi kishte dështuar t’i siguronte 500. 000 vota, nuk ishte ndarë i kënaqur me fitoren e tij. Madje, me gjuhën që kishte përdorur ai u angazhua që ta pamundësonte çdo lloj partneriteti normal politik me njërën nga partitë shqiptare për ndërtimin e një koalicioni të paktën stabil në aspektin numerik.
Ndërkohë, si zakonisht në fund nuk la pa i mëshuar retorikës së tij të njohur, se Serbia është angazhuar maksimalisht për ta sabotuar krijimin e institucioneve të reja qeverisëse. Që të shfaqet si figurë konsensuale ai i dërgoi ftesë për takim konsultativ Lidhjes Demokrarike të Kosovës, por që e njëjta e refuzoi atë. Pra pikërisht kur dukej se kishte mbetur pa asnjë opsion në tavolinë, partitë “opozitare” ditën e parë të fillimit të punës së Kuvendit, ia ofruan një material ideal politik nën pretendimin e mbrojtjes së normave kushtetuese dhe ligjore. Dhe pa kaluar shumë kohë, këtë sjellje të tyre, lideri i Vetëvendosjes, e quajti sulm brenda institucional kundër Republikës së Kosovës dhe zgjedhjeve demokratike. Në këtë mënyrë, sipas të gjitha gjasave, Albin Kurti do të tentojë ta shtojë presionin kohor në maksimum ndaj partive “opozitare” me rrezikun e përsëritjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme, nëse dështon për t’u konstituar Kuvendi, 30 ditë pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e Kosovës. Dhe me anë të këtij shantazhi mëton t’i realizojë dy qëllime taktike. E para t’i detyrojë subjektet tjera parlamentare t’ia votojnë për kryeparlamentar një kandidat të zgjedhur nga Lëvizja Vetëvendosje, e jo siç ishte spekuluar se këtë pozitë po e kërkon partia NISMA për Kosovën. Ngase siç dihet formimi i Kuvendit nuk konsiderohet i finalizuar pa u votuar organet e saj përfaqësuese-kryetari dhe kryesia. Dhe në këtë mënyrë ta përjashtojë këtë pozicion nga negociatat për formimin e Qeverisë.
Por nuk duhet përjashtuar as skenarin zgjedhjeve te reja tre jashtëzakonshme pasi të konsumohen afatet kushtetuese për themelimin e Kuvendit me pretendimin e sipër përmendur se shteti mbetet i bllokuar nga “armiqtë e jashtëm e të brendshëm”.
Në këto rrethana, mund të jetë kalkulim i tij këto të fundit nuk do t’iu konvenonin sidomos partive “opozitare”. Dhe ky supozim mund të jetë real. Partia Demokratike e Kosovës me Bedri Hamzën, si kandidat për kryeministër e ka siguruar maksimumin e votave që mund ta ketë. Për më shumë koncentrimi i votave kryesisht në kandidatët me origjinë nga Drenica dhe Prishtina, ka krijuar zemërim në pjesët tjera të Kosovës. Sepse ka ngjallur përshtypje te elektorati tjetër i kësaj partie se po shërben vetëm si trampolinë për të përfituar politikisht ata që janë të lidhur me rajonin e Drenicës dhe grupin Bon Vivant.
Prandaj, në rast të zgjedhjeve të reja, kjo parti përtej këtyre dy bastioneve, do ta kishte të vështirë të gjente dhe emra për t’i rekrutuar për listë zgjedhore.
Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës, do të hynte në këtë proces e demoralizuar dhe e thyer nga brenda me akuza dhe kundër-akuza për vjedhje industriale të votave ndaj njëri-tjetrit. Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, nuk është në pozicion me të lakmueshëm. Për më shumë pas tregtisë politike të Ramush Haredinajt me Adem Hoxhën, bashkëpunëtorin politik të Listës Serbe, e ka varrosur të vetmin pretendim politik elektoral kundër Albin Kurtit. Ngase me këtë veprim, ai ka dëshmuar se për të mbijetuar politikisht nuk e ka problem të bëjë marrëveshje dhe me agjentët politik të Milan Radoiçiqit.
Kuptohet, të gjitha këto taktika subversive partiake të subjekteve politike parlamentare vetëm në interes të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës nuk janë. Ato mbase mund t’u shërbejnë qëllimeve të tyre imediate, por jo atyre strategjike shtetërore, sidomos në kohën që po kalojmë.