Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po refuzon “opozita” t’i kuptojë arsyet pse i ka humbur zgjedhjet?

A po refuzon “opozita” t’i kuptojë arsyet pse i ka humbur zgjedhjet?

Shkruan: Afrim Kasolli

Ka një kohë që jam duke kërkuar në faqet zyrtare partive si PDK, LDK dhe AAK, analiza të qasshme publike mbi shkaqet e humbjes së tyre elektorale në zgjedhjet e 9 shkurtit. Mirëpo, vështrime të tilla nuk kam pasur shansin t’i lexoj. Ata mbase mund t’i kenë në sirtarët e tyre privat, por një gjë e tillë nuk ka rëndësi publike. Deri më tani kemi lexuar vetëm reagime fragmentare individuale, por jo analiza partiake. Përkundër faktit, se politikisht humbja e tyre, për shkak të rrethanave të ndryshme, ishte edhe me madhe se sa në vitin 2021.

Kohë më parë, ish kryeministri i Kosovës , Avdullah Hoti, në një reagim në rrjetet sociale shkruante, se “LDK-ja ka marrë rezultat të dobët që nuk përputhet me pritshmëritë e LDK-së para zgjedhjeve dhe gjatë përgatitjes për 4 vjet opozitë”. Sipas tij, “orientimi i lidershipit aktual për të bërë prerje të panatyrshme, si dhe distancim nga e kaluara e lavdishme shtetformuese e LDK-së, pavarësisht sfidave e lëshimeve gjatë rrugëtimit të lidershipeve të kaluar, kanë zvetënuar besimin e elektoratit tradicional të LDK-së”. Arsyet e këtij degradimi, për Avdullah Hotin lidhen me “personalizimin e fushatës zgjedhore, përbërjen e listës, renditjen e kandidatëve në listë, paraqitjet dhe favorizimin medial e një liste të ngushtë të kandidatëve të LDK-së, si dhe çështje të tjera para dhe gjatë fushatës, e te cilat e kanë dëmtuar kohezionin e brendshëm partiak”. Në anën tjetër apologjetët e kryetarit Abdixhiku reaguan ashpër ndaj këtyre sulmeve duke i quajtur si të pa baza. Dhe nuk harruan të kuptojnë faktin se subjekti i tyre politik në zgjedhjet e 9 shkurtit, kishte shënuar ngritje elektorale në raport me ato të vitit 2021

Ndërkohë, në PDK, po ashtu kandidatë të caktuar për deputetë kanë shprehur frustrimin për rezultatin e tyre personal, por jo atë të partisë. Kohë më parë, ish-deputeti i këtij subjekti politik, Ardian Kastrati, ka hedhur akuza të rënda ndaj liderit të partisë së tij, Memli Krasniqi, duke aluduar se ai ka ndikuar tek rënia e numrit të votave me arsyetimin se i ka prishur matematikat e PDK-së për të bërë koalicion qeveritar me VV-në”. Akuza të ashpra për abuzime të tilla ka shfaqur edhe ish-deputeti tjetër i këtij subjekti politik, Hisen Berisha, Në një intervistë për emisionin Arb Debat në mediumin Tv. Arbëria, ai ka pohuar se “sistemi i numërimit dhe evidentimit të votave është tërësisht i korruptuar”. Madje, ai pretendon se i janë vjedhur votat, derisa ka theksuar se nëse bëhet rinumërimi dhe atij i dalin nën 40 mijë vota, ai do ta lërë politikën”.

Në anën tjetër, sa i përket diferencës së madhe ndërmjet partisë së parë, të dytë dhe të tretë, nuk kanë munguar as interpretimet që e lidhin këtë rezultat me mungesën e emancipimit të elektoratit, retorikën demagogjike të Albin Kurtit për t’i joshur masat, e deri të iluzioni se i pari ua ofron një shtrese nostalgjinë politike për ish-Jugosllavinë.

Nuk mund ta mohoj se variabla të tilla nuk kanë ndikuar në disponimin e qytetarëve të Kosovës. Mirëpo, interpretimi i krejt asaj që ka ndodhur me 9 shkurt, kryesisht në këto tri shkaqe është një simplifikim i arsyeve më të thella që ndikuan në fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, përkundër rezultateve jo të mira qeverisëse si dhe shtangimit ekonomik dhe shoqëror.

E para është ky elektorat të cilën jo shumë kohë më parë, të njëjtat parti politike që sot po i humbnin zgjedhjet ia rrëmbenin zemrën. A do të thotë se i njëjti në atë kohë ishte i emancipuar dhe tash e ka humbur këtë standard iluminist? Edhe nëse ka ndodhur kështu, përsëri dështimi është i tyre, sepse kane lejuar që nën menaxhimin e tyre, qytetarët e Kosovës t’i nënshtrohen këtij prapakthimi.

E dyta zgjedhjet lokale të vitit 2021, dëshmuan se qytetarët e Kosovës nuk i nënshtrohen në mënyrë të verbër retorikës demagogjike të Albin Kurtit. Sepse pak muaj pas një fitore të pa precedent në nivel nacional, ai i humbi ato në nivel lokal. Dëshmi kjo se ai nuk mund t’ua shes qytetarëve të Kosovës sapunin për djathë. Madje në këtë mënyrë qytetarët e Kosovës kanë dëshmuar një sens serioz kritik.

E treta çdo tendence për t’i interpretuar suksesin elektoral të Albin Kurtit edhe si një lloj mishërimi nostalgjik jugosllav nuk është i qëndrueshëm. Logjikisht këtë sukses ajo do ta kishte siguruar në vitin 2010 kur hyri për herë të parë në zgjedhje, deri sa kujtesa për atë regjim ishte me freskët. E jo sot, kur për shkak të ndryshimit të gjeneratave po davaritet kujtesa për atë regjim. Madje siç kam vënë në pah në shkrimin opozita e “plakur” dhe pushteti “rinor”, duke u bazuar në hultimimin në studimit për rininë në Kosovë, 2024” të prezantuar nga organizata Friedrich-Ebert-Stiftung?( FES), shumica e kësaj shtrese elektorale kishin shprehur afiniteti politik për Lëvizjen Vetëvendosje në raport me partitë tjera, edhe përkundër faktit se lideri i LDK dhe i PDK-së, ishin më afër moshës së tyre biologjike se sa Albin Kuriti. Një dëshmi kjo se këto parti me shumë se sa me të kaluarën e kanë humbur betejën politike me partinë fituese të zgjedhjeve me të ardhmen.

Në saje të kësaj përtacie të mendjes, praktikisht, secila prej partive “opozitare” po refuzon ta kuptojë publikisht, sepse privatisht mbase mund t’ia pranojnë njëri tjetrit, arsyet e disfatës elektorale për zgjedhjet e 9 shkurtit. /TV Arbëria