Shkruan: Afrim Kasolli
Mospajtimet e Albin Kurtit me CEFT-an kanë qenë të kahershme. Që na takimet e para me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuciq në Bruksel, në kuadër të procesit të dialogut, ai kishte afirmuar ndryshimin e formatit të kësaj nisme rajonale ekonomike.
I pari i Qeverisë pat propozuar që “gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor të avancojnë CEFTA-n në SEFTA (South-East European Free Trade Agreement) sipas modelit të EFTA-EEA, pra marrëveshje çfarë Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Islanda kanë me BE-në. Këtij propozimi i kishte paraprirë një punim i institutit studimor gjerman Eurpean Stability Initiative, në punimin e njohur “Hamster in the Wheel – Credibilty and EU Balkan Policy”, ku me këtë rast, ky think-tank gjerman, konstatonte se pasi integrimi i shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, është bllokuar për arsyeje që dihen nga të gjithë , atëherë duhet gjetur opsione tjera që do ta kompensonin këtë dështim.
Ndërkaq, kohët e fundit është shtuar rreziku që shteti i Kosovës të përjashtohet dhe izolohet plotësisht nga CEFTA, por paralelisht me të edhe nga Procesi i Berlinit. Këtë mundësi e ka paralajmëruar gjatë vizitës së fundit në Prishtinë i dërguari i Qeverisë gjermane, Manuel Sarrazini, se nëse Prishtina nuk e suspendon vendimin për bllokimin e mallrave me origjinë nga Serbia, atëherë do të mund të gjenden alternativa që të shkohet më tutje edhe pa Kosovën. Siç dihet, autoritetet shtetërore i kanë marr këto masa me arsyetimin e mbrojtjes së sigurisë nacionale, përkatësisht me rrezikun që bashkë me mallrat nga Serbia të hyjnë edhe armatimet. Ndërkohë, i dërguari gjerman, deklaroi se nuk ka asnjë indikator se është demilitarizuar veriu edhe përkundër kësaj bllokade dhe se në këtë mënyrë janë duke u dëmtuar vetëm prodhimet e firmave gjermane në Serbi, si dhe për të tejkaluar këtë ngërç ai ka premtuar furnizimin e doganave të Kosovës me pajisje X-Ray, e të cilat do të mundësonin detektimin e armëve në kufi.
Mirëpo, deri sa ky tension po vazhdon madje edhe me përjashtim eventual nga ky format Qeveria e Kosovës ka njoftuar për afrimin e vendit me në nismë tjetër evropiane të tregtisë së lirë. Sipas një komunikate të Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Republika e Kosovës i ka përmbyllur me sukses kapitujt negociues për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Shtetet e EFTA-së: Islandën, Lihtenshtajnin, Norvegjinë dhe Zvicrën. Ky afrim ka ndodhur “pas katër raundeve negociata, të filluara në vitin 2022”. Komunikata në fjalë ndër të tjera pohon se kjo është një arritje e jashtëzakonshme për vendin, duke hapur kështu rrugën për zhvillim ekonomik dhe mundësi të reja për ndërmarrjet, industritë dhe qytetarët nga të dyja palët” Dhe po ashtu, “se Kosova është i vetmi shtet nga vendet e rajonit, që negocion tregtinë e shërbimeve me vendet e EFTA-së”.
Në këtë mënyrë, Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti, pasi nuk ia doli që ta jetësojë propozimin e shndërrimit të CEFTA-së në SEFTA, atëherë largimin e eventual nga e para do të tentojë ta arsyetojë dhe justifikojë me avancimin drejt EFTA-së. Sa do të jetë efikas në aspektin ekonomik ky kompensim mbetet të shihet. Por të paktën në aspektin politik pushteti do ta mund ta kapitalizojë këtë gjë, duke e shfrytëzuar edhe këtë rast për të dëshmuar se si politikat parimore ndaj Serbisë, nuk janë pengesë për afrim me vende të mirëfillta demokratike evropiane./tvarbëria/