Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po përgatitet një koalicion tjetër qeveritar (VAN) për hir të marrëveshjes me Serbinë?

A po përgatitet një koalicion tjetër qeveritar (VAN) për hir të marrëveshjes me Serbinë?

Shkruan: Afrim Kasolli- Që kur ishte pajtuar dhe dakorduar për planin franko-gjerman për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të përfshirë në Marrëveshjen bazë të Brukselit, si dhe në planin e zbatimit në Marrëveshjen e Ohrit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka operuar me një gjuhë të dyfishtë se edhe ka marrëveshje, por edhe se ajo nuk është legjitime deri sa nuk është nënshkruar nga të dyja palët.

Të njëjtën logjikë e ka përdorur edhe për pranimin e draft-statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, duke deklaruar se nuk mund të ketë “pranim pa nënshkrim”. Ndërkohë, shumica e diplomatëve ndërkombëtarë të përfshirë në procesin e dialogut kanë pohuar se kjo marrëveshje tash e  tutje është obligim shtetëror për Kosovën. Po ashtu, më shumë sesa te nënshkrimi, ata kanë insistuar se Qeveria e Kosovës duhet të fokusohet te zbatimi i detyrimeve që dalin nga ky plan.

Shumëkush i ka parë me dyshim këto driblime të Albin Kurtit. Madje kishte analistë që pohonin se pikërisht mungesa e përparimit në dialog është në interes të Kryeministrit të Kosovës. Por kjo status që i shkonte për shtati edhe Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuciq.

Sipas analistit amerikan, Edward Joseph fillimisht duke e mbajtur situatën të tensionuar, presioni ndërkombëtar fokusohet më shumë te shtensionimi i saj dhe jo te zbatimi i Asociacionit, që është interes i të parit të Qeverisë së Kosovës. Ndërkohë, edhe kryetari serb përfiton nga gjithçka që e pengon ta zbatojë marrëveshjen që SHBA-ja dhe BE-ja thonë se e ka pranuar, pohoi ai në një intervistë të mëhershme për REL.

Madje gjatë kësaj kohe të dy liderët edhe pse nuk e kanë refuzuar dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, megjithatë nuk kanë nguruar të shprehin kritika dhe sulme të hapura ndaj lehtësueseve të dialogut. Bie fjala Kurti, në disa raste e ka akuzuar Mirosllav Lajçakun, si të anshëm në këtë proces dhe se po i mbron interesat e Serbisë.

Kurse, Vuçiqi po ashtu e ka atakuar Perëndimin për qasje hipokrite ndaj Serbisë dhe favorizim të Kosovës.  Pra shihet qartë, se si Kryeministri i Kosovës ashtu edhe Presidenti i Serbisë, po tentojnë që me anë të manovrimeve të tilla politike të përfitojnë për nevoja të brendshme nga ky proces. Në njërën anë duke i thënë po kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare, por në anën tjetre duke u munduar maksimalisht t’i zvarrisin obligimet e marra.

Dhe nëse Presidenti i Serbisë me anë të kësaj loje ia doli që të mos e bëjë asnjë hap sa i përket zbatimit të marrëveshjes para zgjedhjeve, madje duke e shndërruar atë në një kartë për përfitime elektorale, a mund të thuhet se e njëjta gjë është në interes edhe të Albin Kurtit?

Pra që edhe ai të tentojë të mos e bëjë asnjë lëvizje para zgjedhjeve në Kosovë që duhet të mbahen në vitin 2024. E, të cilat nuk do të thotë që domosdoshmërisht mund të zhvillohen sipas afatit kushtetues.

Me këtë rast, Albin Kurti ka shansin që edhe një herë të shfaqet para opinionit si lideri që i qëndron besnik premtimit politik për mos themelimin e  Asociacionit, edhe përkundër presioneve që ka pasur ta bëjë një gjë të tillë. Shto këtu edhe faktin se vitin e ardhshëm janë zgjedhjet në Bashkimin Evropian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, çfarë do t’u krijonte një komoditet shtesë si kryetarit të Serbisë ashtu edhe Kryeministrit të Kosovës.

Mirëpo, një çështje që në vazhdimësi ka ngritur dilema në opinionin vendas, ka qenë fakti se edhe përkundër legjitimitetit të madh qytetar që e gëzon Albin Kurti, përsëri ai do të hezitojë që pa mbështetjen e partive tjera politike dhe atë veçanërisht atyre që kanë trashëgimi nga UÇK-ja, ta zbatojë Asociacionin.

Sepse ai është i vetëdijshëm për peshën historike të kësaj “nyje gordiane”, çfarë në këtë rast nuk do t’i mjaftonte mbështetja e pa kusht e guximtarëve të Vjosës. Prandaj, edhe është e mundur që edhe tema e zbatimit të planit franko-gjerman me të gjitha atributet e tij pasuese, si dhe marrëveshjeve të deritashme që janë arritur ndërmjet dy vendeve, të jetë në rend dite si obligim primar i një koalicioni tjetër qeveritar që do të krijohej pas zgjedhjeve të reja parlamentare.

Në këtë kontekst, nuk është befasi që tortja e ardhshme e pushtetit të ndahet ndërmjet Albin Kurtit dhe Ramush Haredinajt. Të parit do t’i  mbetej pozita e drejtuesit të qeverisë. Kurse i dyti pas skadimit të afatit të Vjosa Osmanit të shpërblehej me pozitën e Presidentit. Natyrisht, nuk përjashtohet mundësia që edhe një eksponent tjetër i luftës, Fatmir Limaj të ringritët edhe një herë shkallëve të pushtetit, me anë të një koalicioni parazgjedhor me AAK-në.

Në fund të fundit, Kryetari i Nismës Socialdemokrate, ka kohë që ka qenë në kërkim të rikthimit në ish-partinë e tij, PDK. Por si duket, pas një pritje të gjatë nuk ka gjetur mbështetje në strukturat e këtij formacioni politik. Madje, në thashethemnajën e politikës ditore po thuhet se kanë filluar edhe biseda për realizmin e këtij skenari, edhe me arsyetimin se Fatmir Limaj i nevojitet Kuvendit të Kosovës në këto momente delikate politike dhe historike, edhe duke marrë përsysh biografinë e tij të “çeliktë gjatë luftës”.

Ka të atillë që pohojnë se nëse kjo formulë jetësohet është paraparë që edhe dialogu me Serbinë të zhvendoset në nivel të presidenteve, në mënyrë që Albin Kurti të mos marrë përgjegjësi për zbatimin e marrëveshjes me Serbinë. Ndonëse, një e gjë e tillë nuk jam i sigurt sa mund të jetë reale, kur dihet se tashmë ekziston një vendim i Gjykatës Kushtetuese që konstaton se procesi i dialogut është kompetencë e ekzekutivit.

Por në politikë gjithçka është e mundur. A do të realizohet ky skenar mbetet të shihet.

Mirëpo, sa i përket dialogut dhe planit franko-gjerman, deri më tani Ramush Haradinaj i ka dhënë një mbështetje të pa rezervë. Ai ditën që ishte arritur pajtimi për këtë marrëveshje ishte shprehur publikisht, se “pajtimi për ta pranuar propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, është një e arritur e madhe”.

Mbetet të shihet se a do ta marrë përgjegjësinë koalicioni i ardhshëm VAN, për ta zbatuar këtë të “arritur të madhe”?

/TV Arbëria

 

Themes by WordPress