Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Lajme > A po nguten evropianët ta bëjnë Samoupravnicën (autonominë) para lirimit të Çlirimtarëve nga Specialja?

A po nguten evropianët ta bëjnë Samoupravnicën (autonominë) para lirimit të Çlirimtarëve nga Specialja?

SHKRUAN: AGRON HOTI

Shkurti dhe marsi 2023 ishte viti kur politika e Kosovës e rriti Zajednicën në Samoupravnicë (autonomi) për serbët e veriut. Për të arritur deri këtu, evropianët bënë të pamundurën për të siguruar një forcë politike me mbi 50% mbështetje qytetare, sepse marrëveshjet e vështira nuk mund të kalojnë pa mbështetje të gjerë qytetare. Gjykata Speciale dhe “gjykatat morale” ishin instrumenti i duhur për të shkatërruar politikisht Krahun e Luftës si forca kryesore që kishte bërë çlirimin, pavarësimin dhe shtetndërtimin e Kosovës. Mjerisht, ngritja e Zajednicës në Samoupravnicë iu shit qytetarëve të Kosovës si fitore.

Nga viti 2023 e deri në fund të dhjetorit 2025 e njëjta politikë e Kosovës ndërmori çdo veprim të mundshëm që rezultoi me humbjen graduale sovranitetit në veri. Sot, përveç një pranie të kufizuar policore, Kosova nuk ushtron sovranitet të plotë në atë pjesë, pasi mungojnë pothuajse të gjitha institucionet shtetërore atje. Edhe kjo humbje sovraniteti, fatkeqësisht iu shit qytetarëve si fitore.
Tani, evropianët synojnë ta shfrytëzojnë sërish mbështetjen e dytë qytetare prej mbi 50% për ta themeluar sa më shpejtë Samoupravnicën (autonominë) nga frika se lirimi i çlirimtarëve nga Haga mund t’ua prishë llogaritë elektorale dhe projeksionet politike.
Përfshirja eventuale e familjes Jashari në këtë proces do të shërbente vetëm për bashkëndarje përgjegjësie dhe për rritje të legjitimitetit të Samoupravnicës (autonomisë) për serbët e veriut. Do të ishte dëm i pariparueshëm për familjen Jashari nëse do të pranonte të bëhej pjesë e kësaj loje përmes joshjes me postin e presidentit. Familja Jashari duhet ta ketë të qartë se një ofertë e tillë do të ishte në funksion të plotë të themelimit të Samoupravnicës dhe për t’ua paraqitur atë qytetarëve si triumf politik përballë Serbisë.
Pse po u ngutet evropianëve?

1. Sepse Kosova tashmë e ka humbur në thelb sovranitetin në veri dhe terreni politik e institucional është përgatitur që Samoupravnica të shpallet si “normalitet i ri”. Kushtet janë krijuar, rezistenca është dobësuar – tani kërkohet vetëm formalizimi;
2. Sepse mbi 50% e mbështetjes qytetare u jep atyre alibinë demokratike për ta kaluar një projekt kaq të rëndë pa u përballur me protesta masive. Me një shumicë të tillë, çdo vendim mund të shitet si “vullnet i popullit”, edhe kur pasoja është cenimi i shtetit;
3. Sepse një kandidat nga familja Jashari do të shërbente si kartë morale për t’i detyruar të gjitha partitë politike të rreshtohen, duke siguruar votat e nevojshme dhe një stabilitet artificial institucional – vetëm që vendi të mos shkojë sërish në zgjedhje dhe procesi të mos rrezikohet;

4. Sepse përfshirja e familjes Jashari do të përdorej si mburojë emocionale për ta neutralizuar edhe qytetarin më skeptik. Në një proces ku do të merrte pjesë kjo familje simbol, çdo kundërshtim do të stigmatizohej si i padrejtë ose i papërshtatshëm;
5. Sepse Samoupravnica duhet të formalizohet para kthimit të çlirimtarëve nga Haga, në mënyrë që ata të përballen me një fakt të kryer. Kthimi i tyre pas vendosjes së strukturës do ta bënte çdo reagim të vonuar dhe politikisht të pafuqishëm.
Uroj të mos ndodh asgjë e keqe në këtë drejtim, por ka një fjalë popullore që thotë: aty ku premtohen dredhëza shumë, më mirë të merret shporta e vogël.