Shkruan: Afrim Kasolli
Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk ia dolën as për të 43-të herë që ta zgjedhin, fillimisht kryetarin dhe më pastaj kryesinë e Kuvendit. Për pasojë ky institucion mbetet i pa konstituar. Sepse siç e ka potencuar edhe në aktgjykimin e fundit, Gjykata Kushtetuese,”zgjedhja e Kryetarit/es dhe nënkryetarëve të Kuvendit është parakusht që Kuvendi të funksionojë. Madje në funksion të këtij qëllimi ajo u ka bërë thirrje përfaqësueseve politikë të sovranit, që në një afat prej 30 ditësh ta finalizojnë këtë detyrim.
Në ndërkohë, dy partitë kryesore “opozitare” i janë dërguar përsëri Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar një rinterptrim veçanërisht të çështjes kontestuese për t’i detyruar deputetët që zgjedhja e kryetarit të bëhet me votë të fshehur e jo të hapur siç ka qenë praktika e deritanishme.
Kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, i cili për shkak të moshës po ashtu i takon Lëvizjes Vetëvendosje, nëpërmjet një reagimi në rrjetin e tij social ka shkruar se është duke insistuar në këtë metodë pasi kishte provuar gjashtë herë sipas modelit të hapur, por qw kishte dështuar. Kurse na anën tjetër, eksponentë të kësaj partie janë duke insistuar se Gjykata nëpërmjet rastit KO124\25, ka dëshmuar si ky ndryshim i procedurës së votimit nuk është anti-kushtetues.
Mirëpo, paralelisht me këto zhvillime ka filluar të vërehet një lodhje të “subjekteve” opozitare nga rezistenca ndaj partisë fituese të zgjedhjeve, për ta detyruar këtë fundit që me anë të kompromisit dhe mirëkuptimit të zgjidhet kryekuvendari.
Secila prej tyre fillimisht e mbronte pozicionin për ta mbajtur me çdo kusht larg pushtetit Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak dëmeve që kjo e fundit ka prodhuar gjatë mandatit katërvjeçar qeverisës. Prandaj dërgimi i saj në opozitë, insistonin ato është interes shtetëror.
Mirëpo, me kalimin filluan të zbuten këto kritere. Kohë me parë Lidhja Demokratike e Kosovës doli me propozimin për krijimin e një lloj Qeverie të unitetit shtetëror. Pikëpamje kjo që u kundërshtua si nga “pushteti” ashtu edhe nga “opozita”. Ndërkaq, para pak dite në emisionin Rubikon, Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, kishte deklaruar se e mbështet një koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Ndonëse sipas këtij te fundit, se kush duhet të jetë kryeministër Albin Kurti apo Bedri Hamza, në fund duhet të zgjidhet “kur të ulemi në tavolinë”.
Ndërkohë, sot deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha ka bërë thirrje për ta votuar , Albulena Haxhiun si krye parlamentare dhe Albin Kurtin si kryeministër edhe pse nuk e ka shumicën parlamentare. E tëra kjo sipas deputetit në fjalë për t’i dhuruar këtij të fundit “fitoren e Pirros”. Ngase për deputetin e AAK asnjë nga përfaqësuesit e Vetëvendosjes nuk kanë dallim.
Mbetet të shihet se qëndrime të tilla a janë vetëm shprehje e bindjeve individuale, apo simptoma të saj që mund të ndodh gjatë ditëve në vijim. Ku më fund partitë “opozitare” do të fillojnë të justifikohen se bashkëpunimi me Lëvizjen Vetëvendosje është rruga e vetme qe u ka mbetur në dorë për ta dobësuar atë.