Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po largohet Kosova nga Shqipëria e po afrohet me Maqedoninë e Veriut?

A po largohet Kosova nga Shqipëria e po afrohet me Maqedoninë e Veriut?

Javën e ardhshme, të hënën do të mbahet mbledhje e përbashkët mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë së Veriut, shkruan TV Arbëria.

Kjo është bërë e ditur edhe nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut përmes një komunikate, gjithashtu është njoftuar që në këtë datë do të nënshkruhen memorandum e marrëveshje mes dy qeverive.

“Ju informojmë se më datë 18.11.2024 në Prishtinë do të mbahet mbledhja ndërqeveritare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, me fillim zyrtar në orën 10:50 sipas agjendës së parashikuar”, thuhet në komunikatën e lëshuar.

Por si qëndrojnë raportet Kosovë-Shqipëri?

Raportet e kryeministrit të Kosoovës dhe atij të Shqipërisë, Edi Ramës, gjithmonë kanë qenë temë diskutimi dhe në qendër të vëmendjes.

Kjo pasi në deklarimet publike të dy krerëve të qeverive shpesh ka pasur “mospajtime”.

Këto mospajtime u panë edhe në korrik të vitit të kaluar(2023), pasi Kurti refuzoi të realizonte një takim me Edi Ramën, pasi ky i fundit ndodhej në një vizitë zyrtare në Prishtinë.

Pas kësaj Kurti kishte deklaruar se Ramën do ta takojë vetëm në mbledhjen mes dy qeverive Kosovë-Shqipëri.

Një mbledhje e tillë,  që ishte planifikuar më 14 qershor të vitit 2023, kishte dështuar të mbahej, pasi siç ishte raportuar, pas tensioneve në veri, Rama kishte kërkuar që të ndryshonte planifikimi i mbledhjes, e që këtë gjë nuk e kishte pranuar Kurti.

Pas këtij planifikimi që dështoi mbledhja e fundit mes dy qeverive u mbajt më 20 qershor në vitin 2022.

Pra që nga viti 2022 takime zyrtare mes dy  qeverive nuk ka pasur, përveç disa takime të “ftohta” në tubime të liderëve të Ballkanit Perëndimor dhe të BE, në këtë rast në Samitin e Kotorit në Mal të Zi pati një përshendetje mjaft të ngrirë mes Kurtit e Ramës, ku ky i fundit kryeministrin e Kosovës e përshëndeti ulur, duke mos u ngritur në këmbë.

FOTO:


A mund të jetë krejt kjo një “largim apo distancim” mes dy qeverive, fakti që Qeveria po zhvillon mbledhje të përbashkët me Maqedoninë e Veriut e jo me Shqipërinë, kjo mbetet të shihet në vazhdimësi. /TV Arbëria

Powered by WordPress