Shkruan: Afrim Kasolli
Pas një maratone të gjatë, më në fund po merr epilog saga e gjatë e zgjedhjeve të 9 shkurtit. Gjykata Supreme, dje e konfirmoi se nuk kanë bazë pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje, për abuzimet e mundshme të votave me postë nga diaspora, që sipas eksponentëve të partisë në pushtet, ishin produkt i mashtrimit industrial të LDK-së. Me këtë rast, pritet që sot Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ta bëjë certifikimin e rezultatit zgjedhor dhe kështu topi të kalojë te presidentja dhe më pastaj te partia fituese e zgjedhjeve. Aktualisht, duket që gjasat që ky proces të realizohet shumë shpejt duken të pakta. Ndonëse Lëvizje Vetëvendosje e ka të drejtën kushtetuese për ta nisur këtë rrugëtim, deri më tani nuk ka dhënë indikacione se mund ta zotërojë deri në fund.
Ajo e ka bërë të qartë se nuk preferon ta ndajë pushtetin me Listën Serbe, si dhe me asnjërën nga partitë tjera shqiptare, që i ka definuar ndryshe si subjekte të “regjimit të vjetër”, e të cilat sipas Albin Kurtit nuk janë reformuar. Për më shumë, i njëjti ato si pjesë e një luftë hibride armiqësore kundër qeverisë që e ka drejtuar dhe se gjatë fushatës zgjedhore premtimet e tyre elektorale i ka cilësuar si irracionale. Madje, siç dëshmoi edhe dje “biseda” me “presidentin e Lituanisë”, një vlerësim të tillë për opozitën ai nuk e ka përdorur vetëm për nevoja të brendshme elektorale, por dhe në bashkëbisedim më burrështetas perëndimorë. Për ta bërë gati të pamundur çdo bashkëpunim me to, ai u përkujdes që t’i cilësonte ato me gjuhë animale si “havajna e hajvant”, natën e përfundimit të zgjedhjeve. Por, telashe në formimin e Qeverisë së re, duket që do të ketë edhe për shkak të qëndrimit të partive minoritare jo serbe. Duda Balje nga komuniteti boshnjak, e ka bërë të qartë se nuk do ta votojë asnjë koalicion qeveritar, nëse në këmbim nuk e merr premtimin për themelimin komunës së re nga ky komunitet. Në bazë të kushteve aktuale, partia në pushtet ose do ta shkel njërin nga premtimet e saj të sipër cekura, ose do të tentojë që ta mbajë peng vendin më qëllim që të mos e dorëzojë pushtetin, ndaj mundësisë që partitë tjera opozitare ta themelojnë qeverinë. Mirëpo, në bazë të zotimeve të tyre të deri tanishme,as ky skenar nuk duket real edhe nëse në bazë të diskrecionit presidencial e fitojnë këtë mandat. Kushtëzimet që janë duke i bërë njëra tjetrës gjithnjë e më shumë nuk japin shpresë për një qeveri të krijuar nga opozita.
Në disa shkrime e kam potencuar se një opsion i tillë s’është në kundërshtim me traditat e demokracive parlamentare. Shembull tipik është rasti i fundit të Austrisë. Para pak kohe, partitë e qendrës në këtë shtet, u pajtuan për ta formuar Qeverinë e re, duke e përjashtuar Partine e Lirisë (FPÖ), ndonëse kjo e fundit kishte dalur partia e parë në zgjedhjet parlamentare. Ndërkohë, deri më tani te ne, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka pohuar se do ta mbështes çdo variant të partive të opozitës për themelimin e pushtetit të ri, me kusht që nga ky aranzhman të përjashtohet Lëvizja Vetëvendosje. Kurse , Lidhja Demokratike e Kosovës, ka sajuar kushte që e pamundësojnë çdo Qeveri pa Vetëvendosjen. Kryetari i kësaj subjekti politik, ka pohuar se nuk duan të jenë pjesë e asnjë “qeverie pa pozitën e kryeministrit”. Po ashtu, LDK “nuk synon dhe nuk do të punojë për një qeveri afatshkurtër”, sepse pa zgjidhjen e çështjes bazike të Presidentit që përcakton zgjedhjet e ardhshme nacionale të Kosovës, LDK “nuk beson se do të ketë stabilitet qeveritar dhe për qeveri afatshkurtra fare”.
Shto edhe këtu faktin se rezultati zgjedhor ka ngjallur pakënaqësi masive brenda saj. Për më shumë, sipas analistit politik Shkëlzen Maliqi, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), më shumë po përpiqen t’ia lënë njëra-tjetrës përgjegjësinë për një koalicion të mundshëm me kryeministrin Albin Kurti, veçanërisht LDK-ja, se sa që e kanë synim strategjik një bashkëpunim të mundshëm ndërmjet vete.
Duket qe shija e hidhur e pabesisë në të kaluarën të jetë pengese serioze për këtë skenar. Prandaj, secila prej tyre sot po kushtëzohet vetem nga kalkulimi se si ta ruajnë pozicionin e tyre politik dhe asgjë me tepër Në këtë kontekst, pa përjashtuar edhe presionet ndërkombëtare, tashmë kemi ardhur në atë gjendje, kur për secilën prej subjekteve politike parlamentare, kurora pushtetit më shumë e mbart brenda saj helmin e hidhur se sa shkëlqimin publik. Çfarë po ndikon që asnjëra të mos kenë vullnet për të marr përgjegjësi për t’u përballur me rrethanat që po kalojmë. Paqartësi kjo, që mund të ndikojë që shumë shpejt vendi ynë të kalojë nga zvarritja e deritanishme procedurale e zgjedhjeve në një krizë politike pa shtegdalje.
Ndërkohë, përpos faktit se Kosova ndodhet nën masa sanksionuese nga Bashkimi Evropian, po ashtu ajo është privuar aktualisht edhe nga sigurimi i mjeteve të para financiare, nga Plani i BE-së për Rritjen Ekonomike të Ballkanit Perëndimor, pikërisht për shkak të këtyre vonesave.