Që nga shtimi i tensioneve në pjesën veriore të vendit, fillimisht pas instalimit të kryetareve shqiptarë në katër komunat veriore dhe më pastaj pas sulmit terrorist nga grupet paramilitare serbe në fshatin Banjskë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është dalluar me një kërkesë konstante, atë për shtim të trupave të KFOR-it në atë zonë, si e vetmja mundësi për të garantuar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Sepse, sipas tij nëse kjo nuk ndodh tani, atëherë, ka gjasa që kjo rritje do të bëhet e domosdoshme nesër, por me rreziqe shumë më të mëdha.
Këto komente të të parit të Qeverisë së shtetit shqiptar shkaktuan në atë kohë reagime të ndryshme. Ai është kritikuar sidomos për faktin se një qëndrim i tillë e favorizon Rezolutën 1244, sepse siç dihet misioni paqeruajtës i Aleancës më të fuqishme ushtarake në Kosovë bazohet në këtë rezolutë të Këshillit të Sigurimit. Por, pa kaluar shumë kohë duket sikur “pani” i Edi Ramës për shtensionimin e situatës në veri ka filluar të bëhet realitet.
Kështu, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës në Prishtinë me 20 nëntor deklaruar se NATO-ja do të shqyrtojë shtimin e përhershëm të forcave në Kosovë, për ta mbajtur situatën nën kontroll. E një qëndrim të tillë zyrtari më i lartë i NATO-së e ka përsëritur edhe hera tjera. Fillimisht në Bruksel dhe më pastaj në kryeqytetin e Maqedonisë së veriut në Shkup.
Kurse, më i prerë në këtë drejtim ka qenë, Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euro aziatike, James O’Brien duke paralajmëruar se çdo shkaktim i trazirave shtesë në veri të Kosovës do të nënkuptonte ballafaqim më NATO-në.
Ndërkohë, duke qenë se ky paralajmërim i ishte drejtuar të dy vendeve si Kosovës ashtu edhe Serbisë ka ngritur me të drejtë dilemën se nëse situata e sigurisë përkeqësohet edhe më tej, a do të mund të vendoset atëherë veriu drejt një protektorati të ri ndërkombëtar nën trupat e KFOR-it? Një skenar ky i potencuar po ashtu nga Edi Rama.
/TV Arbëria