Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po ia lehtëson Albin Kurti pozicionin delikat Aleksandar Vuçiq-it, para perëndimit?

A po ia lehtëson Albin Kurti pozicionin delikat Aleksandar Vuçiq-it, para perëndimit?

 

Shkruan: Afrim Kasolli

Shpeshherë është thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me veprimet e tij, sidomos në pjesën veriore, për të plotësuar pritjet e audiencës së brendshme e ka vështirësuar pozicionin ndërkombëtar të shtetit. Madje edhe në këtë mënyrë e ka lehtësuar pozicionin e kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuciq. Ky trend ka ndodhur veçanërisht pas shpërthimit të luftës në Ukrainë dhe asaj në Lindje të Mesme, kur Perëndimi në krye me Shtetet të Bashkuara të Amerikës, u fokusua i tëri për të penguar me çdo kusht shpërthimin e tensioneve të reja në vatrat e tjera fragjile gjeopolitike, siç është veriu i Kosovës.

Shumë prej aksioneve në veri janë kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare si të njëanshme dhe të pakoordinuara dhe të cilat i nxisin tensionet ndër-etnike në Kosovë. Për këtë vendi ynë është vendosur nën masa sanksionuese, suspendimi i të cilave nuk shihet as një horizont. Ndërkohë, kryeministri Kurti vazhdon të jetë i izoluar sa i përket takimeve zyrtare ndërshtetërore.

Si rast tipik të këtij paradoksi mund të merren veprimet për ndalimin e qarkullimit të dinarit serb në territorin e Kosovës. Ky vendim ishte marrë pak pas sulmit të 24 shtatorit, ku grupe paramilitare nga Serbia ushtruan agresion tipik në territorin e Kosovës. Mirëpo, ky sulm thuajse u baras vlerësua me vendimin e për ndalimin e dinarit, në Këshill të Sigurimit të OKB-së, Sepse, jo vetëm shtetet armiqësore por dhe ato aleate i dënuan në mënyrë të njëllojtë këto veprime. Kurse Serbia ia doli që t’i shpëtoji ndëshkimit ndërkombëtar për këtë agresion, me arsyetimin edhe se Kosova ende nuk ka dërguar raport zyrtar të hetimeve pranë BE-së. Nën dritën e këtyre tensioneve, David Kanin, profesor i Studimeve Evropiane në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, në një interviste për mediumin Evropa e Lirë, kishte pohuar se veprimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po e ndihmojnë Serbinë dhe po bëjnë që të gjithë të harrojnë për Banjskën.

Natyrisht, shumë organizata të pavarura ndërkombëtare kanë konstatuar se nuk kanë munguar sukseset në terren në shtrirjen e autoritetet shtetëror në veri, ndonëse ato e kanë zbehur mundësin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, një kusht ky, ndonëse jo i vetmi, për realizmin e agjendës euro-atlantike. Këtë e dëshmoi edhe mos anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës. Sepse ky dështim nuk erdhi as për shkak të ndikimit të Rusisë apo lobimit të Serbisë, por kryesisht për shkak të refuzimit të vendeve aleate për ta adresuar aplikimin e Kosovës pranë Këshillit Ministror të kësaj organizate në çastet e fundit.

Kjo logjikë e lehtësimit të pozicionit të kryetarit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, mund jetë pasojë e vetëdijshme apo pavetëdijshme edhe në rastin e planeve të Qeverisë së Kosovës për ndryshimin e statusit të urës mbi lumin Ibër, që do ta bënte mundur edhe për qarkullim të automjeteve. Shtetet e QUINT-it dhe KFOR-i janë shprehur kategorikisht kundër kësaj nisme në këtë kohë. Madje Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, deklaroi se ky akt“mund të ndikojë në sigurinë e ushtarëve të NATO-së, përfshirë ata amerikanë”. Kurse, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë një prononcimi për media, në qytetin e Vitisë, ka deklaruar se nuk “është në interes të Kosovës, që ne të kemi konflikte në mes të Policisë së Kosovës dhe ushtarit amerikan”.

E tërë kjo zallamahi po ndodh në një kohë, kur presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, po përballet me protesta masive, me argumente ambintaliste, kundër planeve të tij për t’i krijuar qasje investimeve perëndimore në Serbi, në shfrytëzimin e pasurive minerale të litiumit në luginën Jadar, për nevojat e ekonomisë gjermane, si pjesë planeve për ta kufizuar ndikimin global ekonomik të Kinës. Po ashtu, pjesë e këtij projekti janë edhe planet e tij për investime në energjinë bërthamore, me qëllim për ta ndihmuar Evropën që të çlirohet nga ndikimi energjetik i Rusisë. E të mos flasim këtu për betimin dhe zotimin e tij para diplomatëve ndërkombëtarë perëndimore se veçanërisht pas shpërthimit të luftës në Ukrainë, Serbia nuk do përdor forcën saj ushtarake për destablizim të rajonit, duke nënkuptuar këtu veriun e Kosovës dhe Bosnjën.

Në këtë kontekst, ekspozimi i tij publik si një lider që e bënë të pamundurën për të plotësuar interesat e Perëndimit, në këtë kohë kur ai po përballet me presion të jashtëzakonshme nga ambiciet revizioniste të Rusisë dhe Kinës, si dhe vendeve të tyre satelite autokratike, pavarësisht sfidave të brendshme shoqërore dhe politike që mund të ketë, dhe i Albin Kurtit që i shkakton kokëçarje të parit, vetëm sa e rehabiliton edhe më shumë rolin e presidentit serbe në sytë e diplomacisë perëndimore./TVArbëria/

Themes by WordPress