Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po i pranon Abdixhiku sulmet tradicionale te Kurtit ndaj LDK-se, duke e mbrojtur veten?

A po i pranon Abdixhiku sulmet tradicionale te Kurtit ndaj LDK-se, duke e mbrojtur veten?

Shkruan: Afrim Kasolli

Në mes të paqartësive dhe dilemave për (mos)formimin e institucioneve të dalura nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, u veçua edhe ftesa fillimisht e Albin Kurtit për LDK me qellim që t’i hapet rrugë konsolidimit të tyre, si dhe refuzimi i kësaj të fundit për këtë takim.

“Me qëllim të konstituimit të plotë të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe procesit të zgjedhjes së Qeverisë së re, për t’u konsultuar paraprakisht, ju ftoj në takim të mërkurën, më 9 prill, në orën 15:00, apo të enjten, më 10 prill, në orën 9:00 ose në 14:00. Mirëpres përgjigjen tuaj për këtë takim”, thuhej në letrën e dërguar nga lideri i Vetëvendosjes ndaj atij të LDK-se.

Mirëpo, pa kaluar shumë kohë, një pjesë e estabilishmentit të LDK-se, deklaronin se me ofendimin që u ka bërë si gjatë fushatës elektorale ashtu edhe pas përfundimit të saj, kryeministri në detyrë e ka rrënuar çdo mundësi të bashkëpunimit politik ndërmjet këtyre dy subjekteve. Ndërkohë, nuk vonoi shumë dhe Lumir Abdixhiku, në një postim në rrjetet sociale edhe zyrtarisht deklaroi se e ka refuzuar këtë ofertë konsultative nga partia fituese e zgjedhjeve.

Me një gjuhë personaliste dhe të maskuar pas normave etike, lideri i LDK-se, shkruante se për këtë subjekt politik dhe atë personalisht, “si në politikë ashtu edhe në jetë fjalët kanë peshë”. Edhe pse vazhdon i njëjti, si ai personalisht dhe LDK “nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik. Lumir Abdixhiku, nuk ka lënë pa kujtuar cilësimiet që partia në pushtet i ka bërë ndaj LDK-se si “hajvanat” dhe mbytje të LDK-se, bashkëpunëtore të Serbisë etj. Madje, ai e ka shfrytëzuar rastin që t’ua bëjë të “qartë edhe të tjerëve që së fundi, duke marrë peshën që nuk u takon, kanë tentuar t’i tregojnë LDK-së se çfarë duhet të bëjë”. Sepse kjo “parti-për ta kuptuar mirë – u qëndron besnike vendimeve, bindjeve dhe fjalëve të thëna para fushatës, gjatë fushatës dhe pas fushatës. Ndaj të gjithëve – njësoj”.

Asnjë argument shtetëror nuk u specifikua në këtë përgjigje negative. Bie fjala, të përdorej si pretekst qëndrimi anatemues ndaj Marrëveshjes së Uashingtonit të vitit 2020, që ky pushtet kishte mbajtur. Dhe se në këtë mënyrë, LDK e konsideron të rrezikshme një afrim të tillë me një parti që i cenon raportet bilaterale me partnerin strategjik të shtetit të Kosovës.

Por gjithçka lidhej me dinjitetin e lënduar etik të liderit të LDK-se. Sidomos, kur marrim parasysh edhe faktin se shpeshherë i njëjti ka deklaruar në studio televizive se çdo bashkëpunim me liderin e Vetëvendosjes ka marr fund, pasi i njëjti fillimisht i kishte shkuar në shtëpi per koordinim për koalcion e më pastaj e ka quajtur tradhtar të Serbisë. Pra kjo tregon se ai nuk ka pasur asnjë dilemë morale për ta pritur në konakun e tij Albin Kurtin, përkundër ofendimeve që ky i fundit ka artikuluar vazhdimisht ndaj LDK-se.

Mbase, ky fakt i nxjerr në pah standardet e dyfishta të Lumir Abdixhiku dhe tendencën e tij për t’i shpërdoruar normat etike për përfitime personale politike. Sepse siç thamë akuza të tilla nuk është hera e parë që Albin Kurti dhe militantet e tij kanë bërë ndaj LDK-se. Por që kryetari aktual i kësaj partie i kishte amistuar ato kur kishte pranuar t’i shërbente si ministër Albin Kurtit.

Madje, ky tandem së bashku me Vjosa Osmanin e kishin krijuar një aleancë të hapur populiste kundër estabilishmentit “tradicional” politik në vend. Sipas skemave neomarkrisiste këta ishin bota e re që do ta çlironin Kosovën nga “regjimi i vjetër”.

I njëjti për të qenë në sinkron nëse jo të hapur, të paktën tërthorazi, me liderin e Vetëvendosjes dhe me Vjosa Osmanin, kishte refuzuar të bëhej pjesë e Qeverise së drejtuar nga LDK, e cila e pasoi atë të Albin Kurtit kur ishte në sprovë raporti ekzistencial i Kosovës me ShBA-te, për shkak të marrëveshjes së sipër përmendur.

Me këtë nuk them se Lumir Abdixhiku është i detyruar që të takohet me Albin Kurtin. Por vetëm arsyet gjoja etike të tij nuk qëndrojnë. Sepse këto janë universale dhe duhet të mbrohen ne menyre kategorike e pa perjashtim. Aq më shumë kur është në pyetje tjetri se sa vetja. Nëse nuk operohet sipas kësaj fryme atëherë ato shndërrohen në standarde hipotetike dhe shpërdorohen sipas nevojave të momentit.

E Lumir Abdixhiku ka treguar që nuk e ka pasur telashe që te bashkëpunoje me Albin Kurtin derisa artileria e sulmeve ofenduese ishte e drejtuar ndaj LDK-se dhe të tjerëve. Janë të njohura akuzat “Ise, Ise argat i Serbisë”.

Mirëpo, ato bëhen të pakapërcyeshme vetëm kur ai është në pyetje. Ai kurrë nuk ka insistuar që para çdo kolacioni qeveritar që Vetëvendosje të kërkojë falje minimalisht për ato sulme.

Një qasje e tille, nuk është asgjë tjetër vetëm legalizim i sulmeve tradicionale mbi partine per ta mbrojtur veten politikisht. Dhe maskim i shtytjeve egoosite nën paravanin e normave etike. Mirëpo, keto të fundit ose mbrohen në mënyrë universale ose nuk kane vlerë praktike. /TV Arbëria