Shkruan: Afrim Kasolli
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuciq, asnjë herë më shumë se me rastin e emërimit të ministrave në Qeverinë e re të Serbisë, nuk ka dëshmuar se është një epigon politik i taktikave të Milosheviqit për ta shantazhuar bashkësinë ndërkombëtare.
Ekzekutivi i drejtuar nga Milosh Vuçeviq do të ketë brenda kabinetit të tij emra të njohur për qëndrime radikale ndaj vendeve fqinjë, sidomos kundër Kosovës dhe Bosnjës.
Madje dy nga ata sikur se; Aleksandër Vulin, i cili një kohë e kishte mbajtur pozitën e ish-udhëheqësit të shërbimit të inteligjencës, e që është nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që nga korriku i vitit 2023 – mes tjerash për shkak të lidhjeve me Rusinë, ashtu edhe Nenad Popoviq, si ministër pa portofol që gjithashtu, ndodhet në “listën e zezë” të SHBA-së, për shkak të lidhjeve me Rusinë. Që kjo Qeveri të kompletohet në ekstremin e saj, lirisht mund të themi se asaj tashmë i mungojnë vetëm emra si Vojisllav Shesheli dhe i dyshuari kryesor për sulmin paramilitar serb mbi territorin e Kosovës, Milaqn Radojecic.
Ndaj përzgjedhjes së ministrave të sipër-cekur, që ndodhen në listën e zezë të SHBA-ve, ka reaguar Departamenti Amerikan i Shtetit, duke pohuar se ky institucion “mbetet tejet i zhgënjyer nga ky akt”.
Ndërkohë, presidenti Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se “nuk është i kënaqur me reagimin SHBA-ve, “por Qeveria e Serbisë është e zgjedhur nga qytetarët e Serbisë”. Pra pikërisht në këtë përgjigje duhet kuptuar strategjinë e Vuciqit, për ta shanatzhuar bashkësinë ndërkombëtare, ashtu siç vepronte dikur Milosheviqi.
Kështu gjatë viteve ’90, ky i fundit e bënte të njëjtën skemë me Sheshelin. Me figurën e tij ai e kërcënonte botën se nëse do të ushtrohej presion mbi të atëherë ata do të kishin punë me opsione dhe me radikale. Por me Sheshelin si gogol, në të vërtete Milosheviqi vetëm kërkonte ta legjitimonte edhe ndërkombëtarisht sundimin e tij dhe njëkohësisht të dukej i moderuar e demokrat.
E driblime të tilla janë përsëritur në vazhdimësi nga politika serb. Ngjashëm sillej edhe ish-presidenti serb Boris Tadiç, duke e përdorur si alarm para botës demokratike, presidentin aktual, Aleksandër Vuçiq.
Në këtë kontekst, ekzekutivi i ri i Serbisë dhe justifikimi që i bëri përbërjes së saj presidenti serb, “se për këtë ka votuar populli dhe qytetarët serb”, nuk është asgjë tjetër pos vazhdim i kësaj loje të dyfishtë. Në këtë mënyrë, ai po tenton të manipulojë bashkësinë ndërkombëtare që të ketë sa më shumë përfitime në procesin e dialogut më Kosovën, sepse pa të situata do të jetë edhe më keqe si dhe Serbia do të shkojë edhe më shumë në prehrin e Rusisë, ngase kështu është disponimi politik i publikut serb./TvArbëria/