Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po i normalizon sulmet e Serbisë mbi Kosovën dialogu në Bruksel!

A po i normalizon sulmet e Serbisë mbi Kosovën dialogu në Bruksel!

Shkruan: Afrim Kasolli

Historia e përsërit vetveten dy herë, ka thënë në një rast Hegeli, por se herën e parë si tragjedi, kurse të dytën si farsë. Kjo sentencë, mbase do t’i shkonte përshtati sjelljeve politike të Kryeministrit Kurti, në raport me sulmin e 24 shtatorit në fshatin Banjë, nga forcat paramilitare dhe terroriste nga Serbia, ku mbeti i vrarë polici hero Afrim Bunjaku, si dhe lidhur më shpërthimin që ndodhi mbi kanalin e lumit Ibër-Lepenc, mbi infrastrukturën kritike të shtetit të Kosovës.

Atëbotë krerët e shtetit të Kosovës, Presidentja Osmani, Kryeministri Kurti si dhe Kryeparlamentari, Glauk Konjufca, u pajtuan për ta braktisur procesin e dialogut të lehtësuar nga Brukseli, nëse Serbia mbetet e pa ndëshkuar për këtë agresion kundër integritetit territorial.

Mirëpo, në kundërshtim me këtë zotim, pas pak kohe, shefi i Qeverisë së Kosovës udhëtoi drejt kryeqendrës evropiane, për t’u takuar me liderët e shteteve kryesore të BE-së, Kancelarin gjerman Olaf Scholz , Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, si dhe me Shefin për politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe të dërguarin e tij për dialog Mirosllav Lajcak.

Këta zyrtarë të Bashkimit Evropian, po ashtu, në të njëjtën samit ishin takuar edhe me Presidentin serb, Aleksandër Vuciq. Nga këto takime kishte dalur draft-statuti për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të cilin me të kthyer në Prishtinë, shefi i Qeverisë së Kosovës, e mbronte me pasion si njërën nga arritjet më të mëdha të Kosovës, në funksion të akomodimit të komunitetit serb dhe në mbrojte të shtetit të Kosovës. Pranimi i këtij drafti pak ditë pas sulmit të 24 shtatorit e legjitimoi ndërkombëtarisht këtë fundit. Sepse ai paska qenë edhe pasojë e mos zbatimit nga Kosova i këtij detyrimi. Përndryshe nuk do të pasonte pak ditë pas atij sulmi. Prandaj, sipas këtij vlerësimi rruga për të shmangur akte të tilla në të ardhmen kalon nga plotësimi i këtij kushti. Ndërkohë, Kosova sot e kësaj dite vazhdon të mbetet nën masa sanksionuese nga Bashkimi Evropian. Kjo renditje e gjërave i është shndërruar Kosovës në obligim shtetëror. Këtë gjë e ka konfirmuar dhe Raporti i Progresit për vendin për këtë vit, i hartuar nga Komisioni Evropian. Nuk është e rastësishme që hapi fillestar bie mbi Prishtinën në drejtim të zbatimit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Ndërkohë, ende pa u sanuar dëmet e shpërthimit mbi kanalin Ibër Lepenc, përsëri Kryeministri Kurti fluturoi drejt Brukselit për ta shprehur përkushtimin e tij për dialog, para shefes së re të Politikës së Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas. Nuk nguroi të pozoi me një foto të përbashkët me kryetarin serb, së bashku me liderët tjerë të shteteve të Ballkani Perëndimor, duke krijuar përshtypjen e një situate normale, kur ajo është ekstreme. Dhe në fund u pajtua me drejtuesen e re të diplomacisë evropiane, se e vetmja rrugë drejtë normalizimit të raporteve ndërmjet dy vendeve mbetet procesit të dialogut. I tërë ky zhvillim vetëm sa i margjinalizoi edhe një herë përmasat e sulmit të 29 nëntorit në aspektin diplomatik, që siç u tha nga shumë kush, ishte më i madhi në Kosovën e pas luftës. Vazhdimi i kësaj logjike ka filluar ta transformojë procesin e dialogut në Bruksel nga mekanizëm për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në mjet për normalizimin e sulmeve të së parës mbi në të dytën. TV Arbëria

Themes by WordPress