Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Bota > A po i frikësohet Perëndimi humbjes së Putinit në Ukrainë?

A po i frikësohet Perëndimi humbjes së Putinit në Ukrainë?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Sulmi terrorist i grupit të Shtetit Islamik-Korasan në Moskë, ku mbetën të vrarë mbi 120 persona ka ndodhur pikërisht në një kohë kur Rusia po përgatitet për një fushatë edhe më të madhe të sulmeve në Ukrainë.

 

Madje analistë të ndryshëm kanë pohuar se është pikërisht orientimi i plotë i këtij shteti në luftën pushtuese në Ukrainë, që ka ndikuar që t’i neglizhojë çështjet tjera të brendshme të sigurisë, duke krijuar kështu terren të përshtatshëm për organizata, sikur se grupi në fjalë, që mund të veprojnë edhe shtysa për t’u hakmarrë ndaj Putinit për mbështetjen që ky ia kishte dhënë regjimit të Asadit në Siri.

 

Ndërkohë, Kremlini ka vazhduar ta fajësojë në vazhdimësi Kievin dhe Perëndimin se qëndron prapa këtij sulmi. Retorikë kjo që dëshmon se regjimi i Putinit interes me të madh strategjik e ka që të ketë sukses agresioni rus në këtë Ukrainë, se sa mbrojtja e jetës së qytetarëve të tij nga sulmet terroriste.

 

Madje, në funksion të kuaj agjende qëndron edhe mobilizimi i 100, 000 trupave të reja ushtarake për fushatën e pranverës. Mirëpo, ky “paradoks” po ashtu dëshmon se edhe frenimi dhe kufizimi i Rusisë së Putinit nuk mund të bëhet askund tjetër, pos nga disfata ushtarake dhe paramilitare në Ukrainë. Sepse, siç dëshmoi “relegjitimimi demokratik” i tiranit në zgjedhjet e fundit presidenciale, as që mund të imagjinohet se ky regjim mund të iniciohet nga ndryshimet e brendshme demokratike.  Ngase, tashmë alternativat demokratike janë inekzistente ne atë vend.

 

Prandaj, siç thuhet në raportin “Containing Rusia, Securing Europe” të Qendrës Evropiane për Analiza Politike, e vetmja armë që i ka mbetur në dorë Perëndimit për ta ndalur Rusinë, është humbja e saj eventuale në Ukrainë.

 

Sidoqoftë, neglizhenca e shteteve perëndimore për ta mbështetur luftën mbrojtëse të këtij shteti është duke transmetuar mesazhin se po frikësohet nga humbja e Putinit.  ShBA-të janë zhytur në një bllokadë pa shtegdalje në këtë drejtim. Kongresi ka kohë që po saboton paketën e ndihmave financiare dhe ushtarake të propozuar nga presidenti Joe Biden, për ushtrinë e atij shteti. Kurse deklarimet e kancelarit gjerman Olaf Szcholz se “Rusia nuk duhet të fitojë, por as Ukraina të humb” janë shprehje e atij qëndrimi të çuditshëm që po gjen gjithnjë e më shumë terren në kryeqendrat perëndimore për ta mbështetur Ukrainën, por jo mjaftueshëm sa për ta fituar luftën.

 

Mirëpo, ky qëndrim hezitues dhe ambivalent mbase nesër do t’u kthehet në bumerang vetë botës perëndimore. Sepse sa më tepër do të tolerohet kjo sjellje, me qëllim që të mos rrezikohet më shumë, aq më fatal do të jetë konfrontimi final me Rusinë. Ngase fitorja e përfundimtare e Moskës në Ukrainë vetëm sa do t’ia shtojë apetitet e saj imperiale.

/TV Arbëria

 

 

Themes by WordPress