Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po i bashkohet rinia në Kosovë asaj në disa shtete perëndimore sa i përket zhgënjimit mbi demokracinë?

A po i bashkohet rinia në Kosovë asaj në disa shtete perëndimore sa i përket zhgënjimit mbi demokracinë?

Shkruan: Afrim Kasolli

Para pak dite në shkrimin “A po shndërrohet gjenerata e re në kërcënim për demokracinë?” pata konstatuar se optimizmi i rinisë në këtë regjim politik po zbehet dita ditës. Këtë brez po e karakterizon një lloj sentimenti i “apatisë demokratike” dhe që shumë lehtë mund të transformohet në “antipati demokratike”. Një terren pjellor ky për lulëzimin e liderëve me orientim populist autokratik.

Ky parashikim pesimist bazohej në të dhënat e një hulumtim të opinionit publik të organizuar nga “Open Society Foundations” në më shumë 30 shtete të botës. Sipas gjetjeve të këtij anketimi, 86 për qind e respodentëve kanë pohuar se dëshirojnë të jetojnë në një regjim demokratik. Mirëpo, ky disponim ndryshon kur është puna specifikisht te gjenerata e re. Kështu, 57 për qind e brezit prej moshës 18 deri 35 vjeç, kanë deklaruar se demokracia për ta është e preferueshme, krahasuar me 71 për qind e atyre që janë mbi moshën 55 vjeçare, që mendonin se demokracia është forma më e duhur e qeverisjes politike. Po ashtu, sa i përket brezit prej 18 deri në 35 vjeç, 35 për qind e preferonin një sundim ushtarak, kurse 42 për qind e tyre kanë pohuar se nuk e kane telashe te jetojnë në një sistem ku liderët politikë emërohen pa zgjedhje dhe e konsiderojnë këtë të fundit si model adekuat politik. Bie fjala, në SHBA, si vendi më demokratik në botë dhe lidere globale në mbrojtje të të drejtave dhe lirive njerëzore, 43 për qind e atyre që i takojnë brezit prej 18 deri në 35 vjet, besojnë se sundimi ushtarak është një formë e mirë e drejtimit të vendit.

Këto linja ndarëse ndërmjet gjeneratave për të ardhmen e demokracisë janë jashtëzakonisht të theksuara edhe në vendet ku demokracia është relativisht e re. E, këto dallime sipas këtij hulumtimi kanë të bëjnë edhe me faktin, se gjeneratat e reja nuk kanë kujtime për regjimet diktatoriale, mungesën e lirisë etj, në dallim nga brezi i vjetër që kanë jetuar nën këto regjime dhe e kanë pasur rastin ta shohin dhe përjetojnë mrekullinë e lirisë dhe demokracisë. Kurse një hulumtim i Universitetit të Kembrixhi kishte sugjeruar se gjeneratat e reja janë gjithnjë e më të pakënaqura me demokracinë në raport edhe me gjeneratat e të njëjtës moshë para 40 viteve. Nëse 18 deri në 35 vjeqarët para katër dekadave ishin në gjendje të vdisnin nga gjakimi për demokracinë,  sot brezi i të njëjtës moshë mund ta braktis atë me një lehtësi të padurueshme.  Këto të dhëna tregojnë se si gjithnjë e më shumë po shtohet zhgënjimi mbi demokracinë tek brezi i ri dhe thjesht po gjene shtrat perceptimi  se ajo nuk po punon në mbrojte të interesave të tyre.

Krahasimi i këtyre të dhënave me “Studimin mbi rininë në Kosovë” të përgaditur nga  Friedrich-Ebert-Stiftung (FES) na mundëson të hedhim dritë se ku qëndron rinia e Kosovës në raport me atë të shumë shteteve perëndimore sa i përket përkushtimi dhe qëndrimit të saj për demokracinë. Sipas këtij punimi rreth 44 % e të rinjve në Kosovë, janë të pajtimit se demokracia paraqet një formë të mirë të qeverisjes dhe rreth 41 % gjithashtu e konsiderojnë demokracinë si «gjithmonë të preferueshme» në krahasim me sistemet e tjera politike. Në të njëjtën mënyrë, shumica e të rinjve hedhin poshtë pretendimin se «diktatura është më e mirë se demokracia në rrethana të caktuara», duke qenë se rreth 34 % e tyre «nuk pajtohen aspak» dhe rreth 17 % e tyre «pajtohen». Nga ana tjetër, rreth 21 % e të rinjve «pajtohen plotësisht» se vendin duhet ta qeverisë një lider i fortë, ndërsa rreth 23 % deklarojnë se «kryesisht pajtohen» me pohimin.

Në këtë kontekst edhe një pjesë e rinisë së Kosovës po pushtohet dita ditës nga sindromi i zhgënjimit me demokracinë. /TV Arbëria

Themes by WordPress