Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po e shkel PDK-ja vendimin e shtetit gjerman për ndalimin e tubimeve partiake?

A po e shkel PDK-ja vendimin e shtetit gjerman për ndalimin e tubimeve partiake?

Gjermania së fundmi ka bërë të ditur rregulloren e saj për ndalimin e fushatave politike nga vendet e huaja në këtë territorë.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde përmes një postimi ka treguar rreth rregullores dhe ka theksuar se rreth këtij vendimi i ka njoftuar partitë politike në Kosovë dhe Ministrinë e Jashtme, shkruan TV Arbëria.

“Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme në Kosovë, ne kemi informuar Ministrinë e Jashtme dhe partitë politike për rregulloren tonë specifike. Kjo ka të bëjë me ngjarjet e fushatës për zgjedhjet në Kosovë që zhvillohen në tokën gjermane. Leja në përgjithësi nuk do të jepet nëse ngjarja e fushatës zhvillohet brenda një periudhe më pak se tre muaj përpara datës së zgjedhjeve në vendin përkatës”, ka shkruar ambasadori në platformën “X”.

Me pak fjalë kjo do të thotë se tre muaj para zgjedhjeve të një vendi të caktuar, nuk lejohen organizime partiake në shtetin e Gjermanisë, që në këtë situatë i bie që nga 8 nëntori i këtij viti aktivitetet e tilla nga partitë politike në Kosovë ndalohen nga shteti në fjalë.

Por duket se Partia Demokratike e Kosovës ka zgjedhur ta “injorojë” këtë vendim të Gjermanisë, kjo pasi hiq më larg se dje kjo parti ka njoftuar për një tubim në Köln të Gjermanisë.

Pra edhe pse Gjermania i ndalon që nga 8 nentori tubimet partiake, kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza, ka mbajtur edhe disa takime me mërgimtarë në Gjermani.

Hamza më 23 nëntor ka qenë në Hanover të Gjermanisë, kurse më 24 nëntor në Köln.

Ai të dy tubimet i ka bërë publike përmes një postimi në facebook dhe ka ndarë pamje nga organizimi.

Lidhur me këto veprime të PDK-së, për TV Arbëria ka folur analisti politk, Shemsi Jashari i cili ka treguar më shumë rreth rregullores së Gjermanisë, ku thotë se rregullorja fokusohet më shumë në aktivitete publike dhe jo private.

“Rregullorja e Gjermanisë ndalon zhvillimin e fushatave politike të huaja në territorin e saj të paktën tre muaj para zgjedhjeve në vendin e origjinës. Kjo politikë ka për qëllim të mbrojë komunitetet e diasporës nga përplasjet dhe tensionet që mund të shkaktohen nga aktivitete të tilla politike.

Rregullorja zbatohet kryesisht për ngjarje që lidhen drejtpërdrejt me zgjedhjet, si tubime, fjalime dhe aktivitete promovuese për kandidatë ose parti. Megjithatë, disa takime, si ato të PDK-së me pjesëmarrje të madhe nga diaspora, kanë ngritur pyetje mbi interpretimin e kësaj rregulloreje.

Një aspekt i rëndësishëm është fakti se zbatimi i saj përfshin nuanca. Aktivitetet që paraqiten si takime kulturore ose jo-politike nuk konsiderohen fushata zgjedhore, për aq kohë sa nuk tregojnë hapur qëllime zgjedhore. Po ashtu, rregullorja fokusohet kryesisht në aktivitete publike dhe jo private. Çdo ngjarje e këtij lloji kërkon miratim nga autoritetet gjermane, të cilat sigurojnë përputhjen me rregullat locale”, thotë Jashari.

Tutje analisti thekson se Gjermania mbetet përgjegjëse për të përcaktuar nëse këto veprime të PDK-së bien ndesh me rregulloren.

“Në raste si këto, ku takimet e organizuara nga parti si PDK mund të perceptohen si aktivitete zgjedhore, autoritetet gjermane janë përgjegjëse për të përcaktuar nëse ato bien nën këtë rregullore apo janë angazhime të përgjithshme me komunitetin”, ka thënë analisti Shemsi Jashari.

Zgjedhjet në Kosovë do të mbahen më 9 shkurt të vitit që po vjen, 2025. /TV Arbëria