Që kur ishte nënshkruar marrëveshja bazë e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe plani i sekuencimit të saj në Ohër, ishte thënë se “ ajo që palët janë pajtuar është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit do të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”.
Pra të dy vendet në një farë mënyre e kishin lidhur fatin e tyre integrues, me progresin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve. Kështu, edhe pse mungonte nënshkrimi i përfaqësuesit të shtetit të Kosovës dhe Serbisë në këtë dokument, kjo nuk e kishte penguar si Brukselin ashtu edhe Uashingtonin, që ta konsideronin atë si marrëveshje ligjërisht ndërkombëtare, si për Prishtinën ashtu edhe për Beogradin.
Me këtë rast “Bashkimi Evropian në rastin e Serbisë e kishte menduar përfshirjen e Marrëveshjes në kornizën e anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për normalizim”. Po ashtu, ishte lënë mundësia se nëse njëri nga vendet e saboton procesin e zbatimit të saj, do të përballet me “masa sanksionuese”.
Edhe në planin e BE-së për rritjen ekonomike të rajonit, ishte theksuar qartë se për Kosovën dhe Serbinë, krahas kritereve të përbashkëta me vendet tjera rajonale, do të mbetet si kriter shtesë progresi në zbatimin e kësaj marrëveshje, nëse dëshirojnë të kenë qasje në këtë fond evropian.
Ndërkohë, Parlamenti Evropian, i shqetësuar nga mungesa e rezultateve në këtë proces kishte konstatuar se në këtë mënyrë dëmtohet edhe kredibiliteti i Unionit. Prandaj, me anë të një rezolute i kishte bërë thirrje Bashkimit Evropian që ta ndryshojë qasjen në dialog, në mënyrë që të ketë përparim dhe të tejkalohen ngecjet aktuale.
Në anën tjetër, që nga koha kur palët janë dakorduar publikisht kanë ndodhur shumë zhvillime që e kanë minuar zbatimin e kësaj marrëveshje. Me këtë rast Kosova, është vënë nën masa sanksionuese, por e njëjta gjë nuk ka ndodhur edhe me Serbinë. Ndërkohë, me 24 shtator grupe të armatosura nga Serbia e sulmuan Kosovën në fshatin Banjë të veriut, ku mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku, i shkeli në mënyrë brutale disa nene të kësaj marrëveshje, sikur se atë ku thuhet “në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, palët do ta zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre vetëm në mënyrë paqësore dhe do të përmbahen nga kërcënimi apo përdorimi i forcës”, apo frymën e saj ku pohohet, se “Palët kontraktuese,,,Të vetëdijshëm për paprekshmërinë e kufijve dhe respektimit të integritetit dhe sovranitetit territorial,,,,kanë rënë dakord”.
E, pa kaluar shumë nga kjo shkelje, ish-kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, i kishte shkruar një letër BE duke i shprehur vijat e kuqe sa i përket zbatimit të Marrëveshjes me Kosovën, duke deklaruar se nuk do t’i zbatojë disa nene të saj, me theks të veçantë, ato që kanë të bëjnë sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Mirëpo, edhe përkundër këtyre pengesave, Serbia nuk u penalizua ndërkombëtarisht. Analistë të ndryshëm, kanë pohuar se ky komoditet i Beogradit është kryesisht pasojë e mungesës së unitetit brenda Bllokut Evropian. E ky fakt ka filluar që të vërehet qartë këto ditë më shumë se asnjë herë tjetër.
REL dje shkruante, se si BE-ja nuk po mund të gjejë pajtim “rreth ndryshimeve të kornizës negociuese për Serbinë”. Kjo mungesë uniteti brenda BE-së, për atë qe e ka deklaruar si detyrim i palëve nuk është asgjë tjetër, pos “sabotim” i marrëveshjes nga vetë sponsorizuesi dhe lehtësuesi i saj.
/TV Arbëria