Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po e pengon Qeveria e Kosovës, SHBA-në ta ndryshojë strategjinë ndaj Serbisë?

A po e pengon Qeveria e Kosovës, SHBA-në ta ndryshojë strategjinë ndaj Serbisë?

Shkruan: Afrim Kasolli

 

Ka qenë e ditur prej kohësh se në momentin që SHBA-të e ndryshojnë qëndrimin ndaj Kosovës dhe Serbisë, një gjë të tillë do ta bënin edhe vendet tjera perëndimore. Dhe ky “ndryshim” u vërejt më shumë asnjë herë tjetër më parë, në seancën e fundit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të ftuar nga Serbia, lidhur me vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit serb në territorin e Kosovës.

 Pas ekspozesë së paraqitur nga presidenti serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fjalën e morën ambasadorët e shteteve kryesore në këtë organ të Kombeve të Bashkuara.

Fillimisht, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërmarrin veprime përshkallëzuese dhe t’i kthehen dialogut.

Po ashtu, ajo bëri të ditur se vendimi i BQK-së ishte marrë në mënyrë të njëanshme dhe pa konsultim të duhur me autoritet e Prishtinës. Në fund, Ambasadorja amerikane në OKB, tha se ky institucion nuk duhet të jetë kanali për të zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Të jem e qartë, është dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja dhe jo Këshilli i Sigurimit që duhet të jetë kanal për të zgjidhur çështjet që lidhen me normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, përfshirë edhe zgjidhje që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve”.

Ky fjalim në shumëçka ishte shprehje e deklarimeve të mëhershme si të Ambasadorit amerikan në Kosovës, ashtu edhe komunikatës së Departamentit amerikan të Shtetit për këtë temë.

Rrjedhimisht si pasojë e këtij qëndrimi “befasues” thuajse vendimi për rregulloren e BQK-së u barazua me sulmin paramilitar dhe terrorist të orkestruar dhe organizuar nga Serbia kundër Kosovës me 24 shtator, në Këshill të Sigurimit të OKB-së.

Sidoqoftë, ky bilanc negativ përpos që ishte pasojë e gabimeve strategjike të Albin Kurtit, nuk mund të mohohet fakti se derivon nga “politikat e dështuara” të administratës Biden në raport me Serbinë”.

Dhe është kjo qasje, për të cilën para pak kohë gazeta e njohur amerikane Washington Post, shkruante se “politikat pajtuese” të presidentit amerikan Joe Biden për Serbinë tashmë kanë dështuar.

Kështu, sipas këtij mediumi  strategjia  politike e zotit Biden, bazohej në përqafimin e kryetarit autoritar të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, me shpresën për ta detyruar atë që ta ndërronte kursin e tij politik, për ta larguar nga Rusia.

Mirëpo sot, pas gati më shumë se tri viteve kjo politikë ka dështuar.

Madje, sipas Washington Post, edhepse disa kriza të rrezikshme duke përfshirë edhe atë në vitin e kaluar në veri të Kosovës, dëshmonin gjurmët e gishtërinjve të politikës serbe. E SHBA-të, u përcaktuan për shmangur fajësimin vetëm të njërës palë, dhe duke preferuar thirrjet vetëm për qetësi”.

Prandaj, përfundonte artikulli në fjalë, duke marrë parasysh faktin, se sa pak efektive janë treguar politikat e deritanishme të pajtimit, atëherë administrata Biden duhet ta pyes veten, se a ka ardhur koha që të mendojë diçka të re?

Se kjo strategji e “relativizmit dhe insistimit në përgjegjësi të njëllojtë për të dy palët, duhet të konsiderohet e tejkaluar u potencua edhe nga Sekretarit i jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, David Cameron, pas kthimit në Londër, pas vizitës në Prishtinë.

Gjatë raportimit, në Komitetin për punë të jashtme në Parlamentin Britanik, lordi Cameron nuk la pa e “kritikuar” edhe qasjen e Perëndimit ndaj Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.

Sipas tij, strategjia e tanishme komunitetit trans-atlantik për Kosovën, është e dizajnuar para sulmit agresiv të Rusisë mbi shtetin e Ukrainës. Prandaj,ne tani duhet të mendojmë më shumë lidhur me atë se çfarë ka ndryshuar, sepse sigurisht Rusia dëshiron të bëjë më shumë për të destabilizuar Ballkanin Perëndimor, të bëjë më shumë përmes bashkëpunëtorëve të saj, përfshirë Serbinë, t’i bëjë këto shtete, përfshirë Moldavinë më pak të sigurta. Prandaj, ne duhet të punojmë për të gjetur mënyra se si ta luftojmë këtë. Mendoj se politika jonë është e ashpër dhe realiste”.

Ndërkohë, pa shkuar shumë kohë nga ky zhvillim, Ambasadori amerikan në Beograd Christopher Hill, e kishte informuar Serbinë se Kosova ka bërë kërkesë për të blerë raketa kundër-tanke Javelin, nga SHBA-të. Duke ia bërë kështu të ditur Vuçiqit, se nëse e vazhdon këtë lojë dyfishtë, ata jo vetëm që do ta mbrojnë Kosovën, por edhe do ta armatosin atë me pajisje moderne për t’u vet-mbrojtur nga politika e saj agresive. 

Në këtë kontekst, nuk mund të mohet fakti se pikërisht kur SHBA-të, së bashku me Britaninë e Madhe filluan gradualsiht ta rimendojnë këtë strategji jo-efektive, Qeveria e Kosovës merr vendime në fshehtësi dhe në mënyrë të pakoordinuar me Uashingtonin, sikur se vendimi i BQK-së për dinarin.

Fakt ky, që u konfirmua para pak dite në një intervistë për TV21 edhe nga vetë Jeff Hovenier.

Dhe në këtë mënyrë t’ua pamundësojnë vendeve mike të Kosovës për ta vazhduar projektin e sapo filluar.

Arsyetimit e kryeministrit se ky vendim nuk është marrë nga Qeveria, por nga institucione të pavarura kushtetuese, sikur se BQK, janë broçkulla që nuk ju beson as vetë Kurti.

 

 

 

 

 

 

 

 

Themes by WordPress