Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Featured > A po e penalizon Kosovën mungesa e hetimeve ndërkombëtare për sulmet e Serbisë?

A po e penalizon Kosovën mungesa e hetimeve ndërkombëtare për sulmet e Serbisë?

Shkruan: Afrim Kasolli

Pak ditë pas sulmit paramilitar nga Serbia me 24 shtator të vitit të kaluar në fshatin Banjë në pjesën veriore, Kuvendi i Kosovës, me një anë të një rezolute ku e dënonte këtë agresion, kërkonte edhe një hetim ndërkombëtar, më qëllim që të dëshmohej përgjegjësia e shtetit fqinj lidhur “lidhur me aktivitetet terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në Serbi”.

Mirëpo, përkundër kësaj thirrje të Parlamentit, institucionet e Kosovës nuk ndërmorën asnjë veprim për ta kontraktuar ndonjë organizatë kredibile dhe të specializuar ndërkombëtare, me qëllim të hetimit të asaj ngjarje. Ato i kreu Prokuroria Speciale e Kosovës, e cila pas më shumë se një viti të hetimeve ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, në mesin e tyre edhe Millan Radoiçit.

Megjithatë, sipas prokurorit të rastit, Naim Abazi, ky proces është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të dhe shtete të veçanta të BE-së. Por në fund ai e mbante vulën përfundimtare të institucioneve të Kosovës. Ndërkohë, mbeti e paqartë përgjegjësia direkete e shtetit serb në këtë agresion. Në anën tjetër shqetësimit të Kosovës për sanksionim dhe ndëshkim të Serbisë, Bashkimi Evropian në vazhdimësi i përgjigjej se është në pritje të raportit zyrtar te hetimeve. Dhe nëse dëshmohet përfshirja e Beogradit do të ketë pasoja. Por edhe pas publikimit të tij asnjë ndryshim nuk ka ndodhur sa i përket raporteve të Brukselit me këtë shtet. Deri më tani Bashkësia Ndërkombëtare e ka kritikuar Serbinë se ka nuk ka bërë hapa të mjaftueshëm ndaj përgjegjëseve për sulmet në veri të Kosovës. Prandaj është duke insistuar nga ajo nxjerrjen sa më shpejt të tyre para drejtësisë. Qëndrim ky, që po ashtu nuk është në pajtim me atë të Prishtinës, për dorëzimin e tyre ne Kosovë, pra në vendin ku e kanë kryer krimin.

Kurse në dallim nga sulmi i 24 shtatorit, që të paktën Kosova formalisht kishte kërkuar hetime ndërkombëtare, me rastin e sulmit të 29 nëntorit mbi kanalin Ibër-Lepenc me qëllim dëmtimin e infrastrukturës kritike shtetërore, nuk ka shenja se po synohet një gjë e tillë. Si në natën kritike të sulmit, por edhe në paraqitjet më vonshme mediale, kryeministri Kurti, e ka bërë përgjegjëse Serbinë për këtë atak terrorist. Por ky interpretim nuk është pranuar nga përfaqësuesit e shteteve perëndimore.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, pat deklaruar me 2 dhjetor se “është herët të dihet se kush është fajtor për sulmin dhe se në këtë fazë nuk mund të përjashtohet asnjë grup dhe asnjë shtet”. Një qëndrim pak a shumë të ngjashëm, ai e mbajti edhe mbrëmë në një intervistë në TVA, kur pohoi se “duhet të pritet derisa të kryhen hetimet dhe të keni rezultate të besueshme të tyre përpara se të ngarkoni dikë me përgjegjësi” .

Sidoqoftë, mbetet dilemë se edhe pasi të përfundojnë ato çfarë implikime mund të ketë për Serbinë, nëse hetimet janë të realizuara vetëm nga autoritetet e Kosovës, sikur se në rastin e sulmit Banjë, ku në fund ky shteti fqinj e kaloi atë atak pas asnjë pasojë juridike dhe politike ndërkombëtare. E vetmja kërkesë ndaj saj mbetet hetimi dhe dënimi i personave përgjegjës për atë ngjarje, që në mënyrë implicite edhe shtetet perëndimore janë pajtuar se nuk kanë rendësi ato që janë bërë në Kosovë. Sepse shtetit serb po i kërkohet që mbi bazën e infrastrukturës së tij juridike ta plotësojë këtë detyrim.

Prandaj, me të drejtë shtrohet pyetja, se a po penalizon Kosovën, mungesa e hetimeve ndërkombëtare për sulmet e vazhdueshme të Serbisë? Sidomos, kur marrim parasysh edhe rolin gjithnjë e më të pa peshë të diplomacisë së shtetit të Kosovës në kryeqendrat e shteteve perëndimore. /TV Arbëria

Themes by WordPress