Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Opinione > A po e luan avokatin e dreqit Agim Vinca?

A po e luan avokatin e dreqit Agim Vinca?

Shkruan: Qëndrim Kryeziu- Historia e një populli pashmangshëm është e lidhur me historinë, trashëgiminë, pasurinë dhe lashtësinë  e gjuhës së tij. Këtu përjashtim nuk bënë as gjuha shqipe. Vjetërsia dhe autenticiteti i saj janë dëshmi kulturore, historike dhe shoqërore e karakterit autokton dhe prezencës ndër shekuj të shqiptarëve në gadishullin tonë.

Mirëpo, nuk mjafton vetëm pranimi formal i këtij fakti. Ai duhet të argumentohet, dëshmohet, verifikohet dhe dokumentohet edhe para tjerëve. Pra për të treguar se kush i ka “tapitë” historike dhe kush është ardhacakë në këto hapësira. Fitorja e kësaj beteje sot nuk është vetëm korrigjim i një shtrembërimi të gjatë që ka dominuar në të kaluarën, por edhe një detyrë historike për të ardhmen.

Në këtë drejtim, zbardhimi i toponimeve, etimologjisë dhe kuptimit historik të fjalëve e formojnë “arkeologjinë” e një gjuhe. Me këtë rast, ata që ia dedikojnë jetën dhe karrierën profesionale kësaj veprimtarie të domosdoshme u ngjasojnë “zhytësit të perlave”, të cilit me një përkushtim të jashtëzakonshëm i nxjerrin nga thellësitë e “detit” kristalet e fjetura gjuhësore ndër shekuj.

Të tillë janë në kulturën tonë kombëtare, figurat ikonike sikur se, Agron Dalipaj, Elena Kocaqi, si dhe historiani dhe intelektuali Fahri Xharra.

Me punën, angazhimin dhe devotshmërinë e tyre “fanatike” në aspektin etimologjik, kjo plejadë e heronjve të ri të gjuhës sonë, ia kanë dalur që ta argumentojnë rrënjën pellazgjike, jo vetëm të gjuhës shqipe, por edhe degëzimet saj në shumë gjuhë të tjera evropiane.

Me një fjalë ta shpalosin para shumë popujve evropianë origjinën e tyre gjuhësore historike. Dhe këtë mision sublim e kanë bërë falë punës së tyre të pavarur, jashtë strukturave të mykura pseudo-shkencore, që fatkeqësisht ende e dominojnë botën tonë akademike. Prandaj, edhe puna e të parëve është bërë halë në sy, pengesë dhe traumë për shumë nga ata që jetojnë në zonën e rehatisë së rrejshme shkencore, pa bërë asgjë. Sepse nga arritjet të parëve, krahas që zbulohet e vërteta e domosdoshme shkencore e gjuhës shqipe, po ashtu pasqyrohet kotësia e të dytëve.

Në këtë kontekst, për ta justifikuar këtë dobësi shumë nga këta të ashtuquajtur punëtorë të dijeve albanologjike janë vërsulur dhe mobilizuar kundër emrave të sipër cekur. Ngase siç thotë një fjalë e njohur, “sulmi është mbrojta më mirë”.

Shembull i kësaj fushate djallëzore dhe të pashembullt në aspektin sharlatanesk është sulmi medial i Agim Vincës, kundër Agron Dalipaj, Elena Kocaqit etj etj. Pa asnjë pretendim  dhe me një retorikë shpifëse në emisionin shqip te Rudina Xhunga, i sulmon këta emra të spikatur të etimologjisë shqiptare.

Ndërkohë, dihet se i pari është autor i sa e sa fjalorëve etimologjikë të cilët gradualisht kanë filluar të depërtojnë në rrethet akademike shkencore evropiane. Kurse e dyta në mënyrë të parreshtur me studimet e saj historike e ka trajtuar historinë e gjuhës shqipe. Për më shumë, ajo ka dëshmuar se si shqiptarët janë populli më i lashtë në Ballkan dhe se vet grekët kanë orgjinë pellazgjike.

Kështu mohimi i kësaj origjine vetëm në interes të shqiptarëve nuk është. E të mos flasim për punën e intelektualit, Fahri Xharra që me punimet e tij e ka zgjuar ndërgjegjen dhe vetëdijen historike ndërkombëtare nga lajthitja që e kishte vënë propaganda sllave lidhur më autoktoninë e shqiptarëve. Madje, kjo edhe ishte arsyeja që historiani i njohur kroat me orgjinë hebraike,  Milan Shufllay ishte “vrarë nga organizata shtetërore terroriste serbe Dora e Zezë”.

Në këtë kontekst, sulmet mediale të Agim Vincës, ndaj këtyre thesareve historike  e kombëtare është shërbimi më i mirë i mundshëm që mund t’i bëhet  propagandës dhe ideologjisë sllave e turke që mëtojnë t’i zhveshin shqiptarët nga kjo trashëgimi historike.

Fatkeqësisht, ky sulm vjen pikërisht nga ata që e quajnë vetën si studiues të albanologjisë. Por kjo qasje, vetëm frymë shqiptare nuk rrezaton.  Dhe mjerisht ajo dëshmon se si ende ata që punojnë në ato ngrehina vazhdojnë ta kenë “mendjen e robëruar”.  Një nga ta po dëshmon se është edhe Agim Vinca. Kjo dëshmon, se gjuha shqipe është më e rëndësishme për t’i lënë në dorë vetëm këtij “avokati të djallit”, i cili nuk nguron të manipulojë me këtë pasuri të përbashkët të qenies shqiptare për interesa personale.

/TV Arbëria

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Themes by WordPress