Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > A po e izolon SHBA-ja Rusinë përmes ekonomisë si armë?

A po e izolon SHBA-ja Rusinë përmes ekonomisë si armë?

Shkruan Agron Hoti

Sipas të dhënave nga Observatory of Economic Complexity (OEC), eksportet më të fundit të Rusisë përqendrohen kryesisht në sektorin e energjisë: nafta e papërpunuar ($122 miliardë), nafta e rafinuar ($52.1 miliardë), gazi natyror ($39 miliardë), thëngjilli ($27.2 miliardë) dhe ari ($13.6 miliardë). Ndër vendet ku Rusia eksporton më shumë janë: Kina ($129 miliardë), India ($66.1 miliardë), Turqia ($31 miliardë), Kazakistani ($16.1 miliardë) dhe Brazili ($11.1 miliardë).

Këto të dhëna tregojnë se ekonomia ruse mbështetet pothuajse tërësisht në eksportin e resurseve natyrore, sidomos të energjisë. Një ekonomi që varet nga burimet natyrore është, në thelb, konservative dhe më pak inovative. Si pasojë, Rusia ka humbur garën teknologjike me fuqitë më të mëdha të botës.

Në këtë kontekst, SHBA-ja po përdor politikat e saj tregtare si mjet presioni për të izoluar gjithnjë e më shumë Rusinë nga tregjet globale, me qëllim që ta detyrojë të tërhiqet nga lufta në Ukrainë. Meqë shumë vende të Evropës dhe edhe Turqia kanë ndjekur linjën politike të SHBA-së në raport me Rusinë, Uashingtoni po ushtron tashmë presion edhe mbi Kinën dhe Indinë që të ndërpresin importet e energjisë ruse, duke i kërcënuar me rritje të tarifave tregtare në rast se nuk ndërmarrin hapa konkretë.

Kjo strategji nuk është e re. SHBA-ja e ka përdorur një qasje të ngjashme edhe gjatë Luftës së Ftohtë kundër Bashkimit Sovjetik (BRSS), duke e izoluar atë përmes aleancave politike dhe ushtarake, kontrollit të rrugëve detare (në Oqeanin Atlantik, Indian dhe Paqësor), dominimit ekonomik përmes dollarit dhe sistemit të tregtisë ndërkombëtare, si dhe krijimit të një rrethi ndikimi përmes vendeve të Evropës Perëndimore, Turqisë, vendeve të Painkuadruara, Kinës (veçanërisht pas viteve ’70), Japonisë, Koresë së Jugut, Azisë Juglindore dhe Australisë.

Edhe pse BRSS ishte gjeografikisht vendi më i madh në botë, ai ishte njëkohësisht ndër më të izoluarit. Sot, SHBA po ndjek të njëjtën strategji kundër Rusisë – dhe potencialisht edhe ndaj Kinës në të ardhmen. Historia ka treguar se asgjë nuk e paralizon më shumë një shtet sesa izolimi i trefishtë: politik, ekonomik dhe ushtarak.

Mjerisht, edhe shembulli i Kosovës e dëshmon këtë realitet. Izolimi i saj politik nga SHBA-ja, dhe ai politik e ekonomik nga Bashkimi Evropian, po ndikon drejtpërdrejt në ikjen e rinisë dhe profesionistëve jashtë vendit. Izolimi është një nga faktorët më shkatërrues për zhvillimin e një vendi. E ka provuar këtë Shqipëria më shumë se rrallëkush tjetër në botë.

Si përfundim, SHBA-ja do të vazhdojë ta izolojë Rusinë përmes mjeteve politike, ekonomike dhe ushtarake, deri në momentin kur ajo të detyrohet të tërhiqet nga agresioni në Ukrainë. Kjo strategji, pavarësisht kohëzgjatjes, ka për qëllim ta dobësojë gradualisht kapacitetin ekonomik dhe ndikimin ndërkombëtar të Rusisë. Prandaj, Rusia do të mund të vonojë ca së dobësuari, por asesi të shpëtojë.