Afrim Kasolli
Që kur është nënshkruar momerandumi i mirëkuptimit për partneritet strategjik lidhur me lëndët e para, ndërmjet Serbisë dhe Komisionit Evropian me 19 korrik, shumë kush e ka parë më dyshim ka reaguar këtë marrëveshje. Madje këto sulme kryesisht u fokusuan ndaj kancelarit gjerman, Olaf Scholz, me pretendimin se me këtë akt ai i braktisi parimet dhe vlerat social-demokrate dhe ato të BE-së për interesa ekonomike dhe transaksionale.
Si pjesë e kësaj fushate u veçua edhe ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla-Shvarc, e cila me një lehtësi naive, deklaroi se “se në këtë mënyrë mund të dërgohet përsëri një mesazhi i gabuar përmes një vizite të tillë. Burimet e litiumit i japin një rol të veçantë Serbisë. Nëse bëhet ky hap atëherë ju siguroj që Serbia ka për t’u ndjerë shumë e inkurajuar për të sulmuar, jo vetëm Kosovën”. Kishte të atillë që vizitën e kancelarit gjerman në Beograd e quajtën si kapitullim para autokratit Vuqic. Si dhe në këtë mënyrë ka marrë fund zgjerimi i BE-së, sepse kështu po triumfojnë interesat mbi vlerat. Mirëpo, nuk munguan as vlerësimet miratuese, duke parë këtë akord si diçka normale, që kushtëzohet nga nevoja gjithnjë në rritje e BE-së për litium në prodhimin e makinave elektrike.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe Zëvendëspresidentin e Komisionit Evropian, Marosh Shefçoviq i pari i Qeverisë gjermane, pohoi, “se projekti Jadar, ku parashihet hapja e një miniere të litiumit në luginën e Jadrës në Serbi nga gjiganti botëror, Rio Tinto, është një projekt evropian dhe se litumi do të jetë po aq i rëndësishëm në të ardhmen, ashtu sikur se ka qenë nafta deri më tani”.
Autoritet shtetërore në Serbi janë përballuar me protesta dhe kundërshtime të ashpra nga grupet ambientaliste, për shkak të implikimeve në cilësinë e ambientit që mund të ketë ky investim. Puna në këtë projekt ishte ndërprerë kohë më parë për shkak të zemërimit të publikut. Mirëpo, Gjykata Kushtetuese në Serbi ka konstatuar se Qeveria e ish-kryeministres, Ana Bërnabiq, nuk ka vepruar si duhet kur e ka ndalur investimin e sipër-cekur mes protestave të vazhdueshme.
Nuk ka dyshim se ky momerandum është në vazhdën e përpjekjeve të BE-së për rivaliziuar Kinën në këtë drejtim. Ky shtet sot, kontrollon 41% të minierave të kobaltit në botë dhe shumicën e minierave të litiumit, materiali që mbart ngarkesën elektrike në bateri. Dhe se këto përfitime ajo nuk i ka arritur duke iu marrë në konsideratë vlerat demokratike, të drejtat e njehur dhe sundimin e ligjit. Përkundrazi, duke i shpërfillur ato. Kështu është më se normale, që BE-ja dhe njëri nga shtetet kryesore ekonomike të Unionit, nuk mund të rri duarkryq ndaj këtyre presioneve dhe kësaj konkurrence. Prandaj ajo nuk do lë çdo mundësi për ta shfrytëzuar për ta mbajtur ritmin e saj ekonomik dhe për t’i ushqyer me lëndë të para të domosdoshme industritë e saj, veçanërisht atë makinave.
Mirëpo, këtu duhet pasur parasysh faktin se përtej raporteve bilaterale ndërmjet Serbisë dhe Bashkimit Evropian që i krijon kjo marrëveshje, ajo megjithatë është pjesë e një kuadri më të gjerë strategjik që Brukseli ka nënshkruar edhe me shtete tjera si pjesë e asaj që po quhet si “diplomacia e lëndëve të para”. Dhe përpos Serbisë, Komisioni Evropian, ka bërë marrëveshje të ngjashme edhe më shumë shtete tjera jo anëtare të Bashkimit Evropian. Disa nga këto shtete janë plotësisht demokratike, sikur se Mbretëria e Norvegjisë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Australia, por ka edhe shtetet që janë të njohura për shpërfilljen e standardeve demokratike sikur se Kazakistani, Namibia, etj. Kurse sipas arsyetimit zyrtar të Komisionit, prioritet i tij mbetet qasja në lëndët e para në tregun global. Dhe se nisma të tilla kushtëzohen nga apetitet ekonomike të Brukselit për sigurimin e materialeve jetike për prodhimin e makinave elektrike, mikrocipeve, si dhe duke marrë parasysh domosdoshmërinë e sigurimit të standardeve për energji të gjelbër dhe të pastër.
Po ashtu, edhe në raste tjera nuk kanë munguar kritikat ndaj Bashkimit Evropian se në këtë mënyrë është ndjekur duke aplikuar betejën e “mineralëve të përgjakura” sikur se ne rastin e partneritetit strategjik me Ruandën. Ky shtet kufizohet me Republikën Demokratike të Kongos. Kurse forcat e armatosura rebele të mbështetura nga Ruanda, të quajtura M23, e kontrollojnë një pjesë të mirë te territorit të Kongos, të pasur me minerale të kësaj natyre.
Këto zhvillime tregojnë se për shkak të konkurrencës gjithnjë e më të ashpër me Kinën për zotërimin e pasurive minerale, Bashkimi Evropian, me anë të “diplomacisë së lëndëve të para”, është nxitur kryesisht nga imperativi ekonomik. Natyrisht, këto shtytje edhe mund të krijojnë implikime gjeopolitike, e të cilat do të mund të bien në kundërshtim me vlerat dhe standardet që BE-ja i promovon, sikur se në rastin e Serbisë. Por po ashtu, ashtu është gabim që ky momerandum strategjik të gjykohet vetëm nga kjo optikë, dhe jashtë kësaj strategjie te re diplomatike të BE-së. Sepse, siç thamë partneritete të tilla Blloku Evropian ka nënshkruar edhe me shtete plotësisht demokratike. /TV Arbëria