Shkruan: Afrim Kasolli
Të gjithëve na kujtohet se njëri nga zotimet kryesore diplomatike të Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, ishte synimi i tij për ta ndarë Rusinë nga Kina. Pushtimi brutal i Ukrainës nga Rusia e ka thelluar tej mase aleancën dhe ndërmjet Moskës dhe Pekinit. Kurse varësia gjithnjë e më e madhe e të parës nga e dyta për shkak të vazhdimit të kësaj lufte, po ashtu nuk është interes strategjik amerikan. Kjo edhe ishte njëra nga arsyet e insistimit të drejtuesit të Shtëpisë së Bardhe për t’i dhënë fund sa më shpejt kësaj lufte. Sepse vazhdimi i saj është interes afatgjatë vetëm për Kinën. Një Rusi e orientuar ka Perëndimi dhe antagoniste me Pekinin paraqet një siguri për mirëmbajtjen e interesave amerikane në euro-azi.
Mirëpo, shumë analistë të mediave ndërkombëtare kishin paralajmëruar se shpresa për ta riinakarnuar doktrinën Henry Kissingerit, i njohur ndryshe si arkitekt i çarjes së aleancës sino-sovjetike ne vitet ’70 të shekullit të kaluar, sot duket i pamundur. Ngase tashme jemi në një kontekst krejt tjetër gjeopolitik.
Asgjë nuk e cenon sot më shumë këtë dëshirë të Presindetit Trump, se sa Samiti i Shangait i cili u mbajt në qytetin verior të Kinës Tianjin. Ky event tregoi se jo vetëm që Rusia dhe Kina nuk janë duke u larguar ndërmjet vete, por duke e thelluar edhe me tej miqësinë ndërmjet tyre. Lideri Rus Vladimir Putin, e quajti këtë aleancë të një niveli të paprecedent me parë. Kurse në fund të dy vendet nënshkruan në marrëveshje të re për ndërtimin e një gazpërçuesi tjetër nëpërmjet Mongolisë. Siç dihet pas sanksionimit të të Rusisë nga Perëndimi tregu kinez është bërë destinacioni kryesor i prodhimeve energjetike ruse.
Megjithatë, përpos këtyre dy shteteve këtë aleancë e forcon me tej edhe pjesëmarrja e kryeministrit të Indisë, Narendra Modi. Participimi i këtij shteti në Samitin e Shangait vjen pak ditë pasi SHBA-të imponuan tarifa deri në 50 për qind mbi mallrat indiane për shkak të importimit të gazit nga Rusia. Për një kohë të gjatë Uashingtoni e kishte parë rolin e New Dehlit si kundërpeshe ndaj atij të Pekinit në rajon. Prandaj, shfaqja e liderit indian në mesin e shumë prej liderëve autokratë, ka ngjallur dyshime se SHBA-të, janë duke i humbur levat e tyre diplomatike edhe më tej në nivel global.
Kurse India në këtë mënyrë, “ashtu sikur se fuqitë tjera të mëdha ka dashur të tregojë se i ka disa opsione në tavolinë. Një nga avantazhet e të qenit pjesë e shumë klubeve, është se keni mundësi ta ndërroni hyrjen kur jeni të zemëruar me njërin prej tyre”