Shkruan: Afrim Kasolli
Që kur ka filluar dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë para më shumë se një dekade është thënë se tejkalimet e mosmarrëveshjeve ndërmjet dy vendeve janë parakusht edhe për integrimet evropiane. Pra krahas reformave të brendshme, si Kosova ashtu dhe Serbia, duhet t’i normalizojnë raportet ndërmjet vete me qëllim që të kenë sukses në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.
Një gjë e tillë është përsëritur thuajse çdo vit edhe në Raportet e Progresit të hartuara nga Komisioni Evropian. Ky fakt është konfirmuar edhe nga dakordimi i Kosovës dhe Serbisë me Marrëveshjen bazë të Brukselit dhe pajtimit mbi planin e zbatimit në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Ndonëse mungonte një ceremoni zyrtare e nënshkrimit, megjithatë pak pas këtij dakordimi, shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte deklaruar, “ajo që palët pranuan, është që Marrëveshja dhe zbatimi i saj përmes Aneksit të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre përkatëse drejt Bashkimit Evropian”
Mirëpo, një takim i fundit ndërmjet Presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev , me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, pak para fillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që u mbajt në Londër, ka ngritur dyshime se zbatimi i marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel me Serbinë dhe reformat e brendshme, nuk mund të jenë pengesa e vetme tash e tutje në agjendën integruese euro-atlantike të Kosovës. Në këtë takim, i pari i shtetit të Bullgarisë, ka kërkuar nga presidentja Osmani, afirmimin e statusit të bullgarëve në shtetin e Kosovës. Ndonëse nuk janë dhënë detaje specifike për këtë kërkesë.
Sidoqoftë, është herët të thuhet se a do të mund të kushtëzohet Kosova, në këtë proces nga kërkesat bullgare. Por nëse marrim parasysh, sjelljen e fundit të këtij shteti, ndaj Maqedonisë Veriut, nuk përjashtohet mundësia që Bullgaria, duke i shfrytëzuar pozicionin e saj si vend anëtar i Bashkimit Evropian, që ta mbajë nesër peng fatin e Kosovës, pa e pranuar edhe komunitetin bullgar si kategori kushtetuese.
Ka kohë që ky shtet është i angazhuar në politikën e jashtme për ta“rizgjuar” identitetin bullgar në vendet tjera Ballkanit. Ndonëse dhe këtij shteti i është tkurrur popullsia vendase në masë të madhe pas integrimit në Bashkimin Evropian. Megjithatë strategjikisht, Sofja po kërkon që të “shpik” qytetarë me përkatësi bullgare edhe në shtete tjera, ndërkohë që e ka sfidë mbajtjen e atyre që i ka brenda. Mbase edhe pwr tw kompensuar humbjet demografike.
Dhe një politike të tillë, sipas mediumit Evropa e Lirë, ka filluar që ta ndjek edhe në Kosovë që një kohë. Madje, sipas burimeve të këtij mediumi tashmë komuniteti bullgar është në krijim e sipër. Kjo po bëhet duke i joshur shumë studentë sidomos nga rajoni i Prizrenit, të cilët aktualisht njihen se i takojnë komunitetit boshnjak që ta deklarohen se kanë origjinë bullgare me kusht që ta fitojnë të drejtën e studimit një Sofje të Bullgarisë.
Nëse një proces i tillë ka sukses, atëherë përfundimisht, krahas pakicës serbe, boshnjake, rome, ashkalinje, egjiptiane, gorane dhe turke, Kosovës do t’i shtohet edhe një komunitet i ri etnik.