Në Mitrovicë, fushata zgjedhore ka hyrë në ditët e saj vendimtare. Kandidatët për kryetar komune janë në terren, duke prezantuar programet dhe vizionin e tyre për katër vitet e ardhshme.
Në garë janë: Faton Peci nga Lëvizja Vetëvendosje, Arian Tahiri nga Partia Demokratike e Kosovës, Gëzim Plakolli nga Lidhja Demokratike e Kosovës, dhe Qazim Nimani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Secili prej tyre synon të bindë qytetarët se është zgjedhja më e mirë për ta drejtuar Mitrovicën.
Gara pritet të jetë e ngushtë, veçanërisht mes kandidatit të PDK-së, Arian Tahiri, dhe atij të VV-së, Faton Peci. Qytetarët po ndjekin me vëmendje çdo premtim dhe angazhim.
Ndërkohë, edhe pse kësaj radhe nuk është në garë për këtë komunë, Bedri Hamza, nuk po qëndron krejtësisht jashtë fushatës. Ai përmendet shpesh në tubimet dhe deklaratat e kundërkandidatëve të PDK-së.
Sipas burimeve të TV Arbëria, në disa tubime në fshatrat e Mitrovicës, kandidati për Asamble nga Lista Guxo, Nusret Qubreli, ka pretenduar se Bedri Hamza është larguar nga PDK-ja.
Në lidhje me këtë, TV Arbëria ka kontaktuar me të dy emrat. Fillimisht, Bedri Hamza i ka mohuar këto zëra, duke deklaruar:
“Jam i fokusuar me gjithë qenien time. Ne do të dalim shumë mirë në Mitrovicë dhe gjithandej Kosovës. Gjithçka e bëj në kohën e duhur dhe mënyrën e duhur. Jam 100% i angazhuar në këtë proces zgjedhor.”
Nga ana tjetër, edhe Nusret Qubreli ka deklaruar për televizionin tonë se nuk ka thënë se Hamza është larguar nga PDK-ja, por sipas tij, në opinion qarkullojnë zëra të tilla.