Skip to main content

Arbëria TV

Blog Post

Arbëria TV > Kryesore > A po braktiset nga Perëndimi mbrojta e demokracisë liberale për hir te sigurisë?

A po braktiset nga Perëndimi mbrojta e demokracisë liberale për hir te sigurisë?

 

Shkruan: Afrim Kasolli

Demokracia liberale nuk është duke i jetuar ditët e saj më të mira. Gjithnjë e më pak shtetet janë duke u qeverisur sipas këtyre parimeve. Bota që nga vitet 70 nuk ka parë kaq shumë shtetet që janë duke rrëshqitur drejt modelit autokratik. Sipas institutit të njohur suedez V-DEM, 43 për qind e popullsisë në nivel botëror, apo 3.4 miliardë janë duke jetuar në shtete ku demokracia është duke u përkeqësuar në përmasa serioze. Për habinë e të gjithëve pjesë e këtij prapakthimi sot janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një vend që për dekada më radhë kishte shërbyer si pishtare e mbrojtjes së këtyre vlerave.

Madje sipas raportit për vitin 2025, të të njëjtit institut shpejtësia me të cilën çmontohet ky sistem mbetet e pa precedent në histori. Ndërkohë, si pasojë e kësaj përmbysje aktualisht 74 për qind e popullsisë botërore apo 6 miliardë janë duke jetuar bë regjime autokratike. Kurse vetëm 7 për qind apo 0.6 miliardë ende e kanë fatin të jetojnë nën demokraci liberale. Edhe qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë janë të përjashtuar nga ky privilegj. Sepse asnjëri nga vendet tona nuk është demokraci liberale.

Arsyet që po ndikojnë në këtë përmbysje mund të jenë komplekse. Që nga zhgënjimi i masave të gjëra qytetare në shumë vende se demokracia më nuk është duke punuar për ta, por vetëm për elita të mbyllura financiare, e deri trazimet gjeopolitike. Por duket si faktor kryesor që po e kushtëzon këtë atmosferë mbetet shqetësimi për pasigurinë globale. Pra siguria po shndërrohet në kriter gjithnjë e më mbizotërues edhe për shume shtete me tradita demokratike në raport me lirinë, të drejtat individuale, sundimin e ligjit etj. Sic dihet tensionet ndërmjet sigurisë dhe lirisë janë të kahershme. Dhe harmonizimi i tyre ka qenë njëra nga mrekullitë e veçanta të demokracive liberale.

Këtë tendencë nuk e pasqyron asgjë me mirë se sa samiti i NATO-s në Ankara, që u mbajt me 7 dhe 8 korrik. Ky event është vetëm një pjesë e mozaikut të peshës gjithnjë e më të madhe të Republikës së Turqisë, në çështjet e sigurisë. Siç dihet deri pak kohë kryetari i këtij shteti ndodhej në tensione serioze me shumë liderë te shteteve tjera anëtare të Aleancës, për shkak të vlerësimit të tyre mbi mos respektimin e standartave demokratike.

Mirëpo, lufta në Ukrainë si dhe agravaimi gjithnjë e më i madh i tensioneve në Lindje të Mesme, duket që i kanë ndryshuar prioritet e aleancës. Ushtria e Turqisë është e dyta pas asaj të Shteteve te Bashkuara të Amerikës, në kuadër të NATO-së. Prandaj roli i saj mbetet i patejkalueshëm në arkitekturën e sigurisë evropiane edhe për shkak të pozicionit gjeografik.

Megjithatë , siç kanë vënë në pah shumë raporte dhe media ndërkombëtare, kjo nevojë e shteteve perëndimore për afrim gjithnjë e më të theksuar me Turqinë, po ndodh në një kohë kur në këtë vend demokracia po i nënshtrohet një presioni gjithnjë e më ekstrem. Arrestimi i liderëve opozitare, politizimi i gjyqësorit dhe kontrolli mbi mediat dhe lirinë akademike janë vetëm disa nga pasojat e dominimit gjithnjë me autokratik nga kryetari Erdogan. Por, nëse në të kaluarën këto veprime atakoheshin nga liderët e shteteve perëndimore, tashmë ato u heshtën plotësisht.

Presidenti Trump e quajti atë një lider të madh. Kurse Sekretari i NATO-së, Marc Rutte, deklaroi se ne duhet të mësojmë shumë nga Republika Turke, sepse jemi duke jetuar në një botë gjithnjë e më te rrezikshme. Për më shumë SHBA-të u pajtuan për suspendimin e sanksioneve ndaj Ankarasë, për blerjen e avionëve luftarakë super modern F35. Veprim ky që u kritikua edhe nga kryeministri izraelit, sepse sipas tij në këtë mënyrë po cenohen balancat në Lindje të Mesme.

Triumfi i demokracisë liberale, pas Luftës së Dytë Botërore dhe veçanërisht, pas asaj të Ftohtë, nuk ishte një domosdoshmëri historike siç është pandehur gabimisht. As fryt i emancipimit iluminist universal të njerëzimit. Por sepse shteti që i fitojë këto dy luftëra, qëlloi të ishte i mishëruar me vlera të tillë. Prandaj, mirëmbajta e këtij regjimi u shndërrua në mision planetar. Për më shumëedhe vetë Aleanca Veri-Atlantike mbrojtjen e demokracisë, lirive individuale dhe sundimin e ligjit e ka të kodifikuar si parim doktrinar.

Në këtë kontekst sot me shumë se kurrë mund të shtrohet pyetja që nëse demokracia liberale e humb mbështetjen nga këto struktura, atëherë si do të mund të mbijetonte ajo? A nënkupton kjo kthesë se gradualisht bota po futet në një rend, ku demokracia liberale ishte vetëm një ëndërr e shkurt historike përballë një të ardhme gjithnjë e më të errët.